E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Programit të Informatizimit të Shërbimeve Postare e Financiare

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e 100 - vjetorit të Postës Shqiptare. Gjatë kësaj ceremonie u prezantua programi i informatizimit të të gjitha shërbimeve postare dhe financiare të Postës Shqiptare, si dhe inaugurimi i shërbimit më të ri të quajtur “Postieri Dixhital”, nëpërmjet të cilit do të kryhen shërbimet postare e më vonë shërbimet financiare, atje ku është klienti. 

Pasi vizitoi ambientet e qendrës së monitorimit, prej nga kontrollohen dhe koordinohen të gjitha të dhënat dixhitale që vijnë nga çdo skaj i vendit, Kryeministri Berisha vlerësoi përmirësimin e cilësisë së shërbimeve nga ana e Postës Shqiptare, e cila u ofron qytetarëve rreth 90 shërbime në standardet më të larta dhe më të sigurtat që ekzistojnë në Evropë apo në botë. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se posta është shndërruar edhe në një shtyllë kryesore të Shqipërisë dixhitale.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Postës së Europës, Zv/drejtori i Përgjithshëm i Postës së Sllovenisë, drejtues të Postë-Telekomit të Kosovës, drejtues së Postës së Maqedonisë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Është një nder i madh për mua t’ju uroj juve sot dhe të festoj së bashku me ju 100 vjetorin e themelimit të shërbimit postar, i cili u themelua në datën 5 dhjetor 1912 nga qeveria e parë shqiptare, pas shekujsh, qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë. Së bashku me ju dëshiroj të përulem me nderimin më të madh ndaj atyre mijëra grave e burrave që në një shekull shkrinë energjitë e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Merita më e madhe u takon pionierëve të këtij shërbimi, të cilët në një Shqipëri pothuajse tërësisht pa sistem rrugor kanë kapërcyer rreziqe dhe vështirësi, jo rrallë kanë lënë edhe jetën e tyre, në përmbushje të misionit fisnik të lajmëtarit, të postierit. Dua të theksoj këtu se në këtë 100 vjetor ju, punonjësit e Postës Shqiptare dhe drejtuesit e saj, vini krenarë për standardet më të larta të shërbimeve që keni vendosur. Këto standarde janë vepër e juaja, e drejtuesve tuaj, e vizionit të tyre, realisht, këto pak vitet e fundit. Shërbimi postar është një shërbim themelor në një shtet, është një detyrim madhor i ofrimit të tij për qytetarët. Në Shqipëri ky shërbim përballohet nga sektori publik, sikundër ne jemi të hapur dhe ekziston edhe sektori privat. Gjykoj se përpjekjet e jashtëzakonshme që u bënë këto 5 - 6 vite nxorën sektorin publik, ashtu sikundër edhe duhet të jetë, lider në shërbimin postar të vendit. Sot, ky shërbim kryhet në 550 zyra në mbarë vendin. Posta Shqiptare u ofron qytetarëve rreth 90 shërbime në interesin e tyre më të mirë. Sot Posta Shqiptare i ofron këto shërbime në standardet më të larta, më të sigurtat që ekzistojnë në Evropë apo në botë.

Posta Shqiptare është shndërruar në një avangardë të vërtetë të aplikimit të teknologjive më të avancuara. Unë pak minuta më parë isha dëshmitar i inaugurimit të shërbimit “Postieri Dixhital”, një mrekulli e vërtetë. Ne bëmë përpjekje të mëdha që një sistem të ngjashëm ta instalojmë rreth dy vjet më parë për lejet dhe licencat, të cilat përbëjnë një numër shumë të kufizuar dokumentesh. Ndërsa këtu, ky sistem funksionon për qindra, mijëra e miliona dokumente, të cilat kanë të bëjnë me qytetarin shqiptar, pa kufij. Unë vizitova sallat e këtij shërbimi, serverët gjigandë e të fuqishëm që përballojnë çdo ngarkesë, dëshmi kjo e një vizioni të shkëlqyer, por edhe një kompetence të admirueshme të punonjësve të postës në menaxhimin e kësaj teknologjie. Nuk ka shërbim më të sigurt për qytetarin sesa shërbimi që i bën të mundur ndjekjen e dokumentit, letrës, çekut apo faturës së tij në të tërë trajektoren që ajo ndjek. Këtë e ofron tërësisht Posta Shqiptare.

Posta është shndërruar në një shtyllë kryesore të Shqipërisë dixhitale. Vetëm dhjetë ditë më parë ne së bashku me kryeministrin e Kosovës inauguruam në Qafë Morinë “Autostradën Dixhitale”, e cila rrit fluksin e internetit nga 30 Gbps në 130 Gbps. Pra një shumëfishim të menjëhershëm, duke garantuar për qytetarët që lundrojnë në internet shpejtësitë më të mëdha, spektrin më të gjerë, sigurinë më të madhe. Posta, në interes të qytetarëve, furnizon me internet falas në 550 pika. Por posta ka përgatitur dhe brenda dy javëve inaugurojmë edhe 700 pika të tjera, në mënyrë që të shërbehen me internet falas qytetarët në të katër anët e vendit. Përveç kësaj, posta si furnizues kryesor i internetit është e angazhuar, në interesin më të mirë publik, ta ofrojë atë me çmimet më të ulëta në Evropë.

Edhe një herë ju përgëzoj shumë përzemërsisht. Dua të theksoj se në rast se në këtë vend në 100 vjet me shumë të drejtë do të prisnim që Shqipëria të ishte shumë më lart seç është sot, por që e penguan në mënyrën më serioze diktaturat, pushtimet, luftërat dhe bënë që ajo të ketë një histori të shkurtër lirie, në një afat të shkurtër 20 vjeçar ajo ka arritur më shumë se çdo vend tjetër mund të ketë arritur në një kohë prej dy dekadash. Ndërsa ju jeni ndër ata sektorë që keni kapur në këto 100 vjet nivelet më të larta të shërbimit postar në Evropë e kudo. Ju duhet të ndiheni krenarë. Qytetarët shqiptarë janë krenarë dhe mirënjohës për këto arritje të shkëlqyera tuajat, në interesin më të mirë të tyre.

Faleminderit!”


05/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›