E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria dhe Kosova, faktorë paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi rajonal e europian

Kryeministri Berisha mirëpriti sot, në një takim të veçantë, Kryeministrin e Republikës së  Kosovës, zotin Hashim Thaçi, i cili vjen për herë të parë, në një vizitë zyrtare në Shqipëri, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Duke i uruar mirëseardhjen Kryeministrit Thaçi dhe duke e falënderuar për këtë vizitë historike, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin dhe vullnetin e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm me shtetin e Kosovës në të gjitha fushat, me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi u shpreh i lumtur për këtë vizitë të parë të tij, si Kryeministër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi falënderoi kryeministrin Berisha dhe shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare dhe të gjithë forcave politike shqiptare në procesin e gjatë, historik, të shpalljes së pavarësisë.

Zoti Thaçi shprehu falënderimet e tij, si dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës, për mbështetjen personale të Kryeministrit Berisha, dhënë Kosovës, në periudha të ndryshme dhe nga më të vështirat për të.

Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë është koha që Shqipëria dhe Kosova të angazhohen në një proces bashkëpunimi gjithëpërfshirës për të arritur standardet e duhura për integrimin në NATO dhe në BE.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për një seri projektesh të përbashkëta bashkëpunimi në të gjitha fushat, me synimin, Shqipëria dhe Kosova faktorë paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi rajonal e europian.

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi u angazhuan thellësisht për të  bashkëpunuar në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, duke e vlerësuar këtë si një imperativ madhor për jetën e qytetarëve të të dy vendeve, por edhe si një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të dy vendeve. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet t'i faktojnë vendeve fqinjë dhe mbarë botës se toleranca ndaj krimit të organizuar do të jetë zero.

Duke vlerësuar energjinë si përparësi madhore, të dy palët ranë dakord për të bashkëpunuar ngushtësisht në sektorin energjetik, në mënyrë që t'ii jepet përgjigja më e mirë problemeve që ekzistojnë, duke qenë se të dy vendet kanë rezerva kolosale për t'u bërë eksportues energjie. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha u shpreh se të dy qeveritë do të konsiderojnë mundësinë e ndërtimit të një termocentrali të përbashkët.

Ndër të tjera, të dy kryeministrat shprehën angazhimin e tyre për të shkrirë barrierat e lidhjeve të komunikimit rrugor dhe ajror, në interesin më të mirë të një zhvillimi të shpejtë të të dy vendeve. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria do t'i ofrojë Kosovës, të gjitha lehtësirat portuale. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha vlerësoi projektet në infrastrukturën hekurudhore, si një zhvillim shumë i rëndësishëm për transportin në tërësi, si të pasagjerëve, mallrave, etj..

Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi do të jetë arsimi dhe kultura, për të cilat Kryeministri Berisha u shpreh se  duhet t'i prijnë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës Thaçi falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe lehtësirat që qeveria shqiptare ka dhënë ndaj biznesit kosovar, si dhe ftoi biznesmenët shqiptarë të  investojnë në Kosovë, duke garantuar çdo mbështetje për ta.

Për sa i përket bashkëpunimit në rrafshin ndërkombëtar, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria vlerëson shumë progresin që është bërë në procesin e njohjes së Kosovës, duke shprehur bindjen se ky proces i pakthyeshëm do të njohë zhvillime të reja, duke qenë se Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Duke evidentuar faktin se tashmë Kosova ka Kushtetutën e saj të hartuar sipas të gjitha standardeve moderne, Kryeministri i Kosovës Thaçi u shpreh se qeveria e Kosovës  po punon në mënyrë intensive për vendosjen e raporteve të shtetit të Kosovës me shtete e tjera. Duke përfituar nga rasti, zoti Thaçi rishprehu falënderimet dhe mirënjohjen për Presidentin Bush dhe SHBA-të për të gjithë mbështetjen që i dhanë zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›