Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha për situatën në zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës

- Kryeministri Berisha i bën thirrje banorëve të komunës së Dajçit, komunës Ana e Malit dhe në komunës së Bushatit të evakuohen
Gjatë një konference për media, Kryeministri Berisha kërkoi edhe një herë sot nga banorët e komunës së Dajçit, komunës së Anë Malit dhe në komunës së Bushatit që të evakuohen. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha i siguroi banorët e këtyre zonave se qeveria do të do të jetë tërësisht në mbështetje të tyre, por është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi nga ana e tyre për kapërcimin e kësaj situate natyrore tejet të veçantë.
Kryeministri Berisha u shpreh se për përballimin e kësaj situate ka një mobilizim total dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, i cili është mbledhur sot në mesditë në qytetin e Shkodrës, do të raportojë pasdite në mbledhjen e qeverisë dhe mbi bazën e propozimeve të tyre mund të merren edhe vendime të tjera për situatën.
Duke përsëritur edhe një herë kërkesën për evakuim të banorëve nga këto zona, Kryeministri u shpreh se nuk kemi asgjë më të çmuar se sa jeta e këtyre qytetarëve dhe vendimi më i mençur e më i guximshëm është largimi nga zona e përmbytjes.
Deklarata e plotë e Kryeministrit Berisha:
“Jam këtu sot për t’u drejtuar një thirrje të gjithë qytetarëve të komunës Dajç, komunës Ana e Malit dhe komunës Bushat që të evakuohen dhe të largohen nga territoret e rrezikuara. Në këtë moment nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa largimi dhe evakuimi i tyre, në përputhje me kërkesën e autoriteteve shtetërore që operojnë në atë zonë.
Natën që kaloi prurjet në Fierzë janë mbi dyfishuar dhe kanë arritur në 1800 m3/s. Prurjet në Koman janë mbi dyfishuar dhe për të ruajtur nivelin e pranueshëm të liqeneve, kusht vendimtar ky në këtë situatë, është imponuar rritje e mëtejshme e shkarkimeve prej tyre. Ne ndodhemi në një situatë ku, mesa duket dhe sipas të gjitha stacioneve sinoptike, reshjet do të vazhdojnë. Ne nuk kemi asgjë më të çmuar se sa jetën e këtyre qytetarëve. Vendimi më i mençur dhe më i guximshëm është largimi nga zona e përmbytjes.
Edhe një herë dua t’i garantoj banorët se qeveria do të jetë tërësisht në mbështetje të tyre, por është i domosdoshëm bashkëpunimi në kapërcimin e kësaj situate natyrore tejet të veçantë. Nuk mund të shmangen derdhjet dhe shkarkimet e liqeneve. Autoriteti i mbikëqyrjes së digave është i detyruar të zbatojë me përpikmëri rregulloren dhe po vepron në mënyrë tërësisht të bazuar në rregulloren e administrimit dhe menaxhimit të digave. Ky është interesi më i mirë i të gjithë qytetarëve të vendit.
Ndaj, edhe një herë, thirrja ime për qytetarët e komunës së Dajçit, komunës Ana Malit, tani edhe të komunës së Bushatit është të largohen, të evakuohet dhe të dalin jashtë zonës së rrezikut. Argjinatura në Dajç funksionon, por nuk mund të rrihet kurrë duke bazuar në funksionimin e saj. Ndaj, u bëj thirrje qytetarëve të këtyre tre komunave, veçanërisht atyre të Bushatit, të cilët ende nuk kanë përmbytje, që të largohen, të evakuohen dhe të dalin në një zonë më të sigurt.
Dua t’ju informoj se Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile është i tëri në Shkodër dhe ka zhvilluar atje mbledhjen e tij të punës. Komiteti Ndërministror do të referojë pasdite në mbledhjen e qeverisë, e cila u shty për pasdite për këtë shkak, dhe mbi bazën e propozimeve të tyre mund të merren edhe vendime të tjera për situatën. Ndërkohë Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile duke parë situatën në vend ka bërë të gjitha kërkesat. Po dyfishohet prania e ushtrisë, prania e policisë dhe të gjitha mjeteve në mbështetje të popullatës.
Qeveritarët vendorë, me të cilët unë kam komunikim të vazhdueshëm, janë në krye të detyrës. Komiteti i Emergjencës Civile në Shkodrës është i tëri në krye të detyrës. Pra, ka një mobilizim total. Sapo fola me kryetaren e Parlamentit dhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës dhe ka një mobilizim total për një përballim të kësaj situate. Situata do të menaxhohet, por kemi një kusht: njerëzit duhet të largohen nga zonat e rrezikuara, nga Bushati, nga Dajçi dhe nga Ana e Malit”.
Më pas, Kryeministri Berisha i’u përgjigj interesit të medias:
Pyetje: A është kjo situatë si pasojë e moszbatimit të rregullave të digave, para se të tejmbusheshin liqenet?
Kryeministri Berisha: Spekulimi në një kohë të tillë dëshmon një amoralitet të madh. çdo qytetar, çdo gazetar dhe çdo politikan është i thirrur që të shkojë dhe të kontrollojë të gjithë regjistrin elektronik të të gjithë treguesve të kaskadës së Drinit, të prurjeve, të niveleve, të shkarkimeve dhe t’i krahasojë me rregulloren, e cila është një rregullore e vitit 1988, ndodhet në shumë kopje dhe mund t’ju bëhet disponibël edhe juve. E them që është në shumë kopje pasi, rastësisht, dëgjova një zë që me papërgjegjshmëri të plotë deklaronte se nuk gjendet rregullorja. Rregullorja është zbatuar pikë për pikë. Rregullorja përcakton kuotat për çdo sezon dhe unë mund t’ju garantoj se pa arritur kuota më e lartë e përcaktuar për sezon, grupi i emergjencës së KESH-it ka filluar shkarkimet. Komani deri në 10-ditshin e fundit kur janë shtuar reshjet është mbajtur në nivelin 170 metra, që është niveli minimal dhe të gjitha këto janë të regjistruara. Askush nuk duhet të mendojë se do të nxjerrë përfitime nëpërmjet mashtrimit. Aty është një sistem tërësor elektronik i regjistrimit të parametrave, i cili bëhet me përgjegjësi të plotë. Korporata ka zbatuar me përpikmëri atë që shkruhet në nenet e rregullores. Të gjitha të tjerat janë mashtrime amorale të atyre që mendojnë se mund të nxjerrin përfitime duke mashtruar qytetarët.
Zoti Kryeministër, opozita ju akuzon se qeveria po merr përsipër dëmshpërblimet pasi ajo është fajtore për situatën e krijuar?
Kryeministri Berisha: Kjo është një qeveri demokratike. Për këtë qeveri siguria e qytetarëve është e para. çfarëdo që t’u ndodhë qytetarëve shqiptarë, cilado që të jetë fatkeqësia natyrore, qeveria është dhe do të jetë pranë tyre. Ky është rregulli i sigurisë. Ra tërmeti në Dibër, ne llogaritëm dëmet e tërmetit dhe dëmshpërblimet; u bë shembja në Kavajë, pati tërmet dhe shembje, të gjitha vilat u rindërtuan; ndodhi përmbytja, një për një do të kompensohen, por këta kanë edhe një specifikë. Kjo vërtetë është një fatkeqësi natyrore, por është një lëshim i imponuar i ujërave për shkak të sigurisë kombëtare. Në mënyrë absolute, sa herë që të detyrohemi për të hapur portat banorët do të kompensohen qindarkë për qindarkë. Kjo nuk mund të ndryshojë. Kjo është një qeveri që ka buxhetin, por sikur të mos kishte as edhe një qindarkë, të gjitha paratë e energjisë që po shitet do t’u kalojnë atyre. Ne do t’i kompensojmë ata. Ky është detyrim dhe është në konceptin e sigurisë. Gjithashtu, është e vërtetë që urdhrin për hapjen e portave po e japin autoritet shtetërore, po e jep KESH-i, por vërteta është që jep urdhër dhe po zbaton rregullat në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, përfshirë edhe ata që po përmbyten, të cilët sot janë fatkeqit. Nuk mund të pranohet dhe nuk mund të kërcënohet kurrë gjysma e Shqipërisë me tejmbushjen e hidrocentraleve. është shumë e thjeshtë, ka një rregull të përcaktuar dhe ne i qëndrojmë. ç’ është e vërteta, më parë janë mbytur dhe nuk janë kompensuar, por ne do t‘i kompensojmë për çdo qindarkë. Gjithashtu, media po bën një punë të mrekullueshme dhe të pazëvendësueshme. Unë i ndjek të gjitha raportimet e tyre nga terreni dhe janë jashtëzakonisht të dobishme, pavarësisht nga ndonjë moment i veçantë teatraliteti që është i pranueshëm në fantazinë e gazetarit, por në tërësinë e tyre raportet janë shumë të dobishme dhe serioze. Kjo është situata dhe ne po e ndjekim.
Mund t’ju them se është informuar NATO, qendra e emergjencës, pasi ne jemi vend anëtar i NATO-s. Kryeministri Silvio Berluskoni ka dërguar këshilltarin e tij kryesor për energjinë, i cili është njëkohësisht kryetar i Komitetit të Digave të mëdha të Italisë. Pas pak unë kam takim me të. Po ashtu, qeveria mike austriake ka kërkuar të dijë se cilat janë nevojat tona për ndihma me qëllim që të na i ofrojnë. Qeveria e Maqedonisë dhe qeveria e Kosovës janë të vendosur të na ndihmojnë. Kjo është një situatë, të cilën ne do ta menaxhojmë dhe do ta kapërcejmë. Nuk ka vend për panik, por ka vend për qëndrim më të vendosur, më të mençur dhe serioz. Mbrëmë janë dyfishuar shkarkimet, pasi u dyfishuan prurjet. Aty ka një grup që zbaton rregulloren dhe ata, të cilët akuzojnë, bëjnë mirë të shkojnë të marrin rregulloren, të marrin të dhënat dhe t’i krahasojnë.
Për disa ditë me rradhë, ju dhe pushtetarë të tjerë qëndrorë e lokalë po përsërisni apelin drejtuar banorëve që të evakuohen, por ka një rezistencë nga ana e tyre. A do të evakuohen ata me forcë nga forcat e ushtrisë?
Kryeministri Berisha: Ne jemi përpjekur shumë që të ecim me bindje, por ne, në rast se do të detyrohemi, do të veprojmë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Nëse detyrohemi për të shpëtuar jetët e njerëzve, ne do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në atë zonë, pasi ata nuk mund të humbasin jetën. Ne e shohim që moti është i papërmbajtur, por ne duhet të bëjmë çdo gjë që të kursejmë jetën e njerëzve. Më pas, po të jetë e mundur, të kursejmë edhe çdo gjë të gjallë. Ndërsa për të tjerat ne kemi faktuar që rindërtojmë. Secilit prej tyre do t’i kompensohet dëmi që do t’i bëhet nga kjo përmbytje.
Zoti Kryeministër, a jemi sot në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme? A keni ju kërkesë nga pushteti vendor për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme apo ajo do të bëhet në një moment më të vonë, kur jeta e banorëve është më në rrezik?
Kryeministri Berisha: Pikwrisht kjo ishte dhe njw nga arsyet qw Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile u mblodh në Shkodwr. Unë pres vlerësimet e tyre dhe Këshilli i Ministrave wshtw ai që e vendos. Unë nuk e përjashtoj, ky vendim mund të merret edhe sot. Në kompetencën e këtij Komiteti, një nga pikat në ligj për këtë Komitet, është edhe vlerësimi i tij dhe propozimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Atje është i gjithë komitetit, i cili do të vlerësojë situatën dhe do t’i sugjerojnë qeverisë sot pasdite në se do të marrin vendimin apo jo. Natyrisht, për të thënë atë që është, ne buzë saj jemi.
Ka një përllogaritje të faturës financiare të dëmeve deri në këto momente?
Kryeministri Berisha: Në këtë moment ka vetëm një llogari, shpëtimi i jetës së njerëzve. E gjithë fatura do të llogaritet pasi të zbresin ujërat dhe dëmet janë të pamohueshme. Ajo është një zonë me një pjellori të jashtëzakonshme, është një zonë e mrekullueshme. çdo gjë do të llogaritet, por tani jemi të përqendruar te jetët e njerëzve. Ne do të shpëtojmë çdo qytetar në atë zonë, pastaj i bëjmë të tjerat.
Për sa i përket qytetit të Shkodrës, a përben rrezik liqeni për përmbytjen e këtij qytetit dhe si paraqitet situata në digat e Ulzës dhe Shkopetit?
Kryeministri Berisha: Ka një fryrje të lehtë të liqenit, por pjesa e Shkodrës që përmbytet dhe ky është i njohur Bahçallëku do të evakuohet. është duke u evakuuar dhe janë shumë familje që kanë lënë shtëpitë. Ajo zonë, të jem i sinqertë, është përmbytur shumë herë, pasi është e ulët. Ne diskutuam nëse ka mundësi të mbrohet, por një mbrojte i ka dhënë edhe rruga hyrëse për në Shkodër, e cila ka lartësuar, por sërish një pjesë është e ulët. Ne po e ndjekim situatën, por nuk ka ndonjë shqetësim përveç Bahçallëkut.
Situata e Ulzës dhe Shkopetit janë në shkarkim. Këto hidrocentrale vazhdojnë shkarkimin, por siç keni konstatuar dhe ju argjinatura ka funksionuar shumë mirë dhe ne në rrethin e Kurbinit dhe të Lezhës. Nëse përpara nga Drini dhe Mati përmbyteshin me mijëra hektarë, ne kësaj herë përmbytje kemi pasur vetëm nga ajo dallgë e fuqishme e detit. Se çfarë qe ajo nuk u mor vesh qartë. Nuk mund t’a them dot nwse ishte një stuhi e madhe, ngrohje globale apo pati lidhje me eklipsin, pasi pozicioni i hënës ndikon në lëvizjen e ujërave të detit, por ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Ka qenë më e fuqishme në Greqi, ku ka krijuar shumë probleme. Ne nuk kemi territore të përmbytura në rrethin e Kurbinit dhe të Lezhës. Kanë funksionuar shumë mirë investime e bëra.
Ju u shprehët se jemi në prag të katastrofës natyrore, në fakt është thjesht një katastrofë natyrore dhe nuk ka asnjë përgjegjësi njerëzore dhe institucionale për aktorët e tjerë apo ka nevojë për një analizë?
Kryeministri Berisha: Jam shprehur se jemi në prag dhe çfarë kam nënkuptuar me të. Kam nënkuptuar gjithnjë rrezikun e madh për jetët njerëzore. Për të tjerat ndjej keqardhje dhe dhimbje, por qeveria qëndron tërësisht pranë fermerëve të Dajçit dhe të Ana e Malit, për t’i kompensuar ata një për një. I ka të gjitha mjetet, i ka të gjitha fuqitë dhe ne e riparojmë. Për sa i përket përgjegjësisë, mendoj se është në interesin tënd më të mirë të shkosh në Korporatë dhe të marrësh të gjithë treguesit dhe rregulloren. Korporata ka zbatuar me përpikmëri rregulloren. Për problemet e larta, aty është i gjithëfuqishmi dhe ne jemi të pafuqishëm për ato. Por problemet në tokë, ne po bëjmë çdo gjë që t’i menaxhojmë. Mund të thuhet se kur Valbona apo i gjithë baseni i Drinit merr 4mijë metër kub shkarkime në sekondë, do të ishte po të mos qe rregullorja. Rregullorja është zbatuar me përpikmëri, shkarkimi ka filluar në kohë, kuotat janë mbajtur në nivelin që përcakton rregullorja. Dhe mendoj se është në interesin tuaj që të merrni rregulloren, të merreni kuotat, të merrni shkarkimet të merrni nivelet, sepse ka një gjë. Përdorimi i fatkeqësisë për propagandë, të çon në një lloj transformimi, që ngjet si korb që ushqehet me viktimat e fatkeqësisë dhe kjo është jashtë çdo lloj standardi. Ku është përgjegjësia? Nuk u zbatua rregullorja? Nuk ekziston rregullorja thonte një mitoman, I cili ishte përzgjedhur që për një shumë lekësh të gënjejë. është e hidhur. Unë i them këtij inxhinieri mitoman të shkojë dhe të marrë një kopje të rregullores. Ai ishte paguar për atë që thoshte.
Pyetje: Zoti Kryeministër, përse është e nevojshme gjendja e jashtëzakonshme. çfarë do të bëjë më shumë qeveria, ku ndryshon gjendja e jashtëzakonshme nga gjendja e emergjencës?
Kryeministri Berisha: E patë një ditë një lajm ku thuhej “Lajm i mirë për qeverinë, lajm i keq për popullatën”. Dhe cili ishte lajmi? Lajmi ishte se po ftohej moti, po binin prurjet dhe kjo ishte e mira e qeverisë. Ndërsa e keqja ishte se po vështirësohet jeta e qytetarëve në dëborë. Ata që kanë formuluar këtë lajm duhet t’u kërkojnë të falur banorëve në zonat e përmbytura. Ky ishte një lajm i SMS-ve, sepse gazetari nuk formulon kurrë një lajm të tillë. Këto lajme janë produkt i SMS-ve që mund të vijnë edhe nga mijëra kilometra larg, por po e lëmë këtë.
Atëherë, çfarë është gjendja e jashtëzakonshme? Të jem i sinqertë, gjendja e jashtëzakonshme nënkupton largimin detyrueshëm të njerëzve nga zona e përmbytur. Po ashtu, nënkupton mobilizimin me ligj të të gjitha resurseve që nevojiten. Për shembull tani po i mobilizojmë peshkatarët, por kundërt një pagese të përshtatshme. Të gjitha ato që po i kërkojmë tani po i kërkojmë në kushtet e tregut dhe duke e njohur atë, ndërsa në gjendje të jashtëzakonshme ndërhyjnë rregulla të tjera, do t’i përgjigjesh thirrjes dhe ka ligje të veçanta. Ne qëllimin më kryesor kemi largimin e njerëzve. Ky është preokumi ynë numër 1.
07/01/2010