Zhvillohet mbledhja e Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile
Sot pasdite, u zhvillua nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Oketa, mbledhja e radhës e Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile, në të cilën u diskutua mbi masat e ndërmarra së fundmi nga qeveria për përballimin e situatës, si dhe u përcaktuan detyrat për të ardhmen.
Zëvendëskryeministri Oketa informoi se janë ngritur 40 grupe vlerësimi, të cilat sot kanë bërë vlerësimin e 1308 objekteve në vendngjarje.
Gjithashtu, zoti Oketa informoi se në Shtëpinë e Pushimit në Durrës numri i të akomoduarve ka arritur në 400. Personave të akomoduar përveç ushqimit dhe veshmbathjes u është garantuar një shërbim mjekësor 24 orë, si dhe ndjekja e rregullt e mësimit nga të gjithë fëmijët.
Ndër të tjera, në mbledhje u diskutua mbi trajtimin e të sëmurëve në Itali dhe në Greqi dhe u soll informacion për gjendjen e tyre të deritanishme.
Për sa i përket familjeve të viktimave, u diskutua për vendosjen e një shpërblimi financiar, si dhe trajtimin e tyre me një pension të veçantë.