Kryetarja e Kuvendit në zonat e prekura nga përmbytja, takohet me banorët: Ju lutem bashkëpunoni për shpëtimin e jetëve.Jozefina Topalli: Ndërtimi i argjinaturave nga Qeveria në 2006, shpëtoi zonën nga katastrofa."
Situata në zonat e përmbytura po përballohet me efikasitet maksimal si asnjëherë më parë. Ndërtimi i argjinaturave nga Qeveria në vitin 2006, shpëtoi zonën nga katastrofa, tha sot Kryetarja e Kuvendit e cila, ashtu si për çdo ditë ka ndjekur në vijimësi situatën në zonat e prekura nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës.
Ajo ishte sot në komunën Dajç për të parë nga afër në terren situatën më të fundit ku takoi banorët e këtyre zonave dhe më pas, së bashku me Kryeministrin Berisha, ministra, deputetët e këtij qarku, prefektin dhe përfaqësues të pushtetit lokal mori pjesë në mbledhjen e Shtabit të emergjencës.
Në takimet me banorët, Kryetarja e Kuvendit, duke garantuar se çdo strukturë e shtetit është në këmbë si asnjëherë më parë, u kërkoi banorëve bashkëpunim për evakuimin e familjeve, grave e fëmijëve, dhe i cilësoi heronj ushtarët, të cilët në këto ditë të vështira dhe me këtë mot të paimagjinueshëm, po tregojnë përgjegjshëmri maksimale.
Ajo që unë kam për detyrë ti them banorëve si deputete e kësaj zone, ju lutem largohuni nga zona, ju lutem bashkëpunoni me ushtrinë, me shtetin për shpëtimin e jetëve. Ajo është gjëja më e shtrenjtë qe kemi. Dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të këtij moti të çmendur do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti, tha ajo.
Duke falënderuar qeverinë për ndërtimin e argjinaturave në vitin 2006, Kryetarja e Kuvendit tha se ndërtimi i këtyre argjinaturave bëri të mundur evitimin e një katastrofe.
Këtë kohë, tha ajo, nuk e mbaj mend prej vitesh. Gjadri është mbushur, Kiri, Drini, dhe janë bashkuar me Bunën që është në nivelin më të lartë që smbahet mend. Është një situatë e jashtëzakonshme.
Unë jam rritur në këtë zonë dhe nuk mbaj mend një situatë të tillë, por jemi në kushte të kotrollit të kësaj situate për shkak të dy arsyeve kryesore. Për këtë dua të shpreh mirënjohje qeverisë që në vitin 2005-2006 filloi të ndërtojë argjinaturarat e Kirit gjë që bëri të mundur që në këto kushte të motit të çmendur të mos kemi kushte katastrofike.
Po ashtu, argjinatura 14 kilometër që në 2006-2007 është ndërtuar shumë shpejt në zonën e Dajçit ka bërë të mundur që mos të jemi në kushte të katastrofës.
Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht edhe deputete e këtij qarku iu drejtoi edhe një herë lutjen e saj banorëve të zonës që të largohen, pasi moti është i paparashikueshëm.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi prefektin që ka qënë në krye të kësaj pune ushtrinë, policinë, punonjësit e mirëmbajtjes, punonjësit e ndërmarrjes së kullimit, të shëndetësisë dhe të gjithë ata që gjatë gjithe kësaj periudhe kanë treguar se vetësakrifikojnë, se janë tërësisht në funksion të mbështetjes dhe ndihmës së qytetarëve.
Interesit të gazetarëve nëse do të vijojnë shkarkimet sot në Vaun e Dejës, Kryetarja e Kuvendit iu përgjigj:
Prurjet janë të mëdha. Jo vetëm gjatë dy javëve të fundit, por edhe gjatë muajve dhe javëve më parë nga ana e teknicienëve ka pasur një përgjegjësi të jashtëzakonshme për një shkarkim gradual të hidrocentraleve. Është në nivele të papara Drini. Kiri, Gjadri. Buna liqeni. Natyrisht detyra jonë është që të ndalojmë rreziqet shumë më të mëdha dhe teknicienët kanë treguar përgjegjësi me shkarkimet graduale prej javësh të hidrocentralit.
Dua ti falënderoj sepse nuk ka ndodhur si në vitin 2003 kur pa lajmëruar banorët, kanë shkarkuar 2300 meter kub në sekondë ujë nga Vau i Dejës, duke përmbytur qytetin e jo më këto zona.