Qeveria miraton statusin dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të AMSHC
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për statusin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), si dhe procedurat dhe rregullat për kandidimin dhe përzgjedhjen e anëtarëve të bordit mbikëqyrës së kësaj Agjencie.
Kryeministri Berisha, duke e konsideruar shoqërinë civile si një kolonë jetike e funksionimit të demokracisë, tha se Shqipëria është ndër vendet që ka miratuar ligj që detyron qeverinë të mbështesë shoqërinë civile.
“Pas këtij ligji, është bashkëpunuar me vende mike dhe institucione ndërkombëtare, - p.sh GTZ -ja ka dhënë një ndihmë të shkëlqyer dhe unë u jam shumë mirënjohës - është krijuar ky institucion, në mënyrë që të kemi të bëjmë me një veprimtari të paanshme,” tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha tërhoqi vëmendjen dhe kërkoi që në këtë drejtim përparësi absolute t’i jepet shoqërisë civile e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe në mbështetje të viktimave të trafikut apo të dhunës kundër grave dhe fëmijëve.
“Qeveria duhet të paguajë që ta kritikojnë, ta sulmojnë, ta qortojnë për problemin e korrupsionit, administratën dhe kjo, sado që nuk mund të them se është e pëlqyer, është absolutisht shumë e dobishme. Përparësia e dytë duhet të jetë për shoqërinë civile që merret me problemet delikate të trajtimit të viktimave të trafiqeve, të dhunës kundër grave, fëmijëve. Edhe në të gjitha fushat e tjera, por këto të dyja do t’i veçoja si fushat më prioritare. Fusha e dytë ka aspektin më të fuqishëm njerëzor dhe është shumë e domosdoshme. Mua më vjen shumë mirë që ne realizuam këtë objektiv, që është një premtim që mbahet. Po ashtu fusha e parë, që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, është jetike. Konsolidimi i mbikëqyrësit të fenomenit të korrupsionit nga shoqëria civile është kusht përcaktues për suksesin e kësaj lufte. Lufta kundër korrupsionit është universale, por në analizën që bën ëatchdog-u botëror e më i besueshëm Transparency International këshilla kryesore është fuqizimi i shoqërisë civile për mbikëqyrjen dhe rrjetëzimi i saj. Nuk ka korrupsion vetëm në Tiranë, por kudo dhe duhet të ketë sa më shumë zëra kundër tij në të gjitha nivelet dhe zërat më të besueshëm e të mirë janë ato që vijnë nga shoqëria civile. Do të punohet gjithashtu, por kjo nuk është e shoqërisë civile, që të rrjetëzohet sistemi i denoncuesve të korrupsionit edhe më mirë. Për këtë po merret një ekspertizë e huaj e shkëlqyer,” u shpreh Kryeministri, duke e konsideruar korrupsionin një kancer të pamëshirshëm, që nëse nuk e lufton, të kaplon.
15/07/2009