E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria është tashmë një vend potencial për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE

-Kryeministri theksoi se ky vendim do të merret vetëm në negocimin me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjatë analizimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë për vitin 2008, në mbledhjen e sotme të Komitetit Ndërministror për Integrimin (KNI), Kryeministri Berisha u shpreh se një nga mesazhet më të rëndësishme në këtë raport është se “Shqipëria, me progresin e reformave dhe me përparimet që ka bërë është tashme një vend potencial për statusin e vendit kandidat ose është në rrugën e të qenit një vend potencial për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”.

Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është mesazhi më i shumëpritur dhe më i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët. “Kjo Shqipëri, të cilës iu deshën 7 vite për të negociuar dhe për të firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në një hark kohor prej dy vitesh përgatitet dhe paraqitet si një vend potencial për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Ky është një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo shqiptar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri theksoi se ky vendim do të merret vetëm në negocimin me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. “Nuk mund të hysh në një shtëpi pa trokitur dhe pa njoftuar të zotin e shtëpisë. Ky është parimi që ne kemi përcaktuar. Ne nuk kemi ndërmend t’i bëjmë surpriza askujt, por kemi ndërmend që në momentin që do e gjykojmë oportun të diskutojmë me partnerët tanë të Komisionit Evropian dhe të marrim vendimin”, u shpreh Kryeministri Berisha.


07/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›