Kryeministri Berisha: Rritja ekonomike u shndërrua në rritje të mirëqenies për qytetarët

Kryeministri Berisha, duke bërë sot, në mbledhjen e qeverisë, një analizë të ecurinë ekonomike të vendit, u shpreh se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe bazohet në një model të suksesshëm, ndërsa theksoi se ekonomia do të vazhdojë të jetë çështje e parë e qeverisë. Në tremujorin e tretë të vitit 2012, tha Kryeministri, rritja ekonomike është 2.7 përqind. Kjo rritje është shndërruar në rritje të pagave, pensioneve, të fuqisë blerëse, investimeve publike dhe në mirëqenie për qytetarët, e mbështetur kjo edhe nga përfundimet e raporteve ndërkombëtare, që e rendisin Shqipërinë në vendin e 4-t në botë përsa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët.
“Një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, grupi i Bostonit, pasi kalkulon koeficientet e vlerësimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, njëri prej të cilëve konsiston në shndërrimin e pasurisë në mirëqenie dhe tjetri konsiston në shndërrimin e rritjes në mirëqenie, bazuar kjo analizë për të parin në 36 tregues dhe për të dytin në 51 treguesit më kryesorë, e vendos Shqipërinë në vendin e 4-t në botë përsa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët,” – tha Kryeministri.
Çdo kilometër rrugë që ndërtohet, u shpreh Kryeministri, është një hap në mirëqenien e qytetarëve ku kalon rruga, është kursim në shpenzimet e tyre, është mbështetje për tregtinë e produkteve të tyre, është para së gjitha një korridor tregu.
Kryeministri Berisha i konsideroi keqdashëse deklaratat për rënien në krizë të ekonomisë shqiptare, duke nënvizuar se ata mendojnë se “duke ndjellë krizë marrin vota, ose bëhet nga injoranca, nga njerëz që me filxhanin e kafesë flasin për ekonomi pa pasur qoftë edhe nocionin më elementar të rritjes e recesionit.” Kryeministri tha se me propozimet e saj për taksën progresive dhe agjencinë speciale të taksave, Partisë Socialiste e kryetari i saj zoti Edi Rama kanë zgjedhur si slogan: Mbrapa!
Kryeministri theksoi se qeveria beson fort se përballimi me sukses i krizës është mbështetja gjithnjë e më e madhe për biznesin, duke kërkuar të shihen të gjithë mundësitë për lehtësimin dhe mbështetjen e tij. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Bujqësisë dhe Ministrit të Turizmit të shohin mundësitë për zgjerimin e përfituesve nga fondi grant i qeverisë, nga i cili aktualisht përfitojnë kryesisht projektet për ullirin dhe drurët frutorë, edhe të projekteve për agrobiznesin dhe ekoturizmin.
Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë.
“Mbledhja e qeverisë ka një seri çështjes, por kryefjala e kësaj mbledhjeje është ekonomia, e para, e dytë dhe e tretë. Kjo krizë e thellë që ka pllakosur Europën e jo vetëm, por edhe ekonomitë më të mëdha të vendeve më të zhvilluara, natyrisht, sfidë absolute ka përballjen e saj. Vitin që shkoi Eurozona pati një rënie të dytë, të madhe. Ekonomia lokomotivë e Europës fatmirësisht nuk ra në recesion, por tremujorin e mbylli me një rritje prej 0.7 përqind. Kjo u konsiderua e konsiderohet një lajm pozitiv, pasi një rënie e saj në recesion do të kishte pasoja edhe më të mëdha për Eurozonën dhe mbarë Europën.
Po rritja e ekonomisë shqiptare si ishte? Tremujori i tretë i ekonomisë shqiptare pati një rritje prej 2.7 përqind. Kjo rritje përbën një sukses të madh, të vërtetë, për të gjithë ata që kanë konceptet më elementare të ekonomisë, të rritjes, të recesionit, të krizës; përbën përballjen më të suksesshme në rajon, por edhe në Europë, me krizën aktuale; përbën dëshmi të suksesit të reformave të këtij vendi, të afirmuara tashmë botërisht edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Pak ditë më parë, unë prita në zyrën time Drejtorin Rajonal të FMN-së, që edhe është përfaqësuesi i Shqipërisë dhe i disa vendeve të tjera në Bordin e këtij institucioni. Ai më njohu me një veprim të tij. Më tha: U njoha me të dhënat e Shqipërisë, pasi mora rishtas këtë detyrë dhe u impresionova nga të dhënat. - Fondi ndërtohet nga anëtarët e Bordit që janë përfaqësues të vendeve dhe nga administrata - Kur konstatova se në pesë vite, ky vend ka kontrolluar Bordi në mënyrë kaq të qëndrueshme, plus/minus 2 përqind, bëra një debat me zyrtarë. Por një diskutim në interesin më të mirë bëra me kryekonomistin e Fondit Olivier Blanchard, një ndër ekonomistët më të mëdhenj të botës, me të cilin diskutova për dosjen e Shqipërisë. Në një mendim të shprehur me shkrim, ai ndau më vonë të njëjtin mendim më mua, për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
E vërteta është se jo drejtori i Bordit, por përfaqësuesi i administratës së Fondit për Shqipërinë, në intervistën e tij të fundit, në mënyrën më të përsëritur, tiparin më kardinal të kësaj ekonomie shpreh qëndrueshmërinë. Gjë, e cila korrespondon plotësisht me raportin e një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, grupit të Bostonit. Ky grup, pasi kalkulon koeficientet e vlerësimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, njëri prej të cilëve konsiston në shndërrimin e pasurisë në mirëqenie dhe tjetri konsiston në shndërrimin e rritjes në mirëqenie, bazuar kjo analizë për të parin në 36 tregues dhe për të dytin në 51 treguesit më kryesorë, e vendos Shqipërinë në vendin e 4-t në botë përsa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët. Nuk ka e nuk mund të ketë tregues qëndrueshmërie më të thellë, në kuptim më absolut të fjalës, sesa aftësia politike, suksesi i shndërrimit të rritjes në mirëqenie, e cila dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër për të gjitha reformat, suksesin e tyre dhe politikat ekonomike që ke ndjekur dhe që ke arritur që pasurinë që krijohet ta shndërrosh në mirëqenie, ta shndërrosh në rroga, pensione, rrugë, shkolla, spitale, ujësjellës, kanalizime dhe zhvillimin jeshil për qytetarët e vendit tënd. Ky është thelbi.
Po të kemi parasysh se tremujorin e parafundit, në këtë kohë krize e stuhie të madhe, kur edhe ekonomia kryesore e Europës pati një rritje vetëm 0.7 përqind, ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 2.7 përqind dhe Shqipëria renditet në vendin e 4-t në botë, për shndërrimin e kësaj rritje në mirëqenie për qytetarët e saj, pra, në shpërndarjen e saj në të gjitha fushat me impaktin më të madh në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në raportin e tij, FMN vlerëson në mënyrën më të qartë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Natyrisht Fondi bën rekomandime, por, në këtë rast, dua të theksoj një gjë: parashikimet e Fondit për rritje ekonomike nuk janë asnjëherë përllogaritje. Fondi bën një përllogaritje, por bën përllogaritjen e Institutit të Statistikave. Për muaj e vite, Fondi ka pasur në këtë Institut përfaqësuesin e tij dhe u them shqiptarëve se çdo statistikë që prodhohet në këtë Institut shkon në çdo institut statistikash në botë. Ne nuk kemi asnjë sekret, përkundrazi, jemi shumë të hapur. Kështu që i gjithë debati ose bëhet nga keqdashja, sepse mendojnë se duke ndjellë krizë marrin vota, ose bëhet nga injoranca, nga njerëz që me filxhanin e kafesë flasin për ekonomi pa pasur qoftë edhe nocionin më elementar të rritjes e recesionit. Duke theksuar këto absolutisht nuk injorohen vështirësitë, por rritja në një stuhi të tillë, prej 2.7 përqind, disa herë më e madhe se vendeve të rajonit dhe vendeve të tjera, përbën një fat të vërtetë për Shqipërinë, përbën një sukses të madh të reformave të ndërmarra në këtë vend, përbën gjithashtu një garanci të madhe për qëndrueshmëri ekonomike, pasi kjo qeveri ka vendosur modelin ndër më të suksesshmit, të shndërrimit të saj në mirëqenie për qytetarët.
Në media është folur shumë se ka rënë fuqia blerëse. Një ditë një gazetar shkoi tek një shitës kolltukësh, i cili ankohej se nuk kishte shitur. Por edhe në kulmin e lulëzimit, dikush shet, dikush dështon. Ky është ligji i këtij sistemi. Pranë teje hapet një dyqan tjetër që i shet ato më të mira e më të lira se ti. Por një gjë është e sigurt: Xhiroja e përgjithshme e shitjeve për 9 muajt e para të viti 2012 në vend është rritur me 7.8 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, që kishte një rritje prej 3.2 përqind.
Të dashur qytetare e qytetarë,
Xhiroja e përgjithshme e sipërmarrjes shqiptare është një tregues, i cili kurrë nuk është më i vogël sesa deklarohet, përkundrazi, është më i madh, sepse as edhe një biznes i vetëm nuk ka asnjë lloj interesi që të deklarojë një xhiro më të madhe se ajo që realizon. Në të kundërt, ka prej tyre që deklarojnë një xhiro më të ulët se realja, për shkaqe të njohura tashmë, të evazionit. Por xhiron më të lartë nuk e deklaron kush. Imagjinoni, bilancierët që drejtohen nga anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, zonja Berberi, se çfarë dëshire kanë!
U ndala në këto, për të theksuar se, në këtë sfidë të madhe që përbën kriza, modeli ynë ekonomik funksionon absolutisht me sukses. Model që garanton rritje, qëndrueshmëri, shpërndarje e shndërrim të rritjes në mirëqenie për qytetarët, një model që në doktrinë gërsheton në mënyrën më të shkëlqyer standardet më liberale me shpërndarjen më të ndershme, në shndërrimin më të fuqishëm të rritjes në mirëqenie për qytetarët. Çdo kilometër rrugë që ndërtohet është një hap në mirëqenien e të gjithë qytetarëve ku kalon rruga, është kursim në shpenzimet e tyre, është mbështetje për tregtinë e produkteve të tyre, është para së gjitha një korridor tregu. Rrugët janë para së gjithash korridore të tregut, të energjisë që zhvillohet në shoqëri. Çdo investim që është bërë ka ndikuar në mirëqenien e qytetarëve.
Zotërinj ministra, besimi ynë i palëkundur dhe parimi ynë i shpallur se ne do të përballojmë me sukses krizën duke mbështetur biznesin duhet të thellohet më tej. Këtë vit, ne e nisëm me hyrjen në fuqi të ligjit që hoqi TVSH-në për makineritë për prodhim të të gjitha llojeve të bizneseve. Unë jam i sigurt se me këtë kemi bërë një nga hapat më të rëndësishëm në revolucion tonë fiskal, pas vendosjes së taksës së sheshtë. Por a mund të ndalemi me kaq? Abolutisht jo. Ne duhet të shohim çdo gjë ta ndihmojmë biznesin.
Zoti ministër i Bujqësisë dhe zoti ministër i Turizmit, ne kemi një fond grant që e përdorim kryesisht për dy projektet madhore, të ullirit dhe arrorët, mollën e drurë të tjerë frutorë. Është e nevojshme që në këtë grant të përfshijmë edhe agroturizmin dhe turizmin ekologjik. Industria turistike është shndërruar sot në degën kryesore të ekonomisë. Dhe kjo jo me indiferencën tonë, por me investimet tona më maksimale, më të jashtëzakonshme, por duhet që ta thellojmë më tej këtë. Ndaj do të shohim si ta organizojmë e shtojmë fondin, si të japim grante edhe për projekte agroturizmi apo për projekte ekoturizmi.
Unë solla një aspekt, por ka qindra mundësi të tjera për të lehtësuar, mbështetur e zhvilluar biznesin, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë gjithnjë e më shumë vende pune. Të shndërrosh pasurinë e rritjen në mirëqenie do të thotë para së gjithash të krijosh vende pune, krahas rritjes së rrogave e pensioneve. Ndaj ne rezultojmë vendi i vetëm, në të cilin papunësia jo vetëm që nuk është rritur, por është ulur, sipas Komisionit Europian.
Unë e dëgjoj zotin Rama një ditë të thotë poshtë Koleka, ditën tjetër thotë rroftë Koleka! Ishte ai që deklaroi se nuk e ka dajë, - në fakt e ka, por kjo nuk ka rëndësi, pasi e drejta e ndryshimit është e drejtë e çdo njeriu, - por u kthye sërish tek Koleka, tek taksa progresive. Ja kjo është politika e tij, si të shkatërrojë vendet e punës. Po ta ndiqni këtë filozofi është shumë interesante. Zoti Rama foli për agjenci speciale për taksat. Askush prej jush këtu nuk ka lexuar siç kemi qene ne të detyruar të lexojmë për NEP-in, për politikën e taksave të veçanta të Leninit, pas Revolucionit të Tetorit, për të zhveshur të pasurit, për agjencinë speciale të Leninit për politikën e NEP-it. Dhe NEP nuk ishte gjë tjetër veçse politika e rrjepjes së bizneseve dhe shkatërrimit të tyre. Çfarë është agjencia speciale? Asgjë tjetër, veçse do militantë specialë, forca speciale. Zoti Rama është unik në doktrinën e tij. Por më duhet t’i them, meqenëse ka maninë ose të imitojë pikëpërpikë, ose të bëjë të kundërtën, se tani ke përzgjedhur për slogan: Mbrapa! Ne përpara, ai mbrapa, sepse me këto që premton, mbrapa shkohet. Me taksën e Kolekës shkohet në ’45, po ashtu me agjencinë speciale të taksave me paramilitarë, në kohën e pas luftës. Këtë u premtoi biznesit zoti Rama. Por me këto shkohet mbrapa, jo përpara.
U ndala në këto probleme për të theksuar se ekonomia është, mbetet e do të jetë para, e dyta, e treta.”
16/01/2013