E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton familjen Deliu të prekur nga tragjedia e Gërdecit

Kryeministri Berisha  vizitoi sot paradite familjen Deliu, e cila humbi tre pjesëtarë në tragjedinë e Gërdecit. Kryeministri u shprehu familjarëve ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e rëndë të njerëzve më të dashur, shtëpia e të cilëve ndodhej shume pranë vendit të shpërthimit.

Kryeministri siguroi se qeveria ashtu siç ka informuar gjatë këtyre ditëve, do të ndërmarrë të gjitha masat për dëmshpërblimin deri në imtësi të të gjitha dëmeve të shkaktuara. Deri tani, u shpreh Kryeministri grupet e punës kanë bërë vlerësimin e shumë objekteve dhe pas këtij vlerësimi, do të shpërndahen fondet që do të përcaktohen për çdo familje, sipas dëmeve të pësuara.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se janë të shumta kompanitë e ndërtimit që kanë shfaqur dëshirën për kontribuar në ndihmë të këtyre banorëve, nëpërmjet ndërtimit të shtëpive vetëm me vlerën e kostos. Por, kryeministri garantoi se qeveria do të shohë mundësinë më të mirë për dëmshpërblim, në interes të qytetarëve.

Ndër të tjera, kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur për zbardhjen deri në fund të kësaj çështjeje dhe nxjerrjen në dritë të përgjegjësive, nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent.

Duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e njerëzve më të dashur, familjarët  falënderuan Kryeministrin për vizitën dhe  për angazhimin e tij personal dhe të qeverisë në përballimin dhe lehtësimin e fatkeqësisë së tyre. Ata shprehën besimin se qeveria do të mbajë premtimet e dhëna, lidhur me ndërtimin e shtëpive dhe kompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›