Qeveria do t'u lidhë pension familjeve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit
- Familjeve me shtëpi të pabanuara do t’u jepen 50 mijë lekë për frymë
Këshilli i Ministrave do t'u akordojë dhënien e pensionit familjeve të viktimave nga tragjedia në Gërdec. Vendimi, i propozuar nga Kryeministri Berisha, synon t’u vijë në ndihmë dhe lehtësojë jetën këtyre familjeve, pas humbjes së familjarëve të tyre në këtë tragjedi.
“Sot, i propozoj qeverisë që familjeve të viktimave t’u lidhet pension për të humburit e tyre njëlloj si për ata që bien në detyrë. Kjo është e domosdoshme në mënyrë që, të paktën materialisht, të mund t’u lehtësojmë atyre jetën.”
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave vendosi t’u japë familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekë (të reja) për frymë. Kryeministri Berisha tha se kjo shumë do të shkojë për familjet që gjenden në kushte të veçanta.
“I kam kërkuar Ministrisë së Financave të miratojmë sot një vendim, me të cilin t’u japim familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekë (të reja) për frymë, sepse ata, duke mos qenë në shtëpitë e tyre, kanë probleme dhe janë në kushte të veçanta. Në tërësi, si mesatare kjo përbën rreth 2 milion lekë (të vjetra) për familje. Kjo masë merret për të lehtësuar situatën e veçantë, në të cilën ata ndodhen,” u shpreh Kryeministri.
Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave, për t’i ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, miratoi vendimin për akordimin e një ndihme financiare prej 2 milion lekë (të reja) këtyre familjeve.