Kryeministri Berisha: TI shpall qeverinë shqiptare kampione në përpjekjet dhe luftën kundër korrupsionit në vend
- “Qeveria e ‘duarve të pastra’ u faktoi shqiptarëve se kjo platformë, sado e vështirë, është platformë e suksesit. Rezultatet e arritura janë thjesht inkurajim shumë herë më i madh për të vazhduar këtë betejë dhe për të parakaluar në këtë garë të vështirë, çdo vit e më shumë vende, derisa ta vendosim Shqipërinë dhe shqiptarët aty ku e meritojnë.”
Kryeministri Berisha përshëndeti sot indeksin e vlerësimit në luftën kundër korrupsionit, të publikuar një ditë më parë nga Transparency International, që e rendit Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit në këtë luftë. Duke u ndalur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në indeksin e publikuar nga TI, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë rezultat i suksesit të përpjekjeve të qeverisë dhe platformës së ‘duarve të pastra’ në luftën kundër korrupsionit.
Në vlerësimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Dje, Transparency International botoi vlerësimin e saj në planin e luftës kundër korrupsionit të 180 vendeve të botës. TI është organizata më prestigjioze për vlerësimin e luftës kundër korrupsionit. Indeksi i saj është indeksi më serioz dhe i besueshëm në botë, i cili bazohet në një seri vlerësimesh dhe asnjëherë në një poll (anketim) të vetëm.
Transparency International shpalli Shqipërinë në grupin e 10 vendeve me përpjekjet më serioze dhe rezultatet më konkrete në luftën kundër korrupsionit për vitin e vlerësuar.
Transparency International shpalli se Shqipëria ishte në krye të vendeve të rajonit për reformat dhe rezultatet e tyre në luftën kundër korrupsionit.
Transparency International shpalli se qeveria shqiptare është kampione në përpjekjet dhe luftën kundër korrupsionit në vend, se këto përpjekje dhe reforma kanë dhënë rezultate të qarta dhe se në Shqipëri po ndëshkohet korrupsioni.
Media që ka një kontribut të pamohueshëm në këtë betejë, duhet të ndjejë kënaqësinë e kontributit të saj.
Këtij rezultati, do të bëhet një analizë më e hollësishme pak më vonë, pasi të shqyrtohet me hollësi, por është e dukshme se platforma e qeverisë së ‘duarve të pastra’ bëri që Shqipëria të lërë mbrapa në këtë garë 41 vende, bëri që Shqipëria të dëshmojë një vullnet të hekurt në luftën kundër korrupsionit.
Dua t’i siguroj shqiptarët se kjo, ashtu siç e cilësoi edhe dje në deklaratën e vet kryesia e Bashkimit Europian nëpërmjet ambasadores franceze, është vërtet një ditë e mirë për shqiptarët dhe një lajm i mirë dhe me rezonancë botërore për Shqipërinë.
Qeveria e ‘duarve të pastra’ u faktoi shqiptarëve se kjo platformë, sado e vështirë, është platformë e suksesit. Rezultatet e arritura janë thjesht inkurajim shumë herë më i madh për të vazhduar këtë betejë dhe për të parakaluar në këtë garë të vështirë, çdo vit e më shumë vende, derisa ta vendosim Shqipërinë dhe shqiptarët aty ku e meritojnë.
Është rasti për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që zbatuan politikën e ‘duarve të pastra’, ndaj të gjitha institucioneve të vendeve mike që me projektet e tyre bënë të mundur që kjo politikë të shndërrohet në një realitet për shqiptarët.”