E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret të dërguarin special të Kryeministrit italian Silvio Berluskoni për situatën e krijuar nga përmbytjet

Kryeministri Prof.Dr. Sali Berisha priti në takim të dërguarin special të Kryeministrit italian Silvio Berluskoni për situatën e krijuar nga përmbytjet, z. Roberto Guercio, këshilltar special i Kryeministrit Berluskoni për Komitetin e Mbrojtjes së Digave në Itali.
 
Zoti Guercio i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit italian Berluskoni, duke theksuar se Kryeministri  Berluskoni urdhëroi kthimin e tij me urgjencë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, për të siguruar mbështetjen totale të qeverisë italiane në kapërcimin e kësaj situate plotësisht të menaxhueshme, siç u shpreh ai.
 
Zoti Guercio theksoi se e njeh situatën në Shqipëri, digat dhe specifikat e tyre, si dhe kompetencën e inxhinierëve dhe teknikëve shqiptarë, duke u shprehur i bindur se kjo situatë është plotësisht e kapërcyeshme. “është e rëndësishme, - u shpreh ai - që qytetarët të shohin dhe të vlerësojnë që autoritetet dhe profesionistët po përballojnë me seriozitet situatën, duke qenë të sigurt në administrimin e asaj që ka ndodhur dhe në projeksionin e evenimenteve që do të vijnë”.
 
Kryeministri Berisha shprehu falënderimet më të ngrohta për Kryeministrin Berluskoni dhe qeverinë italiane për përgjigjen e shpejtë të tyre në ndihmë të përballimit të situatës së krijuar. Kryeministri e njohu të dërguarin italian me situatën e krijuar si rezultat i prurjeve të jashtëzakonshme ujore në basenin e Drinit, si dhe me problematikat e shkarkimeve të ujit përgjatë të gjithë kaskadës së Drinit dhe me problemet e përmbytjeve në ultësirën e nën-Shkodrës. Z.Berisha shprehu seriozitetin me të cilin shteti shqiptar ka përballuar situatën, si dhe  theksoi prioritetin e qartë dhe të prerë të qeverisë për moshumbjen e jetëve të njerëzve në këtë proces.
 
Z Roberto Guercio si dhe ambasadori italian, z. Saba D’Elia ofruan mbështetjen dhe asistencën e tyre dhe të shtetit italian në përballimin e kësaj situate, qoftë në aspektin e sigurisë së digave, qoftë në aspektin e emergjencave civile. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar vendin tonë jo vetëm në përballimin e këtij momenti të vështirë, por dhe në trajtimin e çështjes së sigurisë së digave në një hark kohor më afatgjatë
 07/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›