E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Reformimi i thellë i sistemit shëndetësor do ta bëjë këtë sistem të denjë për realizimin e misionit të tij fisnik, në mbrojtje të jetës së qytetarit

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës së I-rë Kombëtare për “Politikat Shëndetësore në Shqipëri - Strategjia e OBSH për shëndetin deri në vitin 2020, shëndeti në të gjitha politikat”. Konferenca me temë “Shëndetësia synon të jetë pjesë e të gjitha politikave si dhe pjese e vëmendjes së qytetarëve për pjesëmarrje aktive në mbrojtjen e shëndetit ”ka si  qëllim evidentimin e elementëve themelorë të reformës në Sistemin Shëndetësor, si dhe vizionin e politikat për të ardhmen.

Së bashku me kryeministrin Berisha merrnin pjesë në këtë Konferencë, Ministri i Shëndetësisë, zoti Petrit Vasili, Drejtoresha rajonale e OBSH, Znj. Zsuzsanna Jakab, mjekë, punonjës të fushës së shëndetësisë, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha përshëndeti organizatorët e kësaj, konference dhe në mënyrë të veçantë, Drejtoreshën rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për prezencën e saj, në këtë aktivitet, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që zyra evropiane e kësaj organizate i ka ofruar Shqipërisë, në përpjekjet e vendit  për një sistem shëndetësor dhe politika shëndetësore, në përputhje me standardet e kohës.

Kryeministri vlerësoi arritjet e deritanishme në sistemin shëndetësor, si dhe disa tregues të cilat e rendisn Shqipërinë përkrah vendeve të zhvilluara, duke theksuar se këto arritje duhet të shërbejnë si një frymëzim për kapjen e horizonteve të reja.

Kryeministri tha se është i domosdoshëm thellimi i reformave në sistemin shëndetësor, në mënyrë që ai të shndërrohet  në një sistem të denjë për të përmbushur më së miri misionin e tij fisnik, në mbrojtje të jetës së qytetarëve.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari unë dëshiroj tu falënderoj ju zonja Jakab Drejtoreshë rajonale e OBSH, për vlerësimin tuaj të rëndësisë së kësaj konference dhe të pranisë suaj në këtë konferencë, të falënderoj ju, bashkëpunëtorët tuaj për bashkëpunimin e shkëlqyer, interesimin e madh që kanë dëshmuar për të ndihmuar Shqipërinë, në përpjekjet e saj për një sistem shëndetësor dhe politika shëndetësore, në përputhje me standardet e kohës, sistem dhe politika që ndjekin dinamizmin e zhvillimeve në këtë fushë.

Vendet anëtare të OBSH kanë shansin e madh sepse organizata e tyre, duke sintezuar arritjet, zhvillimet, problematikat më madhore të rajoneve por edhe të planetit, elaboron politika, të cilat janë orientuese të shkëlqyera për qeveritë e vendeve anëtare, kontinentet e më gjerë. Në këtë kontekst Shqipëria është një vend që ka përfituar dhe përfiton shumë nga bashkëpunimi me OBSH, zyrën evropiane të saj dhe mbetet i vendosur të përshtatë tërësisht politikat e saj në përputhje me orientimet e kësaj organizate. Nuk ka mëdyshje se beteja  e njeriut për shëndetin  e tij, për luftën kundër sëmundjes, e cila për njeriun e lirë përbën armikun më të rrezikshëm, është beteja më fisnike e tij , më e rëndësishme dhe më përcaktuese në perfomancën dhe aspekte në vijën e jetës së tij. Shëndeti, si i tillë është aq sa biologjik, edhe social, është ekonomik, është politik, pra ai do të mund të zhvillohet, do të mund të promovohet në nivelin e duhur vetëm atëherë kur ne të arrijmë të sigurojmë për trajtimin e tij një trajtim multidimensional, multidisiplinor. Të dhënat e “Cornelia Universisty” faktojnë se 40 % e vdekshmërisë së njeriut vijnë nga ndotja e mjedisit, e ujit, e ajrit, e tokës. Për ata, të cilët merren me promovimin e shëndetit, mbrojtjen e tij, zhvillimin e tij, nuk ka gjë me jetike se sa operimi me rreziqet më të shumta. Natyrisht është në detyrimin e të gjithë sektorëve të përparësojnë shëndetin e qytetarëve si çështjen kryesore. Unë ju garantoj se pa zërin tuaj, pa përpjekjen tuaj të fuqishme, pa projektet tuaja, kjo nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë dhe kjo, jo se nuk ka dëshirë, por se ndjeshmëria është kushti më i rëndësishëm  në mënyrë që të ketë një motivim nga të gjithë sektorët, ndaj dhe është në detyrën tonë që të bëhen promotorë kryesorë të një përballje shumëplanëshe të problemit të shëndetit në vendin tonë. Asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa parandalimi.

Ne kemi vendosur një sistem të shkëlqyer imunizimi dhe do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e tij që ai të mbetet nga sistemet më të mira në Evropë. Por cila është lufta dhe përpjekja jonë për parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, është në distancë në nivelin  e përpjekjeve tona për imunizimin. Secili nga ju e ka të qartë se sëmundjet e patransmetueshme ndikohen dhe mund te ndikohen fuqishëm nga masat parandaluese dhe ky ndikim ka një rëndësi përcaktuese në uljen e vdekshmërisë, në uljen e sëmundshmërisë, në mbrojtjen e shëndetit. Nuk mund të them se jemi të nderuar sot, kur jemi një nga kombet pasionant të duhanpirjes ,të këtij agjenti toksik, të faktuar nga dhjetëra, qindra, mijëra studime për dëmin  e tij universal dhe jo vetëm në një grup sëmundjesh, por edhe në grupe të tëra sëmundjesh. Shqipëria është një vend në tërësi me indekse të ndotjes së ajrit  ndër më të mirat, por problemi është se kjo mirësi vjen nga Mokra, Dukagjini, Tropoja dhe zona të tjera, ku popullata është me një densitet dhjetëra herë më të rrallë se sa në kryeqytet, se sanë Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë.

Ne do të bëjmë gjithçka për standardet më të mira mjedisore dhe ju jeni pa diskutim zëri i parë që duhet të ngriheni në mbrojtje të interesave të qytetarëve, në mbrojtje të shëndetit tuaj. Janë realizuar arritje shumë të mëdha në reforma. Këto 20 vite nuk kanë qenë të lehta, por është në meritën e këtij sistemi që ka ruajtur një nga akseset më të lehta të qytetarëve në sistem, një nga rradhët më të shkurtra të qytetarëve në sistem dhe është e qartë se çdo të thotë kjo dhe se çfarë avantazhesh të mëdha ka për qytetarin. Ne do të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar këtë, sikundër do të bëjmë gjithçka që të mos jetë vetëm aksesi dhe rradha por të jetë cilësia, të cilën qytetarët gjejnë. Duke patur një akses të tillë, një kohë të shkurtër ne kemi mundësi të përqendroheni në cilësinë  e këtij takimi të parë, urgjent ose jo urgjent qoftë ajo, e cila ka një rrezatim të fuqishëm mbi zhvillimet e mëpasme në jetën e këtij qytetari, të këtij fëmije, të këtij burri, gruaje, apo cilitdo që të jetë.

Ne kemi sektorë për të zhvilluar. Unë ju them se për ju dhe për mua një nga arritjet më të mëdha të jetës sonë është rënia e vdekshmërisë foshnjore në njëshifrore. Kjo përbën një arritje për një komb, për një vend, një arritje  e cila në të gjithë njohuritë e mija nuk ekziston një tregues më i ndjeshëm se ky. Duke u arritur kjo shtrohen një seri detyrash të tjera përpara nesh, ndër të cilat detyra më kryesore është të bëjmë gjithçka për të arritur nivelet më të ulëta të tij në botë. Por kjo është shumë  e vështirë sepse kjo kërkon trajtimin e atyre faktorëve që kanë mbetur më kryesorë të tij. Kërkon përpunimin, zhvillimin  e sektorëve të rinj, në mënyrë që të mbrojmë  me të gjithë mjetet e kohës jetën e çdo të porsalinduri, kërkon ndërhyrje. Ministri i shëndetësisë ka marrë porosi që së bashku me ju të shqyrtojmë të gjitha kërkesat dhe mundësitë. Nuk ka qëllim më fisnik se sa të mbrojmë, të garantojmë të drejtën për të jetuar, çdo fëmije që lind. Ne kemi një problem që po vjen në përmirësim. Problemi unë më madhor nuk vjen nga mungesa e specialisteve, pasi ne kemi patur specialistë të shquar në të gjitha fushat, njerëz me një përkushtim të madh, gra dhe burra që kanë shkrirë jetën e tyre në shërbim të të sëmurëve, që kanë ngritur sektorë të tërë, që kanë degëzuar sistemin në përputhje me kërkesat. Probkemi ynë ka qenë menaxhimi. Ne erdhëm nga sistem shumë i keq menaxherial dhe pa menaxhim nuk ka sukses. Çelësi i çdo suksesi është menaxhimi.

Janë bërë disa hapa përpara të suksesshme. Dekani i ri më dërgon një projekt për të hapur një degë apo fakultet për menaxhimin shëndetësor. E mbështes plotësisht. Nuk mund të përballohen nevojat shëndetësore pa një menaxhim të mirë. Është i gabuar mendimi se do të mund të përballohen duke rritur vazhdimisht buxhetin. Ato do të mund të përballohen plotësisht, duke shfrytëzuar në mënyrën më rracionale, fondet  e disponueshme. Duhet të përgatiten një rradhë e re menaxherësh, të cilët të kenë përgjegjësitë  e menaxhimit të këtij sistemi. Ne po ndërmarrim në të gjitha sistemet dixhitale të vendit, më të kushtueshmin në sistemin e shëndetësisë dhe kjo vetëm për të krijuar të gjithë potencialet dhe mundësitë për një menaxhim sa më të mirë të këtij sistemi, por përgatitjet në këtë drejtim të kuadrove, angazhimi në këtë drejtim i kuadrove të shëndetësisë për të kontraktuar njohuritë në këtë fushë, është jetike për të garantuar suksesin në vazhdim të kujdesit shëndetësor.

Ne jemi në një reformë dhe ne do të ecim me reformën, por duke patur gjithnjë parasysh se reformat kudo janë “perpetum mobile” dhe ky është kushti i zhvillimit. Më shumë se kudo ato janë në sistemin shëndetësor, ndaj dhe së bashku të mendojmë për një reformim në mënyrë sa më të thellë, në mënyrë që ta bëjmë një sistem në lartësinë e misionit të tij fisnik.

Kemi një bazë të shkëlqyer, ne nuk jemi një vend i zhvilluar sot, por ne po ecim drejt vendeve të zhvillura me vendosmëri. Ajo çka është pozitive se në këto 4 tregues themelorë të një shoqërie, të një kombi ne grupohemi me vendet e zhvilluara. Ne kemi vdekshmërinë foshnjore njëshifrore, kemi vdekshmërinë amtare në vite të caktuara, ndër më të ulëtit në botë dhe kjo është në  meritën e madhe të familjeve shqiptare, të nënave shqiptare , por edhe në sistemin shëndetësor të vendit.

Studimet e fundit të mortalitetit global faktojnë se Shqipëria ka një mortalitet tërësor më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste, se me këtë mortalitet Shqipëria renditet në grupin e vendeve ë zhvilluara. Natyrisht këto janë arritje që duhet të na frymëzojnë për kapur horizonte të reja.

Edhe njëherë unë ju përgëzoj për këtë konferencë që keni organizuar dhe ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka që direktivat, projektet, strategjitë që ju përpunoni me ministrinë  e shëndetësisë të konkretizohen dhe të shndërrohen në realitet për qytetarët shqiptarë.


11/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›