Kryeministri Berisha: Shkodra dhe Shqipëria do kenë 10 herë më shumë investime, në 4 vitet e ardhshme

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Shkodrës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Europa blu! Shkodra blu! Shqipëria blu! Rroftë Shkodra!
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Është nderi i madh për mua të përulem para jush me mirënjohje të thellë, me respektin më të madh për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i dhatë demokracisë shqiptare dhe Partisë Demokratike. Shkodra në Shqipëri, në Ballkan, në Europë është vizioni i demokracisë, është simboli i qëndresës njerëzore për nder, për dinjitet, për familje, për atdhe.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Gëzimi ynë sot, në këtë takim me ju, është më i madh se kurrë, sepse sot takohemi së bashku, pasi një prej ëndrrave tuaja më të mëdha, ëndërr për të cilën ju sakrifikuat më shumë se kush do tjetër, u bë realitet. Shkodra në NATO, Shqipëria në NATO, kjo ishte ëndrra jonë, që së bashku e shndërruam në realitet, por që pa qëndresën tuaj, pa mbështetjen tuaj ky horizont do ishte më larg se kurrë.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës
Katër vite, me besimin tuja të madh, me shpresat tuaja si energji e pashtershme, ne ia dolëm ta ndryshojmë Shkodrën, ia dolëm ta ndryshojmë Shqipërinë. Këto katër vite, ne, së bashku, ia dolëm të lartësojmë më shumë se kurrë emrin dhe dinjitetin tonë si shqiptarë, emrin e Shqipërisë. Shqipëria u bë anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur. Shqipëria aplikoi për anëtare në Bashkimin Europian, djepin e vokacionit tonë perëndimor. Shqipëria ia doli të dalë në krye të Europës për rritjen ekonomike. Shqipëria ia doli të renditet e dyta në botë për suksesin klimës së biznesit. Shqipëria ia doli që reformat e saj të marrin firmën, certifikatën e vendeve më të zhvilluara të Europës. Kjo është meritë e juaja, meritë e përkushtimit tuaj ndaj vlerave të Shkodrës e mbarë Shqipërisë.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Këto katër vite, në këtë qytet dhe qark janë bërë dhjetëra e qindra investime. Por unë jam këtu për t’ju dhënë juve fjalën se katër vitet që vijnë ato do t’i harrojmë, se dhjetë herë më shumë do të investojmë në Shkodër, dhjetë herë më shumë do investojmë në mbarë Shqipërinë. Shkodra do të shndërrohet në një metropol të fuqishëm, në madhështinë e shpirtit të saj. Shkodra do ketë infrastrukturën rrugore të qytetit, të qarkut, kombëtare dhe ndërkombëtare, nga më të rejat e modernet të Europës. Më 18 qershor, ne inaugurojmë rrugën Shkodër-Hani i Hotit, së shpejti do inaugurojmë Velipojë-Ulqin, së shpejti rrugën Koman-Fierzë, së shpejti Bypass e Shkodrës dhe unazën e liqenit tuaj madhështor, do ta bëjmë unazën më të bukur, që do llamburitë ditë e natë nga dritat.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Shpirti juaj krijues, shpirti juaj punëtor e ndryshoi Shkodrën në katër vite. Mijëra e mijëra sipërmarrje të vogla e të mesme janë hapur në qytetin tuaj, mijëra kantiere të tjera janë dhe do të hapen.
Ju, qytetare e qytetarë të Shkodrës, keni qenë euroianë në shpirt, në zemër, në kulturë dhe në çdo gjë, në shekuj e mijëvjeçarë. Sot, për të realizuar ëndrrën tonë, vendin që meritojmë mes kombeve të zhvilluara të Europës, na duhet zhvillim, zhvillim dhe vetëm zhvillim. Unë jam këtu për t’ju dhënë ju fjalën se Shkodra e qarku i saj do t’i japim infrastrukturë të plotë europiane, se Shkodra dhe qarku i saj do të ketë ujë 24 orë, se Shkodra do jetë një nga epiqendrat kryesore turistike të Shqipërisë dhe Ballkanit, se Shkodra do jetë epiqendër kryesore e vendit për dijen e shkencën. Katër vitet që vijnë, qytetare e qytetarë të Shkodrës, ju premtoj ju se do bëj që ju të paguheni për paga e pensione më mirë se qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të BE-së.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
kryefjala e Shkodrës evropiane, e Shqipërisë europiane është dhe do mbetet punësimi juaj. Jam sot për t’u zotuar se në dy parqet e mëdha industriale të Shkodrës dhe Koplikut, se në dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera industriale, në hidrocentralet e shumta të këtij qarku, në rrugë e autostrada, në bizneset në Shkodër e Shqipëri do punësohen 160 mijë qytetarë shqiptarë.
Fermerëve të mrekullueshëm të Shkodrës ju garantoj se qeveria ime do të subvencionojë çdo projekt të tyre nga vera Kallmet tek ulliri, nga vreshtat tek bimët e arave. Ju, fermerë të Shkodrës e mbarë Shqipërisë do të takoheni me Europën si fermerë europiane. Ky është zotimi ynë.
Kam ardhur këtu me qindra herë, por ky është takimi më madhështor që ne zhvillojmë në këtë shesh. Ju sot nuk keni dalë për Sali Berishën se ai është miku juaj, keni dalë për Europën, për Shkodrën europiane, për Shqipërinë europiane, për vokacionin tuaj, për besimin tuaj.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
28 qershori po vjen. Më 28 qershor, shkodranët, shqiptarët do rikthejnë lavdinë elektorale të 22 marsit ‘92. Sot më shumë se kurrë, sepse sot ne jemi vend anëtar i NATO-s, sepse sot ne kemi ritmet më të mëdha të ndryshimit, sepse sot ne shkojmë të sigurt drejt Shkodrës evropiane, drejt Shqipërisë europiane. Ndaj thirrja ime vëllazërore për ju të gjithë është të merrni letërnjoftimet e reja, si dëshminë moderne e teknologjisë më të larët e identitetit tonë, barazohemi kështu me qytetarët e vendeve më të zhvilluara. Sot, në emrin tuaj, të të gjithëve që jeni në këtë shesh, në emër të mbarë shqiptarëve, ju drejtoj një thirrje vëllazërore të gjithë zgjedhësve shqiptarë, të të gjitha bindjeve, socialistë e të tjerë, bashkohuni me ne, se Europa, projekti ynë europian ka vend për të gjithë, projekti ynë europian ju do ju të gjithëve, se ëndrrën tonë europiane duam ta ndajmë me çdo shqiptar, se ëndrra jonë nuk ka kthim, ajo është ëndrra më e bukur dhe fisnike e çdo shqiptari dhe e kombit shqiptar.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Këtu ishte edhe kreu i Partisë Socialiste. Më lejoni t’i adresohem me këto fjalë. Shkodra zemrën e ka të hapur, Shkodra ka pluralizmin politik dhe vlerat e demokracisë të shenjta. Shkodra është e gatshme të të falë ty edhe votën që bërë në parlament kundër ligjit të dënimit të krimeve të komunizmit. Shkodra është në gjendje të të falë ty edhe votën kundër ligjit në parlament për kompensimin e të përndjekurve, por Shkodra ka një kusht me ty: respekto atë që dje ti citove nga Hil Mosi, oksidentalizmin e Shkodrës. Shkodra, zoti Rama, të kërkon ty të dalësh në krye të listës së deputetëve të tu, të mos u kërkosh shqiptarëve votën, kurse vetë të fshihesh prapa karriges së kryetarit të bashkisë. Zoti Rama mos ki frikë, kërkojua, por verë veten në krye të listës, sepse ky është detyrimi i fundit që ti mund të përmbushësh, përndryshe fundi yt është i njëjtë me të etërve të tu. Zoti Rama, ti i recitove Shkodrës Hil Mosin dhe i servire Shkodrës Tom Doshin. Ti recitove patër Gjergjin dhe Luigj Gurakuqin, do çosh në parlament kryetrafikantin. Nuk ke të ardhme. Ky është paralajmërimi im serioz.
Së fundi, me Shkodrën do flasë vetë Shkodra, kurse me mua, me Sali Berishën, unë kam edhe dy fjalë. Unë nuk jam njeri që urrej. Urrejtja në shpirtin tim nuk ekziston. Ti më urren, por më nderon, sepse e vërteta është që atë që u bëra etërve në ‘92 bashkë me ju, ia bëmë bijve në 2005, se tani po ngrihen etër e bij dhe sërish do ia bëjmë në 2009. Ky është zotimi im për ty, zoti Rama. Ndaj më urre sa të duash, se ky fat të pret.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Edhe një herë ju përshëndes vëllazërisht. 28 qershorin ta shndërrojmë në ditën e madhe të fatit tonë të bekuar, në ditën e ëndrrës më të bukur të Shkodrës, në ditën e nderimit të lumenjve të sakrificave mbinjerëzore të këtij qyteti për liri e dinjitet, në ditën e shtëpisë më të bukur të fëmijëve tanë, në ditën e Shkodrës europiane, në ditën e Shqipërisë europiane.
Rroftë Shkodra!
Rroshi ju!
Rroftë Shqipëria!”
11/06/2009