E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: T’i orientojmë të rinjtë drejt arsimit profesional, si një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm për t’iu përgjigjur tregut të punës

“Mesatarja në shkallë vedni për arsimin profesional është 22 për qind. Kjo na jep shpresë që  gjatë katër vjeçarit të ardhshëm të kapim shifrën 40 për qind.”

Gjatë vizitës në shkollën profesionale “Demir Progri” në Korçë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me trupën pedagogjike të saj. Kryeministri interesua për mbarëvajtjen, zhvillimet dhe  problematikat e kësaj shkolle, duke theksuar se pikërisht mësuesit janë misionarët e kësaj fushe jetike përe vendin. Ai siguroi edhe edhe njëherë se qeveria do të mbështesë plotësisht çdo nevojë për shkollat e Korcës dhe të mbarë Shqipërisë.

Mësuesit e falënderuan Kryeministrin për këtë vizitë në shkollën e tyre, duke e vlerësuar atë dëshmi të seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kryeministrit në drejtim të zhvillimit të arsimit dhe përkrahjes për mësuesit shqiptarë. Ata theksuan se pa mbështetjen dhe kontributin e tij personal dhe të qeverisë që ai drejton nuk mund të realizohej reforma në arsim dhe ai nuk mund të pësonte ndryshime rrënjësore. 

Kryeministri Berisha tha se pas rreth katër vitesh, i është përmbajtur premtimeve të tij në fushën e arsimit. “Kam qenë dhe jam i vetëdijshëm që problematika e arsimit është shumë e madhe, - u shpreh Kryeministri - por përcaktimi ynë, katër vite më parë, që do ta fillonim nga mësuesit, ishte një përcaktim shumë i drejtë. Ne iu përmbajtëm këtij premtimi, ne e nisëm nga mësuesi dhe sërish do vijojmë me mësuesin, sepse nuk mund të ketë reforma dhe realizime në arsim, përveçse duke pasur në epiqendër mësuesin. Ky është koncepti im dhe mendoj se është koncept shumë i drejtë.”

Kryeministri tha se në katër vitet e ardhshme, përpjekjet do të përqëndrohen në hapjen ndaj sektorit privat në arsim, në mënyrë që ky sektor të angazhojë sa më shumë fonde, duke e çuar kontributin në arsim deri në 8 për qind të PBB-së dhe të  mund të shumëfishohet financimi për arsimin.

Një tjetër drejtim i reformës në arsim, u shpreh Kryeministri, është rritja e cilësisë së mësimdhënies.“Ne do të bëjmë çdo gjë për ta bërë shkollën gjithnjë e më serioze. Kemi arritur të ulim numrin e nxënësve në klasa, shtrirjen e internetit në çdo shkollë. Pavarësisht se jemi një vend me halle të padiskutueshme, duhet të zgjedhim rrugët  më të shkurtra për t’i kapërcyer ato dhe një nga këto rrugë është mosha dixhitale, punësimi dhe përmirësimi i shërbimit. Në qoftë se ne duhet të vrapojmë drejt zhvillimit dhe të kapim vende të tjera, duhet të ecim drejt standardeve.”

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri u ndal në rëndësinë e zhvillimit të arsimit profesional. “Shkatërrimi i rrjetit të shkollave bujqësore, - tha Kryeministri - bëri që arsimi profesional të marë një goditje të rëndë. Ato duhet të zëvendësosheshin me profesionin që kërkon tregu. Këtë ne duhet ta shohim me përparësi. Drejtori i Drejtori i Arsimore Korçë më informoi  se 1/3 e investimeve në rrethin e Korçës është  bërë në arsimin profesional. Por duhet të kemi të qartë se kudo arsimi profesional është 50 për qind me 50 për qind. Ne duhet t’u ngjallim të rinjve dashurinë për arsimin profesional. Nëse këtë proces nuk e fillojmë në shkollat fillore dhe 9 vjeçare, sërish do të mbetemi në nivel të ulët në arsimin profesional. Sot, ne jemi një vend i lirë, të rinjtë mund të punësohen kudo, mund të ndjekin studimet kudo, me shkëputje ose pa shkëputje nga puna, ndaj duhet të përpiqemi t’i orientojmë ata drejt këtij arsimi, t’i nxisim ata dhe t’u ngjallim dashurinë për arsimin profesional. Ky është një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ne, nëpërmjet arsimit profesional, i përgjigjemi tregut dhe punësimit. Gjatë viteve që vijnë ne do të përqendrohemi në këtë aspekt. Ne besojmë se investimi më produktiv dhe i frytshëm për të sotmen dhe të ardhmen është investimi në arsim. Është njëkohësisht një nga mekanizmat më të rëndësishëm të luftës kundër varfërisë. Ne duhet t’i shkollojmë njerëzit, sepse është e faktuar se përqindta e të vafërve është shumë më e madhe tek njerëzit e pa shkolluar, sesa tek të shkolluarit.”

Kryeministri u infdormua se rrethi i Korçës ka arritur të ketë 28-30 përqind të arsimit profesional, ndërkohë që para 4 vitesh ka qenë 15 për qind dhe kur mesatarja e vendit është rreth 22 për qind. Kryeministri Berisha përshëndeti këtë arritje dhe kërkoi inkurajimin e mëtejshëm të nxënësve për t’u afruar në këto shkolla.

“Eksperienca pozitive e Korçës duhet të transferohet në qytete të tjera të mëdha të vendit. Shifra për shtrirjen e arsimit profesional në këtij rrethi është shumë inkurajuese, ndërkohë që në shkallë vendi ajo është 22 për qind. Kjo na jep shpresë që  gjatë katër vjeçarit të ardhshëm të kapim shifrën 40 për qind,” u shpreh Kryeministri.  


10/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›