Kryeministri Berisha pret përfaqësues të Grupit austriak TECTON
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, përfaqësues të Grupit austriak TECTON, e mirënjohur në projektim dhe ndërtim në fushën e infrastrukturës, kryesisht në hekurudha, rrugë, tunele, të kryesuar nga Christian Müller.
Zoti Müller i shprehu Kryeministrit përgëzimet për performancën e ekonomisë shqiptare dhe klimës së biznesit për investime në Shqipëri. Ishin pikërisht këto arsyet, si dhe eksperiencat e suksesshme të kompanive austriake, tha zoti Müller, që tërhoqën vëmendjen e Grupit tonë, për të përfshirë Shqipërinë në hartën e interesit për bashkëpunim dhe investim. Sipas parashtrimit të zotit Müller, hekurudhat janë qendra e interesit të biznesit të tyre, që, konkretisht, materializohet në segmentet Durrës-Tiranë, përfshirë aeroportin dhe Porto Romanon, si dhe segmente të tjera të hekurudhës, për transport pasagjerësh apo mallrash.
Kryeministri Berisha, pasi i falenderoi për interesin dhe projektidetë e Grupit të tyre për të bërë biznes në Shqipëri, u prezantoi reformat e ndërmarra nga qeveria për të lehtësuar të bërit biznes, si dhe mundësitë e projekteve të ardhshme në fushën e infrastrukturës. Kryeministri theksoi se pas sistemit rrugor, është sistemi hekurudhor që projektohet për zhvillim dhe në qendër të politikave zhvilluese të këtij sektori është lidhja e Shqipërisë me rrjet hekurudhor me rajonin, Europën e përtej dhe konkretisht, segmentet hekurudhore që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë dhe Bullgarinë, si dhe me Prishtinën. Gjithashtu, rikonstruksioni i rrjetit ekzistues, tha Kryeministri, është projekt i rëndësisë së veçantë që tërheq edhe më tepër vëmendjen, me zhvillimin e portit të Durrësit apo portit të Vlorës, si porte rajonalë.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u shpreh se projektet e kompanisë TECTON janë të mirëpritura dhe kanë mbështetjen dhe garancinë e suksesit nga qeveria shqiptare, sepse lidhja hekurudhore, pas saj rrugore, është një domosdoshmëri jetike për zhvillimin e shpejtë e të qëndrueshëm të vendit.
05/12/2012