E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria e pret sezonin turistik si destinacioni kryesor ne planet

Kryeministri Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku si kryefjalë të saj ka patur çeljen e sezonit turistik, të cilin Shqipëria, tha ai, po e pret si destinacioni kryesor në planet.

“Shqipëria ka hyrë në sezonin turistik dhe fluksi i turistëve po vjen në rritje. Në muajin prill qeveritë vendore dhe ajo qendrore kanë qenë të angazhuara në fushatë elektorale, por është punuar me një plan masash për parapërgatitjen për këtë sezon. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, qeveritarëve vendorë dhe përfaqësuesve të qeverisë qendrore të ndjekin me angazhim të plotë finalizimin e përgatitjeve për sezonin turistik më të suksesshëm në historinë e vendit”, u shpreh kryeministri Berisha.

“Jemi vlerësuar nga agjencitë më prestigjioze të botës si destinacioni kryesor turistik i planetit. Shqiptarët kanë meritë për ngjitjen në këto nivele të Shqipërisë turistike. Ky sukses i madh, i paimagjinueshëm 5-6 vjet më parë, ka qenë meritë e mikpritjes shqiptare”, shtoi kryeministri.

Kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbajnë pastër mjedisin: “U bëj thirrje të gjithëve që të bëjnë gjithçka për të mbajtur një mjedis të pastër. Është rast i mirë për të krijuar përshtypje pozitive për vendin tonë. Së shpejti inaugurohen impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, por asgjë nuk zëvendëson kujdesin e qytetarit për një ambient më të pastër për vete dhe për turistët që kalojnë pushimet në vendin tonë", tha ai.

Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:


“Sot jam këtu për një nga problemet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, të vendit, të qeverisë, familjeve, problemin e turizmit.
Shqipëria faktikisht ka hyrë në sezonin turistik, e vërteta është se fluksi i turistëve po vjen çdo ditë në rritje, përpjekjet kanë qenë më serioze se asnjëherë, por nuk mund të injorohet fakti se në muajin prill, qeveritë vendore në tërësi, por dhe ajo qendrore, kanë qenë të angazhuara në një fushatë elektorale. Një Komitet  Ndërministror u krijua shumë muaj më parë i drejtuar nga kryeministri, në mënyrë që të shtynte para të gjitha para përgatitjet  për sezonin turistik. Anëtarët e qeverisë sëbashku me autoritetet vendore,  punuan me një plan masash  për tu asistuar atyre në para përgatitjet  e rëndësishme për këtë sezon.

Unë jam sot këtu për tu bërë një thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare, qeveritareve vendorë, përfaqësuesve të qeverisë qendrore, të ndjekin me angazhim të plotë dhe total   finalizimin e të gjitha përgatitjeve për sezonin turistik më të suksesshëm në historinë  e vendit.

Ne hymë në këtë sezon pasi jemi përzgjedhur, jemi vlerësuar nga agjencitë me prestigjioze të botës si destinacioni i parë turistik i planetit, si një nga destinacionet më kryesore turistike të vendit , jemi përzgjedhur si  Miss Bota, se miset nuk i zgjedhin qeveritë i zgjedhin juritë, kjo është e vërteta dhe juritë  e agjencive me serioze turistike  kanë zgjedhur Shqipërinë, ndaj dhe le ta vlerësojmë ne në shkallën më maksimale. Një mesazh të veçantë unë dua t’ju adresoj qytetarëve shqiptarë, që kanë meritën e jashtëzakonshme të ngjitjes së Shqipërisë turistike në këto nivele, sepse e theksoj edhe njëherë se ndër faktorët më themelorë të këtij suksesi të madh, të këtij suksesi që askush nuk mund ta imagjinonte  5-6 vjet më parë, ka qenë mikpritja shqiptare, ka qenë shërbimi i shkëlqyer shqiptarë.

Sapo u ndava nga një grup përfaqësues të agjencive polake më serioze të turizmit. Kishin shëtitur një pjesë të vendit , ishin të mahnitur nga bukuritë magjepsëse të brigjeve dhe maleve të Shqipërisë, por ishin gjithashtu shumë të kënaqur me shijet e gatimit të ushqimeve të gatimeve në Shqipëri.  Presidenti i tyre më tha se ne burrat fituam kilet, natyrisht zonjat mbajtën linjat, i tillë ishte ushqimi.

Ju bëj thirrje çdo familje çdo qytetari të gjitha autoriteteve vendore, të bëjnë gjithçka për të paraqitur një mjedis të pastër.  Atë pastërti që ne ruajmë në shtëpitë tona , që ne ruajmë në lokalet tona, në kafenetë  dhe restorantet tona, të kërkojmë ta kemi edhe rreth nesh , kudo.  Është një rast shumë fatlum për ne për të pritur fluksin më të madh të turizmit në historinë  e vendit, por edhe për të krijuar përshtypjen  më pozitive  se kurrë më parë, për mikpritjen, mjedisin, bukuritë, ujërat brigjet, pasuritë e pafundme, trashëgiminë e madhe kulturore që kemi .  Nuk i gjen në një vend tjetër që në një hapësirë të vogël, të ketë kaq shumë pasuri dhe trashëgimi arkeologjike siç ka në Shqipëri.

Ndaj dhe duke përshëndetur të gjithë ata që sot po pushojnë në plazhet e vendit, duke përshëndetur çdo shqiptarë, ju bëj thirrje të mobilizohemi me të gjithë potencialin tonë për ta paraqitur Shqipërinë turistike këtë vit më mirë se kurrë.  Infrastruktura ka ecur dhe po ecën, së shpejti ne inaugurojmë  impiantet  e ujërave të zeza, shumë të rëndësishme për pastërtinë e ujërave. Së shpejti ne finalizojmë një kolektor jashtëzakonisht të rëndësishëm  që na garantojnë pastërti, por asgjë nuk mund të zëvendësoje kujdesin e qytetarit nga fëmija tek i moshuari, për një ambient për një mjedis  sa më të pastër për vete për miqtë tanë, që vijnë nga e gjithë bota për  të kaluar pushimet në brigjet tona, hotelet, familjet shqiptare.

Unë jam i bindur se ky sezon do të jetë një histori e vërtetë  suksesi  dhe do të bëjmë gjithçka që të jetë një histori e vërtetë  suksesi, për çdo të ri, të re, burrë, grua , të moshuar që vjen , që i beson Shqipërisë pushimet e tij , por do të jetë një histori e vërtetë dhe e madhe suksesi për Shqipërinë , e cila u lartësua me shpejtësi marramendëse në pozicionin e saj dhe arriti të shpallë destinacionin kryesor i planetit.

Unë e di që ju do të dëshironit pyetje për tema të tjera  dhe normale për zgjedhjet, por unë do të preferoja sot duke shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre dy zonjave komisioneve dhe pesë zotërinjve komisionerë  anëtarë  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjithë stafit  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesve të forcave politike, të cilët po punojnë me një përkushtim të madh dhe në kushte do të thosha të vështirësuara , dua të shpreh mirënjohje shumë të thellë ndaj të gjithë efektivit të policisë së shtetit  për sakrificën e tyre të madhe që po bëjnë , përmbushjen me profesionalizmin më të lartë të detyrës. Natyrisht do të jem dhe jam shumë shpesh para jush, por sot preferojë që temë e kësaj konference të mbetet turizmi, turizmi, dhe vetëm turizmi.

Pyetje:  Zoti Kryeministri pyetja lidhet me turizmin, por pashmangshmërisht  edhe me situatën.  A besoni se do të jetë një histori e vërtetë  suksesi për sa i takon prurjeve të turistëve duke pasur parasysh situatën, ju kujtoj se thatë se zotit Barroso nuk mund ti uroja mirëseardhjen në një shtëpi  që nuk është në rregull?


Kryeministri Berisha:  Jam i bindur se do të jetë një histori e vërtetë suksesi, por mos harroni se zoti Barroso nuk  vinte në një vizitë apo pushime private në Shqipëri, vinte në një vizitë zyrtare, e cila ka disa rregulla të tjera.  Në qoftë se ka një problem përreth KQZ, nuk ka një problem askund tjetër ku turistët të mos pushojnë, u dogjën ca goma e u bënë ca gjëra, por këto nuk janë gjera të pazakonshme në një vend të lirë . E  zakonshme nuk është rrethimi i komisionit,  por për të tjerat, protestat janë kudo , është një konstante, nuk gjen vend sot që të mos ketë një protestë. Protesta janë pjesë e  një dëshmie të një demokracie që  funksionon.

 


22/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›