E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentit Topi i dorëzohet “Raporti i Përparimit të Shqipërisë për vitin 2007-08” nga Komisioni Europian.

5 nëntor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot në një takim pune Ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Z. Lohan i dorëzoi Kryetarit të Shtetit "Raportin e Përparimit të Shqipërisë për vitin 2007-08”, të hartuar nga Komisioni Europian.

Ambasadori Lohan paraqiti vëzhgimet dhe vlerësimet e Raportit të Përparimit duke vënë në dukje arritjet e Shqipërisë përsa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, reformat e suksesshme në drejtësi dhe atë zgjedhore, të arritura me konsensus politik, rritjen e shpejtë ekonomike, rolin moderues dhe të rëndësishëm të vendit tonë dhe faktorit shqiptar në rajonin ballkanik për sigurimin dhe ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të tij.

Ambasadori Lohan nënvizoi edhe disa nga problemet dhe mangësitë të vëna në pah në Raportin e Përparimit 2007-08 siç është nevoja për një rritje të bashkëpunimit ndër-institucional, ruajtja dhe përmirësimi i pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe shtetërore si dhe përfundimi me sukses i reformave të ndërmarra dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke vlerësuar edhe rolin e rëndësishëm të Kreut të shtetit në këtë drejtim.

Presidenti Topi vlerësoi vëzhgimet e Raportit të Përparimit dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të Bashkimit Europian për Shqipërinë përgjatë gjithë rrugëtimit të saj integrues si dhe për vetë punën dhe rolin e rëndësishëm të Ambasadorit Lohan.

Kreu i shtetit vuri në dukje se vlerësimet e punës së Presidentit të Republikës në Raportin e Komisionit Europian, do të nxisin më tej angazhimin dhe përkushtimin e tij për ruajtjen e ekuilibrave politikë dhe pavarësisë së institucioneve, duke patur në themel të çdo procesi respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit.

Presidenti Topi siguroi për vendosmërinë e Shqipërisë, jo vetëm për të përmbushur detyrimet dhe arritur standartet e integrimit në familjen e madhe europiane, për të vazhduar në rrugën e reformave jetike, por edhe për të luajtur rol moderues në rajon, duke shërbyer gjithmonë si faktor qëndrueshmërie dhe paqeje e zhvillimi ekonomik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›