Kryeministri Berisha takohet me drejtues të kompanisë shtetërore azere të prodhimit të naftës SOCAR

Gjatë vizitës së tij në Azerbajxhan, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me drejtues të kompanisë shtetërore azere të prodhimit të naftës SOCAR, të cilët shprehën interesin për të qenë prezentë në vendin dhe rajonin tone, nisur nga eksperienca prej shume dekadash ne sektorin e gazit dhe te naftës të kësaj kompanie.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave që kanë bërë të mundur një mjedis liberal ekonomik të favorshëm për investitorët. Ai ftoi kompaninë të investojë për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër të depozitimit të gazit azer në sinergji me projektin e Trans Adriatik Pipeline, apo për të marre pjesë në privatizimin e kompanisë shqiptare Albpetrol, si dhe për të investuar në fushën e energjisë së rinovueshme. Në mënyrë të veçantë, kompania u ftua për te kontribuar në hartimin e një masterplani për gazifikimin e të gjithë territorit të Republikës, sikurse edhe në ndërtimin e rrjetit shpërndarës të gazit ne vend e në rajon.
Ne vijim, drejtori i përgjithshëm i Kompanisë SOCAR u angazhua për dërgimin e një ekipi eksplorues të të gjitha potencialeve qe Shqipëria ofron, brenda periudhës më të shkurtër të mundshme.
09/02/2012