E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, dokument bazë për realizimin e projekteve madhore të integrimit në BE dhe NATO

Komiteti i Planifikimit të Strategjive diskutoi sot, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI). Kryeministri Berisha e konsideroi Strategjinë dokumentin themelor të zhvillimit dhe realizimit të projekteve të mëdha të vendit, integrimit në Bashkimin Europian dhe  në NATO.

“Strategjia synon përshtatjen e ‘acquis commnautaire’, të domosdoshme që Shqipëria dhe shqiptarët të integrohen në BE, të standardeve europiane të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit në përputhje me normat, parimet dhe kriteret e përcaktuara nga BE-ja,” u shpreh Kryeministri. 

SKZHI, vijoi më tej Kryeministri, përbën dokumentin themelor edhe për projektin e konsolidimit në Shqipëri të standardeve të Kopenhagenit, që në thelbin e tyre kanë funksionimin e shtetit ligjor.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim përbën një transformim të dokumentit të mëparshëm të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social, e hartuar në filozofinë  e Bankës Botërore e që udhëhiqej nga parimi i zhvillimit dhe i luftës kundër varfërisë.

“SKZHI, - theksoi Kryeministri - e përshtat plotësisht dokumentin e mëparshëm me kërkesat dhe prioritet e partneritetit evropian, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe me detyrimet që dalin pas fitimit nga ana e Shqipërisë të statusit të kandidatit dhe zbatimit të marrëveshjes së aderimit të plotë të vendit në BE.”

Kryeministri shprehu falënderimet për të gjithë ekipin e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj që punuan për hartimin e Strategjisë, shoqërinë civile, botën akademike dhe median për rolin dhe kontributin e tyre gjatë diskutimit të saj me grupet e interesit.

Kryeministri theksoi se kjo Strategji do të shërbejë në vitet e ardhshme si dokument bazë për të gjitha ligjet, vendimet dhe reformat që do të ndërmerren.

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, Komiteti i Planifikimit të Strategjive ka si çështje të rendit të ditës miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, dokumentit më themelor të zhvillimit dhe të realizimit të projekteve të mëdha të vendit, projektit të integrimit në Bashkimin Europian dhe  në NATO, si dhe projektit të  konsolidimit në Shqipëri të standardeve të Kopenhagenit, standarde dhe kritere të domosdoshme për një vend demokratik, që në thelbin e tyre kanë funksionimin e shtetit ligjor.

Kjo Strategji synon përshtatjen e ‘acquis communautaire’, të domosdoshme që Shqipëria dhe shqiptarët të integrohen në BE, të standardeve europiane të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit në përputhje me normat, parimet dhe kriteret e përcaktuara nga BE-ja.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim përbën një transformim të dokumentit të mëparshëm që ishte Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social, e hartuar në tërësi në filozofinë e Bankës Botërore, që udhëhiqej nga parimi i zhvillimit dhe i luftës kundër varfërisë. SKZHI nuk bën një përmbysje të kësaj Strategjie, por një përshtatje të plotë të saj me kërkesat dhe prioritet e partneritetit europian dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE-në, si dhe detyrimet që dalin pas fitimit nga ana e Shqipërisë të statusit të kandidatit dhe zbatimit të marrëveshjes së aderimit të plotë të vendit në BE.

Strategjia ka kontributet e mëdha të dhjetëra e ekspertëve, ndër më të mirët, shqiptarë e të huaj. Kjo Strategji do të zbatohet gjatë viteve në vazhdim dhe është shumë e rëndësishme pasi do të shërbejë si dokument bazë për të gjitha ligjet, vendimet dhe reformat që do të ndërmerren,  në mënyrë që ajo të konkretizohet dhe të mishërohet në themel të zhvillimit të vendit.

Në hartimin e Strategjisë ka pasur një diskutim shumë të gjerë me të gjitha grupet e interesit, me shoqërinë civile, të cilën dua ta falënderoj për rolin, përkushtimin dhe kontributin real që ka dhënë në hartimin e saj, me botën akademike universitare, median etj..”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›