E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR PRODHIMIN, SHPËRNDARJEN DHE PAJISJEN E UDHËTARËVE ME BILETA TRANSPORTI RRUGOR

V E N D I M 

PËR 

PRODHIMIN, SHPËRNDARJEN DHE PAJISJEN E UDHËTARËVE ME BILETA TRANSPORTI RRUGOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 52, të                ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 36, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Formati i biletave të transportit rrugor të udhëtarëve, për shërbimin qytetas, ndërqytetas, rrethqytetas, si dhe në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve, duhet të jetë sipas standardit të përcaktuar me udhëzimin përkatës të ministrit të Financave.

2.     Çmimi i biletave, të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, i cili përmban edhe vlerën e tvsh-së (për transportin brenda vendit), caktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3.     Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për disenjimin e formatit të biletave të transportit rrugor të udhëtarëve, për shërbimin qytetas, ndërqytetas, rrethqytetas dhe transportin ndërkombëtar. Shtypja e këtyre biletave realizohet nga shtypshkronja e letrave me vlerë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin nr.1497, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shtypjen e letrave me vlerë”, dhe udhëzimin e ministrit të Financave, në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet kësaj shtypshkronje dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. 

4.     Pajisja e udhëtarëve me biletat e transportit është e detyrueshme për të gjitha llojet e shërbimit të transportit, në transportin rrugor për të tretë, përjashtuar taksitë 4+1 dhe 8+1.

a.             Taksitë 8+1 duhet të pajisen me bileta transporti në të gjitha rastet kur nuk janë të pajisura me taksimetër. Matja e vëllimit të punës për taksitë 4+1 dhe 8+1 kryhet nëpërmjet taksimetrit, me tregues fiskalë.

b.             Në rastet e shërbimeve për të tretë ose në shërbime të rregullta, të specializuara apo organizuara, brenda vendit ose ndërkombëtare, pasagjerët nuk pajisen me bileta, por agjencia e udhëtimit i lëshon faturën tatimore organizatorit/shoqërisë përfitues/e të shërbimit. Në këto raste, drejtuesi i mjetit duhet të ketë gjatë udhëtimit listën e udhëtarëve dhe faturën tatimore, të lëshuar nga agjencia e udhëtimit.

5.     Tërheqja e biletave për transportin rrugor të udhëtarëve, për shërbimin qytetas, ndërqytetas, rrethqytetas dhe transportin ndërkombëtar rrugor realizohet nga shoqëritë e licencuara për këto lloje transporti apo nga përfaqësuesi i agjencisë së transportit (nëse shoqëria e licencuar disponon edhe agjenci udhëtimi). Tërheqja e biletave kryhet pranë drejtorive rajonale tatimore, kundrejt kostos së prodhimit të tyre.

6.     Në fund të çdo viti kalendarik, shoqëritë e transportit ose përfaqësuesi i agjencisë së transportit (nëse shoqëria e licencuar disponon edhe agjenci udhëtimi) paraqesin pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku janë regjistruar si subjekte tatimpaguese, parashikimet e tyre për sasinë e biletave, për vitin e ardhshëm fiskal. Në rastet e sasive shtesë, këto shoqëri dhe agjencitë në shërbim të tyre duhet të bëjnë kërkesa shtesë, së paku tre muaj më parë.

7.     Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për çdo vit kalendarik, i jepet fondi i përcaktuar për përballimin e shpenzimeve të prodhimit të biletave të transportit rrugor, në zbatim të këtij vendimi.

8.     Strukturat përkatëse ushtrojnë kontroll ndaj shoqërive rezidente shqiptare, të licencuara për këto lloj transportesh, për pajisjen me bileta të udhëtarëve, vetëm apo në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe strukturat e Ministrisë së Brendshme, në përputhje me kompetencat dhe detyrat e tyre funksionale.

9.     Shoqëritë rezidente shqiptare, të licencuara në transportin ndërkombëtar, detyrohen të pajisin me bileta udhëtimi, të shpërndara nga organet tatimore, të gjithë pasagjerët udhëtues, si në drejtimin dalës nga territori i Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe në itinerarin e kthimit.

10.   Agjencia e udhëtarëve për transportin ndërkombëtar rrugor, përpara kalimit të kufirit, harton dhe depoziton në pikën e kalimit kufitar, në tri kopje, listën e pasagjerëve udhëtues, sipas formatit të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave.

Një kopje e listës së pasagjerëve udhëtues depozitohet në zyrën e policisë kufitare dhe tërhiqet rregullisht çdo muaj nga drejtoria rajonale tatimore, me autorizim të drejtorit të kësaj drejtorie, e nënshkruar nga punonjësi i policisë së kalimit kufitar. Një kopje e nënshkruar i kthehet shoqërisë transportuese, pasi është verifikuar dhe konfirmuar përputhshmëria e listës së pasagjerëve me pasagjerët e transportuar nga shoqëria dhe një kopje mbahet nga punonjësi i policisë së kalimit kufitar.

11.   Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe pikat tokësore të kalimit të kufirit për zbatimin e këtij vendimi.

12.   Ngarkohet ministri i Financave të nxjerrë udhëzimet përkatëse, në zbatim të pikave 1 e 10, të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


11/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›