Kryeministri Berisha: Shtetësi për çdo shqiptar, kudo që ndodhet

Në një akt simbolik të nderimit në 100 vjetorin e pavarësisë, të krijimit të qeverisë së parë shqiptare në 4 dhjetor 1912, qeveria, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha e zhvilloi sot mbledhjen e saj të radhës, në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.
Kryeministri Berisha, pas një vështrimi historik të krijimit të qeverisë së parë shqiptare nën kryesimin e Ismail Qemalit, rrethanave në të cilat u krijua dhe parimeve të saj, si dhe pasi shprehu mirënjohjen më të thellë për qytetarët e Vlorës, të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve për kremtimin me madhështi të 100 vjetorit të pavarësisë, shpalli nismën e qeverisë për dhënien e shtetësisë, çdo shqiptari që aplikon për të, pavarësisht se ku ndodhet.
“Ky është mesazhi i 100 vjetorit. Ne nuk po bëjmë asgjë, por vetëm po u kthejmë atyre një të drejtë, për të cilën kanë luftuar 100 vjet dhe u është mohuar 100 vjet. Në kuadër të këtij procesi, të bashkimit me njëri tjetrin, të bashkuar me Europën, nuk mundet që midis shqiptarëve, në statusin aktual, të ekzistojnë standarde më të vjetra, se ato që ekzistojnë midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian.”
Për realizimin e kësaj nisme, u ngarkua ministri i Drejtësisë për të hartuar dhe dorëzuar sa më shpejt në parlament ligjin për shtetësinë. Kryeministri Berisha ftoi opozitën për të punuar bashkë për këtë ligj, ndërsa bëri të ditur se ky ligj do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013.
Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë.
“Zonja ministre, Zotërinj ministra,
Le t’u përcjellim nga kjo dhomë e vogël, por madhe në histori, një përshëndetje të përzemërt të gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Në 4 dhjetor të vitit 1912, nën drejtimin e Ismail Qemal Vlorës, Kuvendi i Vlorës zgjodhi qeverinë e parë në historinë e shqiptarëve, shekuj pas vdekjes së Skënderbeut.
Kuvendi zgjodhi Pleqësinë, që do të ishte e barabartë me një Këshill Shteti apo Senat, siç do të shpreheshin aty, përfaqësues të Kuvendit. Qeveria e parë në historinë e shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut e rënies së Krujës, me propozim të kryetarit të saj do të zgjidhej nga Kuvendi, ndonëse në mbledhjen e parë, Kuvendi kishte autorizuar Kryeministrin Ismail Qemali të zgjidhte qeverinë. Por në 4 dhjetor, në prani të 63 anëtarëve të Kuvendit, - 6 mungonin - Ismail Qemali deklaroi se këtë fuqi ia linte Kuvendit. Ndonëse e kundërshtojnë, pas debatesh, procedohet duke ia lënë Kuvendit, i cili në mbledhjen e parë kishte zgjedhur Ismail Qemalin kryetar të qeverisë dhe dom Nikoll Kaçorrin, i cili ishte njëkohësisht edhe zëvendëskryepeshkop i Durrësit dhe një nga figurat e kohës më të ndritura të kombit, burri që kur ia desh koha luftoi me Bibël e me pushkë për pavarësinë e Shqipërinë, udhëhoqi kryengritje të rëndësishme dhe u bë një nga figurat më popullore, u zgjodh zëvendëskryetar i qeverisë. Ismail Qemali si kryetar i qeverisë paraqiti në Kuvend 15 kandidatura, për 8 vende në qeveri. Sipas rregullit, kandidatura duhet të merrte më shumë se gjysmën e votave të Kuvendit. Në raundin e parë fituan mbi gjysmën e votave: Luigj Gurakuqi, i cili ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit, burri që e shoqëroi atë në udhëtimin e tij, - le ta quajmë hyjnor - nga Stambolli në Vlorë, me një formim intelektual të rrallë, që me mençurinë e tij luajti rol shumë pozitiv në mbledhjet e Kuvendit, krahas rolit që kishte luajtur për pavarësinë, rezulton personi më i votuar, me 54 vota; Myfit Libohova, 52 vota; Mehmet pashë Derralla (Mehmet pashë Tetova), 42 vota. Zoti Imami, kur pashë tek varri i tij tre ministra, natyrisht, ju dukeshit si binjakë siamezë, por sërish me vete thashë: Lavdi Zotit që pashai nuk i hap sytë, se me shpatë do t’ju kishte pritur, të paktën dy prej jush. Abdi Toptani u zgjodh me 34 vota; Mithat Frashëri, 35 vota. Ndërsa në raundin e dytë: Petro Poga merr 40 vota; Pandeli Cali, 39 vota dhe Lef Nosi 37 vota. Ismail Qemali, pasi bën para Kuvendit paraqitjen e institucionit ministri, paraqet portofolet si vijon: Myfit Libohova – ministër i Brendshëm; Luigj Gurakuqi – ministër i Arsimit; Mehmet pashë Derralla – ministër i Luftës; Petro Poga – ministër i Drejtësisë; Pandeli Cali – ministër i Bujqësisë; Lef Nosi – ministër i Postës; Abdi Toptani – ministër i Financave.
Zonja dhe zotërinj,
Para se të kalojmë në rendin e ditës, më lejoni të shpreh një mirënjohje shumë të thellë për qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e Tiranës, të cilët me bujarinë, atdhetarinë dhe mikpritjen e tyre e shndërruan 28 nëntorin, 100 vjetorin e pavarësisë, në festën më të bukur e më të madhe. Kurrë ndonjëherë në histori, sa më datën 28 nëntor, Tirana e Vlora nuk kanë pasur prani kaq masive të qytetarëve, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare.
Natyrisht, mirënjohje e thellë dhe më e madhe u shkon të gjithë miqve nga mbarë bota që nderuan shqiptarët, Shqipërinë, në 100 vjetorin e pavarësisë. Do të jap një fakt të thjeshtë. Kur u festua 25 vjetori ka pasur vetëm një ministër të një vendi tjetër të pranishëm në festime; Kur u festua 50 vjetori, tribunën e festës në sheshin e Flamurit ishte i pranishëm vetëm një ambasador; Kur u festua 75 vjetori as edhe një i huaj i vetëm; Kur festuam 100 vjetorin ishin 57 delegacione të ardhura direkt nga vendet e tyre, ishin përfaqësues të rëndësishëm si Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe i 12 institucione të mëdha ndërkombëtare. Në paradën e ushtrisë morën pjesë 19 vende anëtare të NATO-s dhe vende mike partnere. Pra, miqtë e nderuan shumë Shqipërinë. Në kremtime morën pjesë Presidenti i Malit të Zi, Kryeministri i Hungarisë, Kryeministri i Sllovenisë, Kryeministri i Kroacisë, sekretarë shtetesh nga vende europiane, nga vendet e Gjirit, mori pjesë Kryetari Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës Italiane, mik i madh e i shquar i kombit shqiptar, Nënkryetari i Parlamentit të Polonisë, të Bullgarisë, të Francës, miq nga mbarë bota. Edhe një herë nga kjo sallë e nga kjo karrige historike, dua t’u shpreh atyre mirënjohjen më të thellë.
Një mirënjohje të madhe dua t’i shpreh të gjithë atyre, që me pjesëmarrjen në këtë festë, e bënë atë një ngjarje të paprecedentë, bizneset shqiptare që nuk kursyen asgjë për zbukurimin e saj, forcave të rendit që kanë qenë në krye të detyrës 24 orë në 24, artistëve shqiptarë, nga grupet e folklorit deri tek tenorët e sopranot e famshme dhe super ylli i hiteve të sotme Rita Ora. Një falenderim u shkon të gjithë mësuesve, të cilët nëpërmjet dhjetëra konkurseve që unë pata fatin e rastin t’i shoh në shkollat që kam vizituar, e shndërruan këtë vit, në një vit të 100 vjetorit. Kjo ishte një festë, në të cilën shqiptarët u dëshmuan në lartësinë e 100 vjetorit të pavarësisë së tyre.
Zonja dhe zotërinj,
Një shekull është një kohë jo e vogël. Po të vështrosh ritmet e vendit dhe kombit tonë me atë të kombeve të tjera, në mënyrë të padiskutueshme që shqiptarët nuk kanë arritur ato lartësi zhvillimi që ata meritojnë. Por e theksoj edhe një herë, nuk ka pasur lindje më të vështirë në Europë, sesa lindja e Shqipërisë. Të mos harrojmë se në datën 4 dhjetor, kur ky burrë vigan do të propozonte qeverinë e parë të Shqipërisë, në historinë 400 vjeçare të saj, forcat pushtuese të vendeve fqinjë ndodheshin në pjesën dërrmuese të territoreve shqiptare. E vërteta është se të lira në atë periudhë ishin vetëm Vlora, Fieri dhe Berati që luftonte. Ndërkohë që qytete të tjera të vendit ishin pushtuar nga serbët, jugu nga grekët e kështu me radhë. Mund të imagjinojmë se cilat ishin rrethanat dhe se me çfarë duhet të përballej qeveria e Ismail Qemalit, e cili ishte institucioni i parë që krijonin shqiptarët, nga vdekja e Skënderbeut. Ndaj edhe ajo qeveri, në aktin e saj të parë në 4 dhjetor, themeloi ushtrinë kombëtare dhe vendosi në krye të Ministrisë së Luftës, një nga gjeneralët më të sprovuar shqiptarë, me detyrë çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare. Kuvendi që zgjodhi qeverinë dhe senatin kishte përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare. Dua të theksoj se vetëm nga Kosova ishin 18 përfaqësues, 4 ishin nga Çamëria, 3 ishin nga diaspora dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, krahas çlirimit të trojeve të pushtuara, kishte një program ambicioz dhe atdhetar, vendosjes së institucioneve të vendit, gjuhës shqipe në të gjitha shkollat dhe konsolidimin e arsimit, ndaj në krye të këtij dikasteri do të vendosej një nga personalitetet më të shquara të kombit si Luigj Gurakuqi.
Pas 100 vitesh, çka mund të themi është se shqiptarët janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete dhe kudo, ata ndodhen në trojet e tyre dhe kudo, ata janë të përkushtuar në projektin e integrimit europian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Projekt, i cili historikisht ka realizuar për Europën një mrekulli të vërtetë. Së pari, në rrafshin moral ka qenë e mbetet projekti më i shkëlqyer i pajtimit dhe bashkëpunimit midis kombeve të këtij kontinenti, midis kombeve që kishin luftuar njëri-tjetrin me egërsinë më të madhe. Por ky projekt është edhe projekti që bazohet në lirinë e të drejtat e qytetarëve, bazohet në rritjen progresive të prosperitetit. Ndaj ky komb mbështet këtë projekt, më shumë se çdo komb tjetër dhe kjo është në mençurinë e shqiptarëve.
Duke thënë këtë, më lejoni të theksoj se, të ndarë në disa shtete, shqiptarët nuk mundet në asnjë rrethanë ta konsiderojnë ndryshe njëri-tjerrin përveçse vëllezër në gene, vëllezër në kulturë, vëllezër në identitet. Ky është realiteti më i padiskutueshëm. Ndaj dalin një seri detyrash, në mënyrë që të ecet me platformën: Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën. Unë jam i bindur se kjo platformë i jep përgjigjen më të shkëlqyer e përfundimtare, çështjes shqiptare në Ballkan, pasi askush nuk mund të mohojë se shqiptarët, në një nga padrejtësitë më të mëdha historike të kohës, u copëtuan në 5 shtete, u copëtuan në kundërshtimin më flagrant të parimeve që shpalli vetë Konferenca e Londrës, për caktimin e kufijve. Në kundërshtim me këto parime, trojet shqiptare u përdorën për të shpërblyer ata që kishin krijuar shtet, dekada para nesh dhe që u vërsulën mbi këtë vend e këtë komb, me projekte nga më ogurzezat. Mjafton të kujtoj se qeveria e Ismail Qemalit dhe vetë themeluesi, babai i pavarësisë u detyrua të largohej nga Shqipëria, në janar të vitit 1914, pikërisht se po punonte për të realizuar idealin kombëtar të shqiptarëve, bashkimin e trojeve shqiptare. Nga ai moment e deri në qeverinë e Sulejman Delvinës, në Kongresin e Lushnjës, kancelaritë e fuqive kolonialiste europiane të asaj kohe vendosën në mënyrë të përsëritur, copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare dhe asgjësimin e Shqipërisë. Nëse lexon dokumentet që lëshoheshin dhe qarkullonin, duke shfrytëzuar disa aventurierë shqiptarë dhe aktet e tyre kombëtare të papërgjegjshme, ata relatonin se shqiptarët nuk mund të krijonin shtet, se nuk kanë fuqi shtetformuese. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ata që kanë bërë këto relacione janë ndër miqtë më të mirë të saj. Kjo, se pas Luftës së Dytë Botërore, rendi i mëparshëm, në të cilin Fuqitë e Mëdha vendosnin në puthje me interesat e tyre, mori fund dhe një rend tjetër u vendos. Shqipërinë e shpëtoi nga copëtimi i mëtejshëm Presidenti Willson, i cili, në planin e tij të famshëm, të shpallur në vitin 1919, proklamoi të drejtën e kombeve të vogla për vetëvendosje dhe në rastin konkret të Shqipërisë, ai refuzoi Traktatin e Versajës, i cili e ndante në mënyrë përfundimtare Shqipërinë dhe e shuante nga harta e Europës si një entitet politik shtetëror.
Shqiptarët kanë shkruar gjatë këtyre 100 viteve edhe faqet më të ndritura të historisë së tyre. Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, ata ndërtuan një shtet, i cili bëri gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjët, për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky shtet u shndërrua në burim të madh shprese për shqiptarët, kudo ku jetonin të pushtuar. Shqipëria ishte viktima e parë e Luftës së Dytë Botërore, një pushtim ky, i paregjistruar. Ishte i tillë, i paregjistruar, sepse në mënyrë absolute as edhe një shtet i vetëm në Europë e në botë nuk ngriti zërin, pasi ajo ishte koha e fuqive koloniale, për të cilët, në rast se interesat e një shteti nuk cenoheshin, nuk ekzistojnë. Kur mbreti Zog, dy ditë para pushtimit, do të pyeste një diplomat të një vendi mik sot, se si do ta priste vendi i tij këtë akt, ky iu përgjigj se do të reagonin ashtu siç do të reagonte Greqia dhe Jugosllavia. Siç ka pasur fatin e keq ky komb, nga ana tjetër, ka pasur edhe meritën të përballet gjithnjë me armiq shumë më të mëdhenj e të egër. Shqiptarët u ngritën në luftë dhe u rreshtuan me aleatët. Ata u ndihmuan në mënyrë të fuqishme nga koalicioni anglo-amerikan. Kjo ndihmë bëri që Shqipëria të ketë ushtri nacionalçlirimtare, të ketë një lëvizje të fuqishme, të përfillshme. Mijëra e mijëra vajza e djem ranë për t’u bërë të pavdekshëm. Kjo renditje në krah të aleatëve ishte shpëtimtare për plane të tjera ogurzeza, me të cilat do ishin përballur shqiptarët, në qoftë se nuk do të kishin luftuar. Por, edhe pse luftuam, ka një moment që shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë. Në këtë periudhë janë bërë shumë diskutime nga historianë, se ky apo ai udhëheqës është mbështetur nga ky apo ai shtet. Po, kjo është e vërtetë, por, në tërësinë e vet, ata kishin synim të shpëtonin një komb, kundër të cilit ishin vërsulur ta zhduknin. Unë e kam thënë dhe e rithem se gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri ndihmën kryesore në armatim, uniforma, në stërvitje, në plane, padiskutim e dhanë oficerët britanikë, një grup i shkëlqyer, elitë, i këtyre trupave që u parashutuan, zbarkuan e hynë në Shqipëri nga Greqia, për të ndihmuar njësitë tona. Por Partia Komuniste, e cila kishte edhe peshën kryesore në Lëvizjen Çlirimtare, kishte të pranishëm të dërguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, që bënin ligjin dhe të cilët, që në themelimin e partisë, nuk lejuan që ajo të kishte sekretar të parë, sepse donin ta trajtonin vetë dhe e bënë këtë, vetëm pas një viti. Këto fakte, sado që kanë domethënien e tyre, nuk janë kryesore. Kryesore është se, megjithëse ky komb luftoi e doli fitimtar nga lufta, pas luftës u bë çdo përpjekje që Shqipëria të shndërrohej në republikë e shtatë jugosllave. Kjo ishte kërkesë e Titos dhe e shprehur Stalinit që gjatë luftës, me qëllimin e vetëm që për të mos pasur më probleme me shqiptarët e Kosovës, të përfshinte edhe Shqipërinë si republikë e shtatë. Ndodhi bashkimi i doganave dhe po shkohej drejt bashkimit monetar. Imagjinoni, unë po bëj luftën më të madhe për të bashkuar doganën me Kosovën dhe nuk po e bëjmë ende, ndërsa ata e bashkuan me Titon, po gllabëroheshin, megjithëse kishin luftuar e kishin derdhur gjak, në kushtet më të vështira, në një luftë të njohur nga të gjithë aleatët. Historia është histori.
Kuvendi në Vlorë përfaqësonte shqiptarët e të gjitha trevave dhe zgjodhi një qeveri kombëtare për të gjithë shqiptarët. Tani, sërish, shqiptarët të ndarë, por me besim të madh në projektin europian. Nga ky vend, nga kjo mbledhje, në këtë datë, unë dua të informoj shqiptarët se kjo qeveri do të ndërmarrë ligjin e shtetësisë shqiptare për ta, kudo që jetojnë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Kjo nuk i pengon ata të mbajnë çfarëdo shtetësie që duan, por ai që dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare, do ta marrë. Ky ligj do të jetë nisma e kësaj qeverie për 100 vjetorin. Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjitha masat, nëpërmjet konsullatave dhe zyrave, t’i krijoi atyre mundësinë e aplikimit.
Shqipëria është në një moment të veçantë dhe ky moment janë zgjedhjet. Këto zgjedhje, natyrisht, do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme. Por, për të mos e bërë çështje të këtyre zgjedhjeve, u them se ata që e marrin këtë qëndrim elektoral, gabojnë shumë rëndë. Ky është qëllimi i jetës sime dhe qëllimi i çdo shqiptari. Pas një shekulli të ndarë, shqiptarët e faktuan këtë, në vitin ’99. Le të shkojnë në Gjirokastër të regjistrojnë sa dyer u hapën për shqiptarët e Kosovës. Dhe nuk po them në Tropojë që është vazhdim i Kosovës, por në Gjirokastër, në Sarandë. Shqiptarët e faktuan se asnjë lloj faktori nuk mund t’i ndajë ata. Ndaj çdo shqiptar meriton shtetësinë shqiptare, natyrisht, ai që e do.
Zoti ministër i Drejtësisë, duhet të sillni ligjin në qeveri. Ftoj opozitën, i frymëzuar nga ky përvjetor historik, i frymëzuar nga mesazhi i këtij viti, vit i ngadhënjimit të idealit të bashkimit kombëtar për të gjithë ata që e lexojnë. Kurrë ndonjëherë, flamuri kombëtar nuk ka valëvitur në çdo skaj të trojeve shqiptare, si në këtë 100 vjetor. Kurrë ndonjëherë, shqiptarët nuk janë përulur si në këtë 100 vjetor, para Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Dua t’u them një fjalë disa zotërinjve në Prishtinë, në Tiranë e gjetiu, që përpiqen të na gjejnë të ndryshëm nga njëri-tjetri: Gabojnë shumë rëndë. Është e vërtetë që ne kemi dialekte që e pasurojnë këtë gjuhë, por gjuhën nuk mund ta ndajnë kurrë. Me qindra kanë qenë ata, të cilët janë përpjekur të përçanin shqiptarët për shkak të dialektit gegë e toskë, por përpjekje të tilla kanë përfunduar aty ku e kanë vendin. Nuk është e mundur, kjo është një gjuhë! Nacionalizmi ynë është kryekëput i bazuar në gjuhë dhe histori. A munden këtë zotërinj ta ndajnë Skënderbeun në pesë pjesë!? Unë them se nuk do munden kurrë. Pas gjuhës, Skënderbeu është shtyllë kryesore e identitetit shqiptar, edhe i këtyre zotërinjve, por po vazhduan do të mbeten me Hamzanë [Kastrioti]. Kombi është një dhe çdo shqiptar, kudo që jeton, meriton shtetësinë shqiptare. Kosova mund të vendosë standardin e vet, sepse është interesi jetik i shqiptarëve, konsolidimi i shtetit të Kosovës, por jo i kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është një problem që do ta zgjidhim në kuadrin e proceseve europaine dhe proceseve integrues të bashkimit njëri me tjetrin.
Ndaj mendoj se vendimi më kryesor që merret është dorëzimi me përparësi në parlamentin shqiptar i ligjit, i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare, çdo shqiptari që aplikon për të, kudo që ndodhet. Ky është mesazhi i 100 vjetorit. Ne nuk po bëjmë asgjë, por vetëm po u kthejmë atyre një të drejtë, për të cilën kanë luftuar 100 vjet dhe u është mohuar 100 vjet. Në kuadër të këtij procesi, të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, nuk mundet që midis shqiptarëve, në statusin aktual, të ekzistojnë standarde më të vjetra, se ato që ekzistojnë midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka që të ulim këto mure. Gjatë vizitës në Izrael, grupi i gazetarëve që më shoqëronte udhëtoi për në Ramallah, pa asnjë kontroll e pengesë dhe kur u kthyen më thanë si kishte mundësi që në Morinë e jo vetëm, ka jo një, po dy. Ne jemi të detyruar të marrim të gjitha masat që shqiptarët të ndjehen një. Natyrisht, me dy administrata.
Edhe një herë, unë dua të kërkoj mirëkuptimin e fqinjëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar. Çështja shqiptare është sërish një çështje. Me gjithë ndryshimet thelbësore, pozitive, që ka, sërish ajo ekziston në mënyrë të padiskutueshme. Ka një albanofobi ndaj shqiptarëve dhe kjo do të zhduket vetëm nëpërmjet procesit të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk mund të zhduket nëpërmjet status quo-ve që e thellojnë gjithnjë e më shumë albanofobinë. Unë jam dëshmitar i kësaj. U festua beteja e Kumanovës. Kjo betejë është fillimi i gjenocidit kundër shqiptarëve dhe kur unë u kërkoj mirëkuptim pse ndodhi kjo, më thonë: histori. Por si mund të jetë histori kur hordhitë serbe vërshuan mbi shqiptarët dhe shqiptarët numërojnë nga ato hordhi, dhjetëra mijëra të vdekur. Por, njëlloj, a mund të festohen betejat naziste? Përse ky qëndrim kaq gentle ndaj historisë së vuajtjeve dhe eksterminimit të shqiptarëve? Albanofobia, është përgjigja. Ndaj ne kërkojmë mirëkuptimin e miqve dhe i garantojmë se ne do t’i respektojmë me seriozitetin më të madh. Ne jemi një komb i vendosur për paqe, i vendosur për stabilitet. Ne kaluam 100 vite me konflikte, pushtime e diktatura. Ne duam 100 vite, 1000 vite paqe. Ky është përcaktimi ynë, por paqe të qëndrueshme, e cila bazohet në parimet më të larta njerëzore, në idealet e vërteta të paqes. Nuk mundet të jetohet me frikë ndaj tyre, ndërkohë kur shqiptarët nuk kanë një varr të vetëm në trojet e një vendi tjetër, ndërsa tokat e tyre është e mbushur me varreza e kocka të të gjitha ushtrive që kanë vërshuar mbi ta.
Zoti ministër i Arsimit, është urgjente bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha institucionet në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo që janë, në mënyrë që shqiptarët të mësojnë të vërteta të njëjta. E vërteta shqiptare është e vërteta më e madhe për shqiptarët dhe ata duhet ta njohin të vërtetën shqiptare njëlloj, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, Tetovë e Gostivar, kudo që jetojnë. Ne duhet të ecim me vendosmëri e të mos harrojmë se të gjithë ata që ranë, për fat të keq, vetëm 13 vjet më parë janë mbi dhjetë mijë, në një kohë kur vende të tjera martirët i kanë në vitet ’40-të, të gjithë ranë me idealin e bashkimit kombëtar. E vërteta e shqiptarëve duhet të jetë një. Ndaj kjo qeveri do të punojë edhe me opozitën, të cilën gjej rastin ta ftoj të votojmë tre ligjet me shumicë të cilësuar në parlament, si dëshmi e përgjegjësisë sonë ndaj këtij procesi, të bashkohemi me njeri-tjetrin, të bashkohemi me Europën e të mos bëhemi pengesë. Veçanërisht për ligjin për shtetësinë duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe deklaroj se ligji do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit. Unë kërkoj mirëkuptimin e bashkëkombësve të mi kudo që janë. Zgjedhjet janë një proces themelor demokratik dhe nuk ka arsye që asnjë forcë politike të ndjejë trysni nga ky ligj, pasi ky nuk është interesi i kurrkujt. Pas zgjedhjeve do të përcaktojmë bashkërisht si do të shkohet me të drejtën e votës, për të gjithë shtetasit shqiptarë. Por këto janë çështje që zgjidhjen nëpërmjet dialogut, duke vendosur gjithnjë interesin kombëtar, si interesin e parë të qytetarëve shqiptarë.
Duke e mbyllur këtë ekspoze, dua t’ju rrëfej se në këto kremtime, një nga momentet më prekëse për mua ka qenë takimi me pasardhës e familjarë të 40 shenjtorëve, firmëtarë të aktit të pavarësisë. Ishte një takim shumë emotiv të takoje djalin e një prej firmëtarëve, vajzën e tij, si dhe dhe nipër e mbesa të tyre. Në tërësinë e tyre, familje që kishin përjetuar një kalvar të vërtetë, shumë më të madh sesa paraardhësit e tyre, nga regjimi, i cili gjymtoi aktin themeltar të këtij shteti. Po lexoja një botim të një historiani, ku ai rrëfente për një takim që kishte pasur me skulptorin gjenial Odise Paskali, këtu, në Vlorë. Gjatë një shëtitjeje në lulishte, - shkruan autori - më tha i bukur është monumenti i pavarësisë, por unë kam pasur një projekt tjetër. Për monument të pavarësisë, - thotë më tej historiani duke rikujtuar bisedën me Paskalin - unë kam pasur në projekt një obelisk të lartë, ku do të skalisja fytyrat e firmën e secilit prej 40 firmëtarëve. Natyrisht, kjo nuk mu pranua, se disa prej tyre ishin për t’u shuar nga historia. Por kjo u korrigjua dhe unë përshëndes secilin prej tyre, pasi me praninë e tyre, në momente shumë të rëndësishme si në parlament apo akte të tjera, i bënë shumë nder 100 vjetorit dhe vendit.
Krahas këtyre qëndrimeve, të diktuara kryekëput nga ideali kombëtar i bashkimit kombëtar në 100 vjetorin e pavarësisë dhe kjo që ne po shpallim në këtë sallë e në këtë mbledhje është një detyrim absolut moral i çdo shqiptari, i çdo qytetari të këtij vendi, sot kemi edhe rendin e zakonshëm të mbledhjes, shumë të ndryshëm, fatmirësisht, kjo nga ajo që kanë pasur ata burra të shquar që u mblodhën këtu, 100 vjet më parë. Rendi i ditës ka ligje e vendime për hidrocentrale, për prokurime, për administratën gjyqësore etj., që i përkasin punës rutinë të një mbledhjeje qeverie, ndaj tani të vazhdojmë me rutinën tonë të përjavshme, duke e ftuar median t’i lexojnë materialet në web-in e qeverisë. Dua të njoftoj gjithashtu mediat dhe qytetarët se shumë shpejt do të kenë një hop të madh cilësor, në mundësitë e informimit të tyre për çdo gjë që bën qeveria dhe administrata. Së shpejti do të inaugurohet portali i ri, që natyrisht shkon duke u plotësuar i jep medias dhe qytetarëve, informacionet më të plota, pa pasur nevojë për autorizime apo kërkesave dhe ku do të jenë të gjitha disponibël, siç u veprua me Thesarin. Ne jemi ndër të paktat vendi, ku çdo shpenzim që bëhet sot, botohet elektronikisht në thesar të nesërmen. Kështu do të veprohet me çdo lloj dokumenti e veprimtarie. Transparenca, transparenca dhe vetëm transparenca do të jetë ligji i kësaj mazhorance e qeverie.”
04/12/2012