E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtoreshën e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën Zsuzsanna Jakab

Kryeministri Berisha priti në takim, Drejtoreshën e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën, zonjën Zsuzsanna Jakab.

Zonja Jakab falenderoi Kryeministrin për pritjen dhe i shprehu përgëzimet e vlerësimet për zhvillimet e arritjet në vitet e fundit, në veçanti në fushën e shëndetësisë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm, kontributin konkret e projektet e suksesshme të OBSH-së në Shqipëri.

Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për kuadrin e ri të politikave shëndetësore të OBSH-së, Shëndeti 2020, shëndeti në gjithë politikat. Më pas, Kryeministri bëri një përshkrim të reformave të ndërmarra në shëndetësi dhe arritjet në fushë. Ndër të tjera, ai theksoi se qeveria ka realizuar dhe do të realizojë reforma në fusha të tjera, të cilat i shërbejnë forcimit të shëndetit dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor.

Zonja Jakab, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e Kryeministrit në këtë tërësi reformash, shprehu vlerësimet për rezultatet në disa nga indikatorët më të rëndësishëm si ai i vdekshmërisë foshnjore, i cili në të dhënat e OBSH-së është në nivele njëshifrore, vdekshmërisë amtare etj.. Znj. Jakab u shpreh se modeli i vaksinimit në Shqipëri është një vlerë edhe për rajonin e më gjerë, ndaj duhet mbajtur.

Kryeministri Berisha theksoi gjatë takimit, se ndonëse është bërë shumë, qeveria do të vazhdojë të mbajë në fokus, parandalimin e sëmundjeve, stimulimin e një stili jete të shëndetshëm të popullatës, promocionin, forcimin e sistemit aktual, edukimin në vazhdim të punonjësve të shëndetësisë, sëmundjet e transmetueshme dhe jo të transmetueshme, zbatimin e ligjit të duhanit, sëmundjet kardiake, strategjinë e kancerit, shëndetin mendor, forcimin e kujdesit parësor, informatizimin e sistemit, forcimin e sistemit të vaksinimit, kujdesin dhe trajtimin e sëmundjeve të lindura etj..

Drejtoresha e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën Zsuzsanna Jakab shprehu mbështetjen maksimale të reformave të ndërmarra dhe nismave të ardhme të qeverisë shqiptare.


11/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›