E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Të gatshëm në çdo kohë dhe në çdo nivel për të dialoguar me opozitën për sa i përket tre ligjeve të kërkuara nga KE

Kryeministri Berisha u shpreh sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se seanca  e nesërme parlamentare është ndër më të veçantat në historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, pasi dita  e nesërme përbën afatin e fundit për votimin e tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian, si kushti kryesor për  përfitimin  e statusit të vendit kandidat.

Duke ritheksuar se votimi i këtyre ligjeve përbën një interes jetik për çdo qytetar shqiptar dhe për vendin në tërësi, kryeministri Berisha shprehu gadishmërinë e mazhorancës për të dialoguar me opozitën në çdo kohë dhe në çdo nivel, për të diskutuar së bashku mbi rekomandimet, vërejtjet apo sugjerimet që ata mund të kenë lidhur me këto ligje. Por kryeministri theksoi se këto diskutime nuk mund të bëhen për vendimet e gjykatave, për të cilat janë institucionet përkatëse që zbatimit të ligjit.

Kryeministri u shpreh se mosvotimi i këtyre ligjeve është figura më negative që Shqipëria mund të bëjë në Evropë. “E vërteta është, që nuk ka figurë, nuk ka përshtypje më negative, se sa kur thuhet se opozita nuk voton tre ligjet  e integrimit, ligje të kërkuara me listë nga Komisioni Evropian.” Duke iu referuar çështjes së Fierit, Kryeministri Berisha tha se interesi jetik dhe kombëtar i qytetarëve shqiptarë, i cili në këtë rast është përfitimi i statusit të vendit kandidat, nuk mund të jetë i lidhur kurrë me çështje të kësaj natyre.

Lidhur me temën në fjalë, kryeministri Berisha u shpreh:

“Kryefjala  e kësaj mbledhje nuk mund të jete tjetër veçse seanca  e nesërme  e parlamentit, një seance do të thosha  e një rëndësie ndër më të veçantat në historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE. Nesër është data  e fundit, në të cilën në përputhje me detyrimet kushtetuese, në përputhje me detyrimet kontratuale që ka me BE, parlamenti shqiptar duhet të votojë tre ligje të kërkuara në mënyrë të qartë, të kristaltë nga Komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle, në datën  10 tetor, kur ai paraqiti raportin e komisionit për Shqipërinë dhe rekomandimin e këtij Komisioni që Shqipërisë ti jepet statusi i kandidatit, por duhet që të votojë këto tre ligje që janë në parlament, brenda datës 20 nëntor, pra në një afat kohor 40 ditor, në mënyrë që Komisioni të informojë  shtetet anëtare se këto tre kërkesa specifike u plotësuan nga autoritetet shqiptare.

Këto ligje siç e dinë të gjithë shqiptarë kanë dy muaj që janë në parlament dhe që për fatin më të keq zoti Rama nuk lejon deputetët e tij të votojë duke i lidhur me këtë interes madhor kombëtar, këtë interes jetik të çdo qytetari shqiptar, me një çështje që në mënyrë absolute nuk ka asnjë lidhje me to dhe nuk jam vetëm unë që deklaroj një gjë të tillë, por zotit Rama këtë qëndrim ia kanë shprehur që të gjithë bashkëbiseduesit me të cilët ai ka ngritur çështjen e Fierit. Nuk mund të lidhet çështja e statusit të këshilltarëve të qarkut , me interesin kombëtar të votimit të ligjit për Gjykatën e Lartë në parlamentin e vendit, të votimit të Rregullores së Parlamentit të amenduar, ashtu siç zoti Rama  e pranoi pas ndërmjetësimit dhe të votimit të ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil.

Pra, ky bllokim i këtyre tre ligjeve për të cilat nuk ekziston vakum ligjor, por të cilat përmirësojnë më tej standardet ekzistuese, ka sot jehonën më negative për Shqipërinë.

Zonja Bregu ishte në një takim të rëndësishëm në Parlamentin Evropian dhe një nga parlamentarët do ti thoshte tekstualisht: “Si ju shqiptarët nuk është askurrkush. Në asnjë vend nuk ndodh që të mos votoni atë që kërkoni.”

Ne kërkojmë Statusin dhe zoti Rama nuk thotë që jam kundër Statusit, por nuk voton ligjet që duhen për statusin. “Çfarë kërkoni nga ne?”- ishte pyetja  e këtij zotërie. Nuk shqyrtoj këtu ndjenjat e tij ndaj shqiptarëve, por  e vërteta është që nuk ka figurë, nuk ka përshtypje më negative, se sa kur thuhet se opozita nuk voton tre ligjet  e integrimit, ligje të kërkuara me listë nga Komisioni Evropian. Çfarë kërkoni ju- i tha ai-, asnjë vend në Ballkan nuk është si ju dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që një palë të kundërshtojë për të votuar atë që kërkojnë të gjithë shqiptarët.

Pra një situatë tmerrësisht absurde dhe  e pakuptimtë për çdo qytetar shqiptar. Qytetarët shqiptarë kërkojnë statusin, zoti Rama u thotë, - mua më duhet Këshilli i Qarkut, të cilin e kam humbur. Por a mund të ndodhë  një pazar i tillë dhe një lidhje  e tillë? Kurrë. Cili shqiptar, pale një i huaj mund të pranojë se Statusi i kandidatit qenka i lidhur me statusin e këshilltarit të Fierit? Statusi i kandidatit, vend anëtar, përbën interes jetik për çdo qytetar shqiptar, për vendin në tërësi. Si mund të lidhet ai me statusin e një këshilltari , i cili ka të drejtën legjitime , të ndryshojë pozicionin politik në çdo rast dhe në çdo rrethanë në një vend të lirë.

Unë kam dy muaj që e ftoj zotin Rama të sjellë çdo amendim dhe propozim për këto ligje që të ulemi dhe ti shqyrtojmë me seriozitetin më të madh. Dje, zoti Rama propozon të takohemi. Thotë të mblidhemi në tryeze dhe mendon se me këtë mënyre do ti hedhë hi syve qytetareve të thjeshtë, por ai thotë – të mblidhemi për Fierin, duke iu referuar vendimit të gjykatës dhe të hapim rrugë zbatimi. Zoti Rama për çdo gjë mund të ftosh për tu mbledhur dhe të garantoj se pavarësisht nga pozicionet që kemi, unë do të shqyrtoj me seriozitetin më të madh ftesat  e kryetarit të partisë më të madhe opozitare dhe jam ulur sa herë është konsideruar e nevojshme dhe do të ulem me të, por për një gjë dhe ja kam faktuar atij dhe kujto tjetër se nuk do të ulemi kurrë për vendime gjykate. Për vendime gjykatash çdo vend i lirë ka institucionet e zbatimit të ligjit. Vendimet e gjykatave janë ligje, jo në kuptimin  e tekstit të votuar në parlament, por në kuptimin e forcës dhe detyrimit të zbatimit të tyre. Ne qoftë se ato të parlamentit janë ligje të përgjithshme, vendimet e kësaj qeveria janë akte nënligjore, vendimet e gjykatave, secili prej tyre është në vetvete një ligj për individin apo për çështjen. Nuk janë partitë ato  që vendosin, është përmbarimi dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit, ato të cilat diktojnë mbi bazën e kërkesës së palëve, palës së interesuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Por zoti Rama nuk u drejtohet sepse nuk i intereson, sepse Gjykata  e Lartë që i referohet zotëria, ka hedhur poshtë kërkesën e zotit Vangjel Ndreko për të delegjitimuar vulën, firmën dhe shkresat e firmosura nga Kryetari aktual i Qarkut. Gjykata e Lartë ka thënë se ato do të jenë në fuqi, derisa çështja të shqyrtohet në themel. Po me kërkesën e tyre gjykata  e Fierit po trajton çështjen në themel. Dje ishte një moment kyç në gjykimin  e  çështjes në themel. PS kërkoi shtyrjen dy javë të gjyqit, që të dalë përtej datës 20. Por përse e bëre këtë zoti Rama? Cfarë kishte ti me këtë kërkesë? Pse e paragjykove ti ditën e gjykimit? Thuaju shqiptarëve këtë. Ishte shqyrtimi në themel dhe Gjykata e Lartë thotë në vendimin e saj “mbeten në fuqi derisa çështja të trajtohet në themel”. Atëherë ti që pretendon pse shtyn afatet kohore të verdiktit për themelin. Pra, në qoftë se jeni i interesuar që të dëgjohet zëri i PS, i deputetëve tuaj, se kanë sugjerime, kanë amendamente, kanë vërejtje, kanë rekomandime për këto tre ligje, ne jemi të gatshëm në çdo kohë dhe në çdo nivel të organizojmë tryezën dhe të diskutojmë, por nuk mund të imagjinohet kurrë në një vend të lirë, që forcat politike te ulen për vendime gjykatash. Vendimet e gjykatave janë diçka krejt tjetër. Dy vjet rresht zoti Rama kërkove që ti jepnim zgjidhje politike, vendimit të gjykatës të kolegjit elektoral për kutitë. Natyrisht çdo gjë mund të bëhej, por vetëm vendimi politikisht nuk mund të çmontohej. Pas dy vitesh dhe një milion kërkesash hoqe dorë dhe pranove ato që tu ofruan dy vite me radhë. Por në këtë rast edhe kërkesa për të shtyrë gjykimin përtej datës 20, edhe kërkesa për tu ulur në tryezë dhe për ti hapur rrugë zbatimit të vendimit janë thjesht përpjekje për tu shmangur përgjegjësisë së tmerrshme që merr mbi vete. Kjo është një përgjegjësi e rëndë, më e rëndë se çdo gjë tjetër. Ligjet janë në parlament, në qoftë se ke vërejtje dhe sugjerime për ligjet, urdhëro të ulemi në çdo kohe dhe ne çdo nivel, por lojëra me interesat jetike të qytetarëve shqiptarë mos bej, sepse kjo është jashtëzakonisht e papranueshme. Ata thonë, Evropa, ti thua edhe Vangjeli, edhe Gramozi. Në disa raste iu thotë bashkëbiseduesve nuk kam ç’ti bëj Gramozit. Nuk më takon mua të komentoj, por në një moment historik për vendin, Sekretarja  e Shtetit Hillary Klinton solli mesazhin e saj, si mike  e madhe, e qeverisë së saj,  që për interesa të vendit të bashkohemi. Por marrim aspektin tjetër, duke qenë se për problemin e Fierit janë  17 vendime gjykatash, a ra thirrja  e zotit Rama në vesh të shurdhër? Absolutisht që jo, përkundrazi, me preokupimin më të madh që të përfillte dhe të krijohet një mundësi e zgjidhjes transparente, jo në favor. Zotëri unë po të jap një shembull. Atje ku ishe, në Rumani, kryeministri që të ftoi ty u bë kryeministër me vota të deputetëve të Qendrës së Djathtë, pa bërë zgjedhje. Partia simotër e partisë Demokratike, u përça tërësisht për shkak të reformave dhe votuan një kryeministër socialist, i cili e ftoi zotin Rama në kongresin e tij. Ky është rregulli i bazë i demokracisë, të zgjedhurit përfaqësojnë. Sado që mua nuk më pëlqen dhe asnjë kryetari partie në botë nuk i pëlqen ajo, në një vend të lirë janë të detyruar ta pranojnë atë, kanë të drejtë të ndryshojnë pozicionet  e tyre. Vetëm në diktatura nuk mund të ndodhë kjo. Dhe unë çfarë i propozova? Pra apriori asgjë nuk hodhën poshtë, por u bënë përpjekje të mëdha për të gjetur një rrugëzgjidhje dhe absolutisht i kemi dhënë përgjigjen më dinjitoze. Ejani të bëjmë mocionet. Përse i propozova mocionet? Sepse zoti Rama më datën 29/06 2012, me këshilltarët e tij të komunës Dremenas, ka kërkuar mocion për përfaqësuesin e zgjedhur nga Këshilli i Komunës në qarkun e Fierit. Nuk i është bërë kuorumi sepse shumica ka braktisur sallën. Më datën 28/08/2012 në prani të ish kryeministrit  Fino dhe te pretendentit për kryetar qarku zotit Vangjel Ndreko, e njëjta procedurë është bërë në Divjakë, ku përsëri shumica ka braktisur sallën dhe ka mbetur pakicë. Në datën  26/01/2012 ka përsëritur të njëjtën procedurë në Bubullimë dhe  e ka fituar. Ka shkarkuar përfaqësuesin tonë dhe ka emëruar zotin Alban Mësonjësi përfaqësues i PS dhe ne nuk kemi refuzuar. Ai sot është përfaqësues në Këshillin e Qarkut. Në komunën Fier-Shegan në 24/08/2012, zoti Rama ka tentuar votëbesimin, por nuk ka patur kuorumin. Çfarë i propozoj unë zotit Rama? Ti plotësojmë politikisht atë që kërkon. Pra, jo të ikin dhe tua rrëzojnë kuorumin përfaqësuesit tanë, por si një kompromis për  një problem, tu kërkojmë që të rrinë dhe të votojnë. Por që ti diktojë atyre votën , kjo nuk mund të ndodhi kurrë. Duhet ta mësosh zoti Rama se në rast se jo në këshill, por edhe në parlament po fitove shumicën dhe tu larguan, u ktheve në pakicë dhe nuk ke më shans të qeverisësh, Nuk ka forcë në botë që në një vend të lirë të mban në qeveri dhe kjo është edhe për qeveritë e qarkut, këshilltarët e të cilës zgjidhen nga Këshilli i Qarkut me delegim dhe zgjidhen dhe shkarkohen në përputhje me nenin 32 dhe nenin 52 të qeverisjes vendore.

Ndaj dhe unë dhe njëherë i bëj thirrje ta rishqyrtojë sepse mosvotimi i këtyre ligjeve është një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe nuk mund ti themi kurrë cmë duhet Evropa, cmë duhet Brukseli. Jo, ne na duhet më shumë se çdokush tjetër.

Përsa i përket rregullores së parlamentit. Tani unë dua tu them shqiptarëve se zoti Rama u ka kërkuar vartësve të vet të gjejnë  një rregullore parlamenti, ashtu siç e do ai, dhe absolutisht nuk i kanë gjetur as edhe një te vetme. Nuk ka rregullore në botë që pranoj dy kryeministra, por gjithnjë ka një sens shumicë dhe pakicë. Shumica qeveris, pakica kontrollon. Por të shpall dy kryeministra njëkohësisht këtë nuk e bën kush, kurrë.

Në rastin konkret, zoti Rama po lufton që tu paraqesë shqiptarëve si kryeministër Gramoz Rucin , sepse vetë nuk është në parlament. Urdhëro kompromisin. Ishte dy minuta  e drejta e përgjigjes, u bë 10 minuta. Ishte e drejtë e kryetarit të grupit parlamentar, po fiksohet si e drejtë e kreut të opozitës, i cili ka të drejtën e vet me qenë ose jo , kryetar i grupit parlamentar. Këtë e pranojë njëherë, pastaj tha jo. Në çdo rast i barabartë me kryeministrin, por kjo nuk mund të ndodhë dhe jo për faj të Sali Berishës, por një Republikë parlamentare është republikë parlamentare. Edhe po të ishte një republikë presidenciale, nuk mund të ndodhte në mënyrë kategorike. Në republikën parlamentare, Shefi i ekzekutivit të vendit, është kryeministër, dhe është një, i emëruar , i votëbesuar, të pëlqen, s’të pëlqen, i ke ato mekanizma parlamentare, por me rregullore parlamenti apo me ligj nuk mund të barazohesh me të. Edhe  njëherë zoti Rama, kryetari i opozitës edhe në vendet me demokraci më të konsoliduar barazohet më respektin më të madh , me  një ministër, trajtohet si një ministër me të gjitha atributet e një ministri. Ju garantoj se zoti Rama ka një trajtim më shumë se një ministër në disa aspekte, me një vendim qeverie të këtij kryeministri dhe kam vepruar shumë drejt, dhe nuk jam aspak keq ardhës për këto veprime. Por kryeministër nuk mund të bëhet. Ky është post kushtetues, nuk pranon kushtetua dy kryeministra. Megjithatë unë këto fjalë i kam thënë dhe prapëseprapë uroj ti shqyrtojë gjakftohtësisht.

Çdo amendim apo sugjerim që ka për tre ligjet maxhoranca është e hapur ta dëgjojë atë në çdo lloj niveli që kërkon. Por të lidhim gjëra që nuk kanë asnjë lloj lidhje me njëra tjetrën për tu hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë, këtë nuk mund ta bëjmë se është shumë e pafalshme.


14/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›