E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha u takua me Ambasadorin e ri të Republikës Popullore të Kinës, Wang Jungling

Kryeministri Berisha mirëpriti sot Ambasadorin e ri të Republikës Popullore të Kinës, Wang Jungling.

Kryeministri Berisha i përcolli Ambasadorit Jungling vlerësimet maksimale për ish Ambasadorin Tien dhe punën e tij në vendin tonë.

Duke i uruar Ambasadorit Jungling mirëseardhjen në Shqipëri, Kryeministri  i shprehu vlerësimin e tij për marrëdhëniet mbi baza solide të miqësisë midis dy vendeve dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kinës në fusha të ndryshme.

Kryeministri Berisha u shpreh se mbi këtë bazë marrëdhëniesh tradicionale miqësie midis dy vendeve duhet të bëhen më shumë përpjekje për të shtuar investimet kineze në vendin tonë, që janë të mirëpritura dhe do të mbështeten fortësisht nga qeveria dhe strukturat e saj.

Më tej, Kryeministri Berisha ritheksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të mbështetur mosndarjen e Tajvanit nga Kina, për një Kinë dhe një shtet kinez.

Nga ana e tij, Ambasadori Wang Jungling, falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, i shprehu atij vlerësimin mjaft pozitiv të qeverisë kineze për zhvillimin dhe arritjet e Shqipërisë në këto vite, si dhe shprehu gatishmërinë e Kinës për të ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin në fushën ekonomike, në tregti, bujqësi, radiotelevizion, kulturë etj., në të mirën e të dy vendeve dhe popujve tanë.

Ambasadori i Kinës në Shqipëri falënderoi Kryeministrin Berisha për pozicionin e palëkundur të Shqipërisë në trajtimin e çështjes së Tajvanit, fakte këto që Kina i vlerëson mjaft.

Gjatë bisedës palët diskutuan dhe mbi çështjen e statusit të Kosovës, ku Kryeministri Berisha ritheksoi përkrahjen e pavarësisë së Kosovës mbi bazën e Planit “Ahtisaari”, si dhe vlerësoi pozitivisht qëndrimin e Kinës mbi këtë problem, si problem që duhet zgjidhur nga BE dhe i përket BE-së.

Ambasadori Jungling u shpreh se Kina, si anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit do të luajë të gjithë rolin e duhur për këtë çështje, në interes të paqes dhe sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, Ambasadori Jungling theksoi se Kina respekton dëshirën dhe përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimi në NATO dhe BE, përpjekje për të cilat Shqipëria po realizon me sukses reforma të rëndësishme në shumë fusha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›