E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do të miratojë së shpejti një kuadër ligjor në mbështetje të arsimit privat

Kryeministri Berisha tha sot se qeveria do të përgatisë së shpejti një kuadër ligjor që mbështet fuqizimin e pjesëmarrjes së sektorit privat në sistemin e arsimit kombëtar. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Arsimit dhe Shkencës të nisë përgatitjen e shpejtë të këtij kuadri ligjor që do të mbështesë fuqishëm arsimin privat.   

“Zoti Ministër, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, do të përgatisni kuadrin ligjor, ku, si hap fillestar, duhet të japim tokë për shkollat. Çdo vit që kalon shteti, cilido qoftë ai, në një vend që zhvillohet bëhet gjithnjë e më i vogël në raport me sektorin privat, fuqia e të cilit është e pakrahasueshme me shtetin dhe sektorin publik. Ndaj duhet t’i japim një frymëmarrje më të madhe sektorit privat dhe të fillojmë të identifikojmë tokë publike në zonat përreth Tiranës apo në zona të tjera dhe ta ofrojmë për shkolla, për universitete, shkolla profesionale, praktikë kjo e afirmuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë do të vlerësoja këtu studimin e shpejtë dhe paraqitjen e një kuadri për pjesëmarrje akoma edhe më të gjerë të sektorit privat në sistemin e edukimit kombëtar. Koha është më e ngutshmja, ndaj duhet sa më shpejt të fillojmë me serinë e vendimeve,” u shpreh Kryeministri.

Për krijimin e këtij kuadri, Kryeministri Berisha tha se do të studiohen praktikat e suksesshme të pjesëmarrjes më të gjerë të sektorit privat në arsim.

“Qeveria, - u shpreh Kryeministri - do të studiojë praktikat e pjesëmarrjes më të thellë dhe një ndër këto vende është Kili, i cili, bazuar në parimet e shkollës së Çikagos, ia doli të realizojë pjesëmarrjen më të thellë. Ne duhet të nxitojmë, sikundër duhet të nxitojmë në sektorin shëndetësor. Me qëndrime të integruara, të mos e shohim si të njerkës, por si një sektor të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve. Sot ka një revolucion të vetëm dhe ky është revolucioni i shërbimeve, i cili duhet të ketë rezultat përfundimtar të drejtën e qytetarit për të zgjedhur shërbimin. Nuk mund të themi se kjo mund të bëhet me shpejtësi, por nuk ka qëllim më fisnik se të luftohet për të.”


15/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›