E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e ujëmbledhësit të fshatit Bazë, në Burrel

- Kryeministri Berisha: Kemi investuar në fshatra rreth 104 miliardë lekë, pra jo dhjetë herë, por 15 herë më shumë, sesa në vitin më të mirë të qeverisjes së mëparshme

Në mbyllje të vizitës së tij sot në Burrel, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e ujëmbledhësit Bazë, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 65 milion lekë. Kryeministri Berisha e vlerësoi ujëmbledhësin një vepër shumë të rëndësishme që garanto9n vaditjen e rreth 400 ha tokë në këtë zonë.

Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të investojë fuqishëm në të gjitha fshatrat komunat e vendit. “Ne kemi investuar në këto tre vjet 104 miliardë lekë, me të cilat kemi asfaltuar 1630 kilometra rrugë, kemi investuar në ujësjellësa, mbi 450 të tillë dhe janë në ndërtim e sipër rreth 250 të tjerë, kemi investuar në sistemin e vaditjes e kullimit më shumë se asnjë herë më parë, duke bërë të mundur ujitjen e 25 mijë ha tokë”, u shpreh Kryeministri. 

Duke u ndalur në këto investime, Kryeministri theksoi se po ndërtohen shkolla të reja e moderne kudo, në komuna e fshatra të vendit, lidhje me rrugë të asfaltuara të të gjitha qendrave të komunave me fshatrat e tyre. “Ne kemi si qëllim që aty ku jetojnë fermerët shqiptarë fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla moderne, ata vet të ecin në rrugë normale, prodhimet e tyre t’i transportojnë e t’i nxjerrin me lehtësi në treg, tokat e tyre të vaditen. Kështu ne mendojmë se zhvillojmë fshatin në mënyrë të qëndrueshme”, tha Kryeministri. Ai e konsideroi këtë një rrugë të vështirë dhe një sipërmarrje madhore, duke theksuar se në rast se ndërtimi i akseve kombëtare rrugore do të mund të mbyllen me 2-3 miliardë euro, zhvillimi rural i qëndrueshëm në fshatrat shqiptarë do të dojë shumë e shumë miliarda. “Por, ne do të vazhdojmë sepse Shqipëria nuk mund të jetë kurrë e zhvilluar me qytete europiane dhe fshatra mesjetarë”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se investimet e realizuar në 3 vjet në fshat, me rreth 104 miliardë lekë, janë, jo dhjetë herë, por 15 herë më shumë, sesa në vitin më të mirë të qeverisë së mëparshme. Duke iu referuar shembujve konkretë, Kryeministri u shpreh se në vitin 2004-2005 ministria e Brendshme ka investuar në rrugët e fshatrave e komunave gjithsej 500 milionë ketë. Ndërsa këtë vit, vetëm nga kjo ministri investohen mbi 6 miliardë lekë. Dhe këto nuk janë të vetmet fonde, pasi akoma më të mëdha janë fondet e rrugëve rurale që jep ministria e Punëve Publike dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me paratë e buxhetit të shtetit.

“Ne kemi mundësitë t’i bëjmë këto investime, sepse në tre vet, edhe pse duke ndjekur politiken e uljes se taksave, ia kemi dalë të mbledhim të ardhura 3.2 miliardë më shumë. Të gjitha këto u mblodhën, sepse nuk u vodhën ashtu siç ndodhte më parë dhe nuk shkuan në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve, zyrtarëve, por në arkën tuaj”, tha Kryeministri.

Duke theksuar se për sa i përket luftës kundër korrupsionit, dallimi i situatës së sotme me vitet 2004-2005 është shumë i dukshëm, Kryeministri nënvizoi se “një vendi i cili ul taksat më shumë se askush në Europë që mbledh të ardhura çdo vit rreth 23 për qind më shumë, do të thotë që i ka bërë një luftë të vendosur dhe të pamëshirshme korrupsionit në shtyllat e tij kryesore”.

Kryeministri u shpreh optimist dhe i sigurt se kjo qeveri do të vazhdojë ta zhvillojë vendin me ritme më të shpejta, duke vënë në dukje se Shqipëria  e mori ftesën për anëtarësimin në NATO dhe do të anëtarësohet në të dhe ajo u ngjit në çatinë e botës për sa i përket klimës së biznesit. “Ky vlerësim sjell vërshimin e investimeve, për të cilat vendi ynë ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër në Europë, sjell besim të madh te ky vend, te kjo qeveri, e cila është e vendosur të bëjë çdo reformë për të garantuar investimet  e huaja në Shqipëri dhe për të lehtësuar punën e tyre. Investimet janë pasuri, begati, zhvillim. Një lajm i cili mund të duket i largët, në të vërtetë është lajmi më i mirë. Të jeni të sigurt se, pas ftesës për anëtarësim në NATO, për çdo shqiptar, kudo që jeton ai, në Tiranë apo në Tropojë, në fshat apo në qytet, investimet janë leva e Arkimedit për zhvillimin e vendit”, tha Kryeministri.

Kryeministri garantoi kryetarin e Komunës se qeveria do të mbështesë të gjitha projektet e tij, në mënyrë që Baza të ketë rrugë të mira dhe të gjitha lehtësitë e nevojshme të jetesës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›