E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton një seri vendimesh për dhënien me koncesion të disa HEC-ve

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha  informoi lidhur me diskutimin e vendimeve për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të 9  HEC-ve dhe miratimin e bonusit, në procedurën përgjegjëse që i jepet shoqërisë. Lidhur me këtë çështje, Kryeministri i cilësoi të pavend kundërshtimet në parlament nga ana  e opozitës, të ligjit për koncesionet, i cili nuk ka synim tjetër përveçse të mos japë mburojë aty ku nuk duhet të ketë të tillë.

“U çudita pse në parlament u bë zhurmë, sepse bonusi i mbetet përsëri Këshillit të Ministrave, kurse kontrata duhet të jetë përgjegjësi e Agjencisë që e nënshkruan dhe e firmos dhe nuk duhet të mbulohet nga VKM. Ligji, për të cilën ata thirrën aq shumë, ka vetëm një synim kryesor, të mos japë mburojë aty ku nuk duhet të ketë mburoje, sepse, siç e dini, VKM është e pagjykueshme që nga koha e Napolonit deri më sot, është akt kolektiv, kurse kontrata dhe Agjencia i ka të gjitha përgjegjësitë. Nuk ka patur asnjë qëllim tjetër me atë ligj përveç këtij. Qeveria nuk mund të vendosë njësoj si për Skavicën, edhe për HEC-et me kapacitetit 1 megavat apo gjysmë megavat, që duhet të jetë krejtësisht tagër i qeverisjes vendore."

Kryeministri theksoi se ky ligj duhej përshëndetur nga opozita, pasi spostimi i përgjegjësisë autoritetit kontraktues, i bën këta të fundit më të përgjegjshëm.

“Më çuditi keqkuptimi që treguan deputetët e opozitës. Ata duhet të ishin të parët që duhet ta përshëndesnin, sepse nëse i spostohej përgjegjësia autoritetit kontraktues, ajo bëhet më e përgjegjshme. Mekanizmat e kontrollit të autoritetit kontraktues janë të shumëfishta.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›