Kryeministri Berisha: Shqipëria po integrohet duke arritur standardet
-Kryeministri u shpreh se “për ne, për sot dhe për të ardhmen, miniera e vërtetë e floririt është lufta kundër korrupsionit”
Në përfundim të vizitës në rrethin e Vlorës, Kryeministri Berisha u ndal në komunën Armen, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ujësjellësin e kësaj komune, një investim me vlerë 74 milion lekë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po ecën drejt integrimit nëpërmjet veprave dhe nëpërmjet arritjes së standardeve të një infrastrukture të ngjashme me vendet evropiane.
Duke u përshëndetur me grupin polifonik të zonës, Kryeministri Berisha u shpreh se "polifonia juaj është një pasuri e çmuar e kombëtare".
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha, u shpreh;
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe fjalën time do ta nis me këngën e mrekullueshme që sapo dëgjuat, ku një varg shumë i bukur i saj thoshte; me vepra vjen integrimi. Nuk ka gjë më me kuptim sesa kjo. U impresionova nga kënga e këtij grupi sepse ne kemi një projekt dhe ai është projekti i integrimit. Në vitin 2002, me një grup politikanësh shqiptarë ishim në Parlamentin Evropian dhe një nga parlamentarët evropian, i cili e donte dhe e njihte Shqipërinë, nuk u përmbajt dhe tha - “çfarë na lidh ne me Shqipërinë, një vend i ciflosur, me rrugë, me shkolla dhe me spitale të shkatërruara. Shqiptarët janë shumë larg nesh”.
Ai nuk e tha këtë me një akt mosdashjeje ndaj nesh. E vërteta ka qenë dhe është se ne po shkojnë drejt asaj ëndrre të bukur vetëm nëpërmjet veprave, vetëm nëpërmjet arritjes së standardeve të një infrastrukture të ngjashme me vendet e tyre. Ne shkojmë drejt të ardhmes të sigurt , duke asfaltuar rrugët, duke furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm dhe duke përmirësuar sistemin e kanalizimeve. Ne shkojmë drejt tyre kur fëmijët tanë të mësojnë në shkolla moderne dhe kur fermerët tanë të kenë mundësi për të dalë në treg sa më shpejtë dhe më mirë.
E tërë historia e integrimit, është edhe historia jonë e re. Ne jemi një komb shumë i lashtë, ne jemi këtu që nga fillimi, por historinë e kemi pasur të vështirë, me shumë mungesa, me ndëshkime të mëdha. Imagjinoni sa mund e djersë e shqiptarëve u investua në bunkerë dhe po kaq Shqipëria duhet të ishte me autostrada.
Sot, është e rëndësishme se ne po ia dalim dhe po ecim shpejtë. Ashtu siç thanë dhe këta këngëtarë, e rëndësishme është se ne e kemi konceptuar që integrimi është vepër dhe jo fjalë. Se ne, ashtu sikundër e tha dhe kënga, po bëjmë çdo përpjekje për t’i zënë frymën korrupsionit pasi ai është një lëngatë e tmerrshme. Asgjë më shumë sesa korrupsioni nuk i torturon qytetarët e një vendi të lirë.
Në tre vjet, nga taksat e tatimet tuaja, ne shpëtuam nga kthetrat e mafias, të zyrtarëve të korruptuar dhe të evazorëve jo 1 apo 2, por 3.2 miliard dollarë.
Dhe kjo na jep mundësi të investojmë në çdo fshat. Pak më parë isha në Llakatund dhe aty inauguruam fillimin e punimeve për ndërtimin e një ujësjellësi, një investim me vlerë 81 milionë lekë, po ashtu dhe këtu në komunën Armen inauguruam fillimin e punimeve për një tjetër ujësjellës.
Kryetari i kësaj komune më tha se në këto tre vjet komuna juaj ka marrë 140 milionë lekë financime nga qeveria, kundrejt 60 milionë lekëve që i janë dhënë më parë. Të njëjtën gjë më tha dhe kryetari i Komunës së Llakatundit.
Për ne, për sot dhe për të ardhmen, miniera e vërtetë e floririt është lufta kundër korrupsionit. Sa më shumë të luftojmë korrupsionin, aq më shumë do ta ngrejë kokën çdokush prej nesh. Sa më shumë ta luftojmë korrupsionin bashkërisht, aq më të mira do t’i kemi rrugët, shkollat dhe spitalet tona.
Sa më shumë ta luftojmë ne korrupsionin, aq më moderne do jenë shkollat e fëmijëve tanë, aq më shpejtë do të ecim drejt Evropës.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Unë kam ardhur sot këtu për të inauguruar ujësjellësin, por edhe për t’i dhënë fjalën kryetarit të komunës tuaj dhe anëtarëve të këshillit të komunës se do të
financojmë çdo projekt të kësaj komune për të ndryshuar për mirë jetën tuaj.
Dua t’ju informoj se në tre vjet ne kemi investuar në fshatrat shqiptare rreth 1.2 miliardë dollarë. Unë udhëtoj shumë në komunat e vendit dhe konstatoj me kënaqësi se në shumë prej tyre po përfundon plotësisht asfaltimi i rrugëve.
Unë ju jap fjalën se do të asfaltojmë çdo rrugë që lidh qendrën e komunës me rrugën kombëtare. Ne do të asfaltojmë çdo rrugë që lidh një fshat më të largët me qendrën e komunës. Kudo po ndërtojmë shkolla të reja dhe rikonstuktojmë ekzistueset.
Këtë mandat ne premtuam se do të dyfishojmë pensionet tuaja dhe vitin që vjen pensionet e fshatit dyfishohen pasi ne do t’i rrisim ato edhe me 20 përqind.
Qëllimi ynë është të arrimë drejt barazimit të pensionit fshatit me atë të qytetit.
Ne, aq sa jemi të përqendruar në akset kombëtare, të cilat janë jetike për zhvillimin e vendit, po kaq të përqendruar jemi edhe në rrugët tuaja. Për tre vjet ne kemi ndërtuar 1600 kilometra rrugë rurale, ndërsa 600 të tjera janë në ndërtim. Unë ju jap fjalën se sado që të jenë ato, ne do të bëjmë çdo përpjekje për asfaltimin e tyre. Pra, me vepra integrohemi dhe ne do të integrohemi.
Dje ka qenë një ngjarje e shënuar për ne, Komisioni Evropian publikoi raportin, të cilin e publikon për çdo vend që kërkon të integrohet dhe raporti ka vlerësime tepër pozitive për përpjekjet tona. Ky raport justifikon plotësisht përpjekjet dhe vendosmërinë tonë që me vepra të integrohemi në Bashkimin Evropian. Raporti parashtron dhe detyra të tjera të mëdha, të cilat ne duhet t’i ndërmarrim që të bëhemi si ata. Ne po shkojmë drejt tyre pikërisht duke vendosur standardet e tyre. Raporti, jo vetëm certifikon veprat që kemi bërë ne për integrimin , por qartësisht lë në dorën tonë përpjekjet për të realizuar lëvizjen e plotë të lirë të banorëve të Armenit dhe mbarë qytetarëve shqiptarë në Evropë.
Shqipëria po punon. Ne nuk merremi me fjalë. Ne vijmë tek ju me vepra, me ujësjellës, me shkolla të reja, me kanalizime, me rrugë dhe ju garantojmë se do të mbështesim shumë më tepër fermerët shqiptarë. Ne do të përqendrohemi në frutikulture dhe ullinj. Në katër vitet e ardhshme ne do të nisim projektin më të madh të kohërave për ullirin në vend. Sot numërohen 4-5 milionë rrënjë ullinj, por potencialet e vendit tonë, shpatet e kodrave dhe kodrinave nga Ksamili në Shkodër mund të mbartin 10 milionë rrënjë të tjera. Ndaj, ne do të nisim një projekt shumë të madh për kultivimin e ullirit. Paraardhësit tanë na lanë një trashëgimi shumë të çmuar me 5 milionë rrënjë ullinj dhe na përket ne që me vepra këto 5 milionë rrënjë ullinj t’i bëjmë 20 milionë. Dhe në këtë drejtim ne do të ndërmarrim një projekt gjigant.
Por, karshi përpjekjes tonë ekziston dhe një alternative tjetër, e cila vetëm flet dhe vetëm akuzon, por nuk thotë asgjë. A është në traditën e shqiptarit të manipulojë vdekjen e dikujt? A mund të ndodh kjo në një vend të qytetëruar? Dhe këtë e bëjnë vetëm e vetëm për të përlyer kundërshtarin dhe vetëm për të ngritur karrierën e tyre. Por, a është kjo politika e re? Kjo është politika më primitive sepse për njeriun, që në lashtësinë e tij, një nga Kodet më rigoroze dhe më sublime është respekti ndaj atij që nuk është më. Imagjinoni se si mund të ndërtojë karrierën e tij një udhëheqës politik duke manipuluar me Kodin tonë më të lashtë. Ai përpiqet të servirë Gramoz Ruçin si politikën e tij të re. Por, të servirësh Ruçin si politikë të re, ne të gjithë e kemi një memorie dhe ai ishte ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit të diktaturës.
Sot unë kam besim se qytetarët e Armenit, qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e mbarë Shqipërisë do ta kujtojnë gjithnjë vargun e këngës; me vepra integrohemi. Ne jemi për vepra, fjalët t’ua lëmë të tjerëve.
Edhe një herë gëzuar dhe ju siguroj se do mbështesim projektet e kryetarit tuaj se do të mbështesim projektet për këtë zonë. Motoja jonë është; nga Shqipëria e çakullit, tek Shqipëria e asfaltit”.
06/11/2008