E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Situata e përmbytjeve tërësisht e menaxhueshme. Sistemi i digave në siguri të plotë

Sistemi i digave të vendit është në sigurinë më të plotë dhe se sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt.
 
Qytetarët e Dajçit, Obotit, Bushatit do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje.
 
Kryeministri ftoi Komitetin Ndërministror të hapë një numër llogarie, në të cilën do të vendoset edhe një pagë e Kryeministrit si kontribut modest për këto zona. 
 
Kryeministri Berisha në analizën që i bëri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të mbledhur sot pasdite, gjendjes më të fundit të krijuar nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës u shpreh se situata është tërësisht e menaxhueshme dhe nuk ka vend për panik. Kryeministri garantoi qytetarët e Shkodrës se sistemi i digave të vendit është në sigurinë më të plotë dhe se sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt. Duke risjellë në vëmendje përmbytjet më të fundit në këtë zonë, të vitit 2004, Kryeministri tha se shkarkimet kulmore të deritanishme nuk janë as gjysma e shkarkimeve më kulmoreve të vitit 2004.
 
“Në tërësi qytetarët kanë pranuar evakuimin, por, krahas kësaj, ka pasur edhe të pafytyrë e të pamoralë, që janë përpjekur të shqetësojnë qytetin dhe që, sipas të gjitha të dhënave, për qëllime të ulëta politike,” u shpreh Kryeministri
 
Kryeministri Berisha i kërkoi Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile që  krahas përqendrimit në evakuim, si përparësia më absolute, po kaq rëndësi t’i kushtojë post evakuimit. Kryeministri garantoi se “qytetarët e Dajçit, Obotit, Bushatit do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë.”
 
Duke shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve, biznesmenëve, drejtuesve dhe qeveritarëve vendorë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura, Kryeministri Berisha tha se ky solidaritet dhe kjo mbështetje është jashtëzakonisht e çmuar. Kryeministri ftoi Komitetin Ndërministror të hapë një numër llogarie, në të cilën do të vendoset edhe një pagë e Kryeministrit si kontribut modest për këto zona. 
 
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh:
 
“Mbledhja e qeverisë u zhvendos pasdite për faktin se Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile zgjodhi Shkodrën për t’u mbledhur, qarkun në të cilin jemi në emergjencë civile. Duke përshëndetur së pari banorët e Obotit, Anës së Malit, Dajçit, Bushatit, të cilët, në tërësi, i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë vendosur me përgjegjësi të lartë qytetare të evakuohen. Dua t’u adresoj thirrjen time më miqësore atyre që akoma qëndrojnë në zonën e Obotit, Anë e Malit, në Dajc, në zonën e Bushatit, mjaft e mundshme dhe e rrezikuar nga përmbytja, që të evakuohen nga shtëpitë e tyre, duke ndihmuar kështu aktivisht që një situatë realisht e kërcënuese ta bëjnë plotësisht të padëmshme për sa i përket jetëve njerëzore, janë pakrahasimisht më të kushtueshme.
 
Unë gjithashtu dua të përgëzoj policinë, forcat e rendit, autoritetet vendore, komitetin e emergjencës që sot, gjatë gjithë ditës, kanë bërë një menaxhim kompetent, eficent të situatës në zonat e përmbytura. Janë dyfishuar mjetet dhe forcat në të katër anët e zonave të përmbytura. Prania e policisë, e forcave të rendit, forcave të ushtrisë është evidente në të gjitha raportimet e bëra nga mediat e vendit, por edhe nga kontaktet e mia të vazhdueshme me komitetin, drejtuesit, shtabin  e përgjithshëm, policinë e shtetit, autoritetet vendore, kryetarët e komunave dhe se shkalla e angazhimit është e admirueshme. Dua të falënderoj me mirënjohje qindra qytetarë të thjeshtë, biznesmenë, drejtues dhe qeveritarë vendorë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në mënyra nga më të ndryshmet, në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura. Ky solidaritet dhe kjo mbështetje është jashtëzakonisht e çmuar, ndaj unë ftoj komitetin të hapë një numër llogarie, në të cilën të vendosë dhe një pagë të Kryeministrit si kontribut modest për këto zona. 
 
Në qytetin e  Shkodrës, në Baçallëk ka një përmbytje të rreth 300 banesave. Në tërësi qytetarët kanë pranuar evakuimin, por, krahas kësaj, ka pasur edhe të pafytyrë e të pamoralë, që janë përpjekur të shqetësojnë qytetin dhe që, sipas të gjitha të dhënave, për qëllime të ulëta politike. Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës se sistemi i digave të këtij vendi është në sigurinë më të plotë. Por edhe dua t’u rikujtoj atyre dhe mbarë shqiptarëve se shkarkimet e deritanishme, edhe ato më kulmoret, nuk janë as gjysma e më kulmoreve të vitit 2004. Historiku më i fundit i derdhjeve dhe i shkarkimeve është ky:
 
Në 26.3.2004 janë shkarkuar 3017 metër kub në sekondë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Në 27.3. 2004 është shkarkuar, edhe mbi kapacitetin, 6210 metër kub në sekondë. Në 27.3.2004, - atyre që duan ta paraqesin këtë situatë si të paprecedent, nëse e bëjnë nga mungesa e memories, po ua rikujtoj, nëse e bëjmë për qëllime të mbrapshta politike, mjerë ata, - janë shkarkuar 4620 metër kub dhe as është përmbytur qyteti, as nuk ka lëvizur vendi. Ka pasur përmbytje të mëdha në zonë, por qyteti ka mbetur i paprekur. Baçallëku që është sot i përmbytur, në memorien e qytetarëve shkodranë, unë nuk them se nuk ka ndikuar lëshimi i ujërave, por edhe kur nuk kanë ekzistuar diga dhe hidrocentrale Baçallaku ka qenë një zonë që i është nënshtruar përmbytjeve periodike. Ndaj dua të siguroj qytetarët e Shkodrës që digat janë plotësisht të sigurta, se sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt. Përrallat se hapen apo nuk hapen janë tërësisht imagjinatë e sëmurë. Para 3 orësh kam pasur në zyrë kryekspertin e digave të Italisë, të cilit e thirri me urgjencë, nga SHBA-të ku ndodhej, Kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi, që është marrë ‘non stop’ me informacionet që ekziston dhe absolutisht rikonfirmoi atë që ne u kemi konfirmuar qytetarëve shqiptarë, se kjo është një situatë plotësisht e menaxhuara. Natyrisht, largimi nga zona e përmbytjes është veprimi më i mençur, më i qytetëruar, më i përgjegjshëm dhe më i domosdoshëm. Këtu nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë vend për asnjë lloj paniku. Ata që përhapin panik janë të sëmurë. Zoti i ndihmoftë! I ftoj të shkojnë në Dajç, në Obot dhe të shohim nëse veprojnë në panik apo jo qytetarët e Dajçit dhe të Obotit, ndonëse janë të rrethuar me ujë.
 
Zoti ministër unë e përshëndes vendimin tuaj që komiteti ndërministror të ketë gjatë gjithë këtyre ditëve rezidencën në Shkodër, të instaluar aty për të ndjekur nga afër të gjithë problematikën. Ndërkohë, ndonëse ju  e keni pasur vetë parasysh, do të kërkoja që, krahas përqendrimit në evakuim, si përparësia më absolute, po kaq rëndësi duhet t’i kushtoni post evakuimit. Në traditën më të shkëlqyer shqiptare janë hapur dyert dhe zemrat e qindra familjeve dhe i kanë marrë në shtëpitë e tyre. Ndonëse ne i kemi të gatshëm, përveç turizmit dhe konvikteve, të dy konvaleshencat dhe po të jetë e nevojshme shumë e shumë lokale dhe ndërtesa të tjera. Por këta qytetarë që kanë hapur dyert dhe zemrat për njerëzit e tyre duhet të ndihmohen. Ndaj, kur thashë post evakuim, kërkoj që të dërgohet ndihma. Komuna të fillojë regjistrimin e familjeve që është dyfishuar tani me pjesëtarë dhe të asistohet me ushqime, ilaçe e të gjitha mjetet. Kjo ka rëndësi shumë të madhe.
 
Së fundi, dua t’u deklaroj edhe njëherë, ndonëse ata më besojnë mua, qytetarëve të Dajçit, Obotit, Bushatit se do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë. Kjo nuk mund të ndodhë. Qeveria ime ka mbështetur dhe do të mbështesë, - e ka faktuar dhe do ta faktojë - çdo qytetar që pëson nga faktorë madhorë, në raste të tjera dhe jo madhorë. Por në rastin konkret ligji i digave, që në Tiranë u bë letër pa vlerë, atje do të jetë ‘omni potent’, do të zbatohet me përpikmëri. Ligji i digave njeh përgjegjës poseduesin e digës për të gjitha pasojat që rrjedhin nga diga. Jam këtu për të garantuar qytetarët e këtyre zonave dhe të çdo zone kudo që ndodhen se ky ligj do të zbatohet me rigorozitetin më të plotë. E shkuara nuk mund të përsëritet.
 
Zoti kryetar, historiku i përmbytjeve dëshmon se në periudha të caktuara në vend, ato kanë qenë të zgjatura dhe këtë nuk mund të them se i zgjatën kundërshtarët e mi, i zgjati natyra. Mendoj se një studim i lumit Buna duhet të bëhet. është jashtë çdo lloj mundësie që ne të ndërmarrim një thellim të suksesshëm dhe të shpejtë të saj, kjo është e pamundur, sepse vëllimi është i tillë, por ai të studiohet në rast se gjenden grumbullime që e kanë vështirësuar rrjedhën dhe mund ta lehtësojnë, këtë duhet ta shqyrtojmë dhe të përgatitemi, ndonëse këtë nuk e e zgjidhim në një javë apo dhjetë ditë, por të paktën, në rast se ekzistojnë, të mund të krijohet njëtrajtësia e shtratit dhe për këtë të pyeten ekspertët. Sikundër të studiohet mundësia e disponimit të sistemit të pompave të lëvizshëm më të fuqishëm, në mënyrë që pas ndërprerjes së shkarkimeve, për të cilat nuk mund të themi se kur do të jetë, por të mund të jemi shumë aktivë në evakuimin e ujërave nga territoret e përmbytura që sot janë mbi 4 mijë hektarë.
 
Kjo ishte lidhur me zonën e emergjencës, zonë e cila është në situatë emergjente, por po bëhet një punë me vetëmohim e bindësi nga kryetarët e komunave, kryepleqtë e fshatrave, nga banorët dhe në tërësi deri tani janë evakuuar mbi 2600 qytetarë, por sërish kanë ngelur një numër që duhet me çdo kusht të evakuohet.”
07/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›