Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 100 - vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Muzeut Historik të Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami i dhuroi Kryeministrit Berisha tre publikime të ministrisë së Mbrojtjes: një album të të gjithë dëshmorëve të atdheut gjatë 100 viteve, një album me këngë patriotike dhe një album fotografik që daton nga viti 1908 e deri në ditët e sotme. Gjithashtu, ministri Imami i dhuroi Kryeministrit edhe statujën e Dhisë së Egër, një nga simbolet më të vjetra shqiptare, e prodhuar nga materialet e demontimit.
Më pas, Kryeministri Berisha falënderoi ushtarakët shqiptarë kudo që ndodhen. “Është një nder i madh për mua të përshëndes ushtarakët shqiptarë kudo që ndodhen sot, të përshëndes ushtarët shqiptarë në Shqipëri, në Afganistan. Gjithashtu, dua t’u shpreh nderimin tim më të madh ushtarakëve shqiptarë në Kosovë, të cilët me heroizmin dhe sakrificën e tyre kanë bërë të mundur që ushtarakët shqiptarë të festojnë 100 vjetorin e themelimit të ushtrisë kombëtare me dinjitet dhe si një ushtri fitimtare. Përshëndes në mënyrën më të përzemërt familjet e ushtarakëve shqiptarë, të cilat janë në një sakrificë të vazhdueshme. I përshëndes ato për mbështetjen e madhe që u japin burrave dhe grave të tyre me uniformë, në shërbim të interesave më të mëdha të vendit. Përshëndes edhe të gjithë shqiptarët që nderojnë sot 100 vjetorin e Forcave të tyre të Armatosura”, u shpreh Kryeministri.
04/12/2012