Kryeministri Berisha: Shumë shpejt do të nisë rimbursimi financiar për dëmet e pësuara
Kryeministri Berisha tha se, pas përfundimit të procesit të vlerësimit të dëmeve, do të nisë rimbursimi financiar i familjeve për dëmet e pësuara.
“Ne do t’i rimbursojmë kryefamiljarët e familjeve të dëmtuara për të gjitha dëmet. Sapo të përfundoi vlerësimi, Ministria e Financave po bën gati vendimin dhe skemën e disbursimit të shumave për çdo familje, në përputhje me dëmin që ka pësuar”.
Kryeministri tha se në komunikim të autoriteteve vendore të bashkisë Vorë me banorët, si mënyra më e mirë e rimbursimit shihet akordimi direkt i fondit të lekëve familjeve për ndërtimin e shtëpive të tyre.
“Kryetari i bashkisë Vorë, së bashku me kryepleqtë e fshatrave të zonës, - tha Kryeministri - kanë bërë takime të gjëra komunitare dhe po predominon mendimi se mënyra më e mirë për të riparuar është akordimi direkt i fondeve të lekëve familjeve për të ndërtuar shtëpinë e tyre. Kjo mund të jetë edhe mënyra më e shpejtë.”
Kryeministri falënderoi firmat ndërtuese, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në ndërtimin e shtëpive, duke i ftuar që këtë ndihmë t’ua ofrojnë direkt banorëve të kësaj zone.
“Kompani ndërtimi kanë treguar gatishmëri për të dhënë kontributin e tyre, për të ndërtuar vetëm me lekët e kostos. Unë i falënderoj për ofertat që kanë bërë, por i ftoj që këto oferta t’ua bëjnë, nëpërmjet përfaqësuesve të komunitetit, banorëve të zonës, të cilët sipas rastit mund t’i pranojnë ose jo.”
Duke informuar mbi ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve, Kryeministri bëri të ditur se dje kanë operuar 40 grupe vlerësimi, të cilët kanë bërë vlerësimin e 1300 banesave dhe pritet që ky proces të përfundojë shumë shpejt.
“Ekipet, me të gjitha mjetet e domosdoshme për vlerësimin më të saktë, kanë bërë vetëm dje vlerësimin e 1300 banesave, deri tani kryesisht me punonjës të prefekturës dhe të bashkisë. Ata kanë bërë vlerësimin, së bashku me të zotët e shtëpive, të cilët në fund të vlerësimit nuk kanë shprehur asnjë vërejtje dhe kanë firmosur të gjithë dokumentin që identifikonte dëmin material në banesën e tyre. Sot ose nesër përfundon vlerësimi i plotë i dëmit.”
Kryeministri falënderoi dhe përgëzoi të gjithë punonjësit dhe ekspertët e përfshirë në këtë proces, për punën e shkëlqyer që kanë bërë deri tani.