Investitorët kanadezë, të motivuar për investime në Shqipëri
- Jehona e hapave gjigante që po ndërmerr Shqipëria dhe promovimi i imazhit të saj në Kanada, kanë nxitur investitorët kanadezë të shfrytëzojnë mundësitë e mëdha që ofron vendi ynë.
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e kompanisë kanadeze “Cemcorp Cement”, z. Armand Nahmiache, i cili shoqërohej në këtë takim nga hokeisti i mirënjohur me origjinë shqiptare që luan në Toronto, z. Tie Domin.
Hokeisti Tie Domin i bëri të ditur Kryeministrit se vendimin për të ardhur në Shqipëri, së bashku me investitorë kanadezë, e kishte marrë pas takimit të zhvilluar me Kryeministrin Berisha, një vit më parë, në Samitin e vendeve të NATO-s. Ai theksoi se jehona e hapave gjigante që po ndërmerr Shqipëria dhe promovimi i imazhit të saj në Kanada, e kanë nxitur atë të vizitojë për herë të parë vendin e origjinës dhe t’ju tregojë investitorëve kanadezë mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria. Z. Tie Domin tha se eksperienca që ata gjetën në Shqipëri, ishte shumë më e madhe se ajo çka prisnin, ndërsa premtoi se do të kthehej sërish në Shqipëri, me investitorë të tjerë, për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Gjithashtu, hokeisti me origjinë shqiptare vuri në dukje se do të jepte edhe vet ndihmën modeste, duke sjellë së shpejti në Shqipëri një investim për ndërtimin e një qendre sportive.
Presidenti i kompanisë kanadeze “Cemcorp Cement”, z. Armand Nahmiache, shprehu interesin për ngritjen e një fabrike cimentoje në Shqipëri, duke siguruar plotësimin e të gjitha standardeve në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha i njohu të pranishmit me zhvillimet e gjithanshme në Shqipëri dhe shprehu kënaqësinë për interesin e kompanisë kanadeze për të investuar në Shqipëri.
06/11/2008