Vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme z.Lulzim Basha në Selinë e Shenjtë

Më datë 4 dhjetor 2007 Ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha zhvilloi një vizitë zyrtare ne Selinë e Shenjtë.
Z. Basha u takua me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet Monsinjor Dominik Mamberti me të cilin diskutuan një sërë çështjesh të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë si dhe rreth zhvillimeve ndërkombëtare, me fokus mbi cështje të rajonit, politikën e fqinjësisë së mirë të shtetit shqiptar në funksion të paqes e stabilitetit.
Zoti Basha përsëriti qëndrimin e njohur te qeverisë shqiptare për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së statusit të Kosovës. Nga ana e tij, Monsinjor Dominik Mamberti shprehu shqetësimin për situatën në Kosovë dhe mbështetjen për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e saj.
Në kuadrin dypalësh, Ministri Basha theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, duke i vlerësuar ato si shumë të rëndësishme.
Më tej zoti Basha e njohu bashkëbiseduesin e tij me ecurinë e reformave ne Shqipëri, veçanërisht me ato që lidhen me proceset integruese te Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.
Të dy palët vlerësuan nënshkrimin e dy marrëveshjeve të fundit, në fushën e mjekësisë dhe atë ekonomike e fiskale.
Bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e shëndetësisë, si dhe të arsimit u vlerësua nga Ministri Basha si shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, për të cilin Sekretari Mamberti premtoi për angazhimin e tij dhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë për të ndihmuar në këtë drejtim.
Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, Monsinjor Dominik Mamberti e priti me kënaqësi ftesën e Ministrit Basha për të vizituar Shqipërinë dhe u shpreh për realizimin e saj në një kohë të afërt.
5/12/2007