Një grup investitorësh italianë vlerësojnë Shqipërinë si vendin me klimën më të përshtatshme për biznesin në rajon
Kryeministri Berisha priti një grup investitorësh italianë, përfaqësues të Grupit TREVI, Ekobio, Amouuge LLC, kompanisë T-Power, Grupit SMA Svilupo, etj.
Përfaqësuesit e kompanive vlerësuan zhvillimet dhe progresin në Shqipëri, veçanërisht në fushën ekonomike, duke theksuar se këto zhvillime kanë nxitur bordet e tyre të marrin vendimin për të investuar në Shqipëri, si një vendi me ekonominë më dinamike dhe me klimën më të përshtatshme për biznesin në rajon. Projektet e paraqitura nga këto grupe konsistonin në fushën e energjisë, për ndërtimin e një impiant prodhimi energjie nga era, me platformë në det dhe në tokë, pranë zonës së Porto Romanos, në Parkun Energjetik të kësaj zone, si dhe në ndërtimin e një linje kavo elektrike nënujore, midis Shqipërisë dhe Italisë. Për këtë të fundit, është marrë leja e ndërtimit dhe është përfunduar procedura nga pala italiane, ndërkohë që është në proces marrja e lejes nga pala shqiptare. Një tjetër projekt në fushën energjetike ishte ai për ngritjen e një impianti biomase.
Në fushën e turizmit, përfaqësuesit italianë paraqitët projekte për ngritjen e qendrave turistike në bregdet.
Gjithashtu, ata paraqitën një projekt për ngritjen e një qendre ndërkombëtare, si dhe të një “Call Center”, në Durrës, për të cilin ka filluar edhe aplikimi, si dhe një projekt në fushën e agrobiznesit.
Kryeministri Berisha i falënderoi këto kompani ndërkombëtare, për vendimin e tyre për të përzgjedhur Shqipërinë si vendin e shtrirjes së investimeve të tyre dhe i garantoi ata se do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë në përmbushjen e të gjitha projekteve.
06/11/2008