Kryeministri Berisha: Në 4 vitet e ardhshme, nuk do të ketë shkollë të vjetër në Shqipëri
- Në 4 vjet, janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1012 shkolla në mbarë vendin.
Gjatë vizitës në Korçë, Kryeministri Berisha, duke folur për investimet në fushën e arsimit, tha se gjatë këtyre 4 viteve janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1012 shkolla në mbarë vendin dhe garantoi se në 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë shkollë të vjetër në Shqipëri.
“Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t’ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar,” theksoi Kryeministri.
Duke theksuar se reforma në sistemin arsimor ka qenë në epiqendër të përpjekjeve të qeverisë, Kryeministri tha se në 4 vjet, për sistemin arsimor janë investuar 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Në këto 4 vite, ne kemi dyfishuar buxhetin dhe kemi investuar në sistemin arsimor 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto 4 vite, duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe, sesa në vitin 2005,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha se qytetarët shqiptarë nuk mund t’i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre. “Ndaj, ne do t’i dyfishomë pagat në 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë.”
Në fjalën e tij, në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së “Re” në Korçë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju uroj gëzuar shkollën e re, një shkollë e bukur, siç jeni dhe siç ju e meritoni. Kjo shkollë është një investim prej rreth 1 milion dollarë. Së bashku me shkolla të tjera të ndërtuara në rrethin e Korçës e mbarë Shqipërisë, kjo është shkolla e 1012 që ndërtohet apo rindërtohet gjatë këtyre 4 viteve në mbarë vendin.
Këto 3 vjet e 8 muaj kanë qenë vitet e përqendrimit të madh të qeverisë sime në reformën e sistemit arsimor. Asgjë nuk mund të jetë më serioze për një komb e shoqëri, sesa arsimi dhe ne jemi përpjekur ta vendosim atë në epiqendër.
Sot, ne inaugurojmë shkollën vetëm pak ditë, kur ju fëmijët dhe nxënësit e Korçës e të mbarë Shqipërisë jeni tani e tutje qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, çka do të thotë liri e garantuar për ju dhe për brezat që vijnë, çka do të thotë besim shumë i madh tek Shqipëria dhe shqiptarët, çka do të thotë detyrime të mëdha për ne, për të qenë në lartësinë e kohës. Të gjitha këto do të marrin përgjigjen më të mirë nëpërmjet arsimit. Asgjë nuk do të ndikojë në të ardhmen tonë më shumë, sesa procesi i edukimit të fëmijëve të Shqipërisë. Ndaj, edhe një herë ju garantoj se për qeverinë time shkollimi do të jetë gjithmonë përparësi kryesore.
Në këto 4 vite, ne kemi dyfishuar buxhetin, kemi investuar në sistemin arsimor 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto 4 vite, duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe, sesa në vitin 2005.
Opozita më kërkon të mos rris pagat, opozita protestoi se pagat po rriten me taksat e qytetarëve. Kjo është e vërtetë. Qytetarët e këtij vendi nuk mund t’i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre. Ndaj, ne do t’i dyfishomë pagat në 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë.
Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t’ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar. Ju do të mësoni në shkolla dinjitoze, në shkolla të reja, me sistem ngrohjeje, me kabinete informatike, me terrene sportive, në shkollat që ju meritoni.
Duke filluar nga muaji maj, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të ketë internet. Unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, do të ketë zhvillime shumë më të mëdha për moshën dixhitale. Në 4 vitet që vijnë, qeveria do të bëjë çdo përpjekje që nxënësit të kenë kompjuter dhe internet edhe në shtëpitë e tyre.
Në vitin 2005, ne premtuam se do të hapim dyert e universiteteve tona. Shqipëria sot, ka 115 mijë studentë, kundrejt 52 mijë që kishte në vitin 2005. Unë ju jap fjalën se në vitin 2013 Shqipëria do të ketë 160 mijë studentë. Asgjë nuk do të mund të ndalë hovin tonë drejt arsimit, edukimit dhe shkollimit. Në qoftë se në këto 4 vite buxheti u dyfishua, në 4 vitet e ardhshme do të jetë 2 herë më i lartë se ky që është sot.
Të dashur nxënëse e nxënës,
Shkollimi është dhurata më e çmuar, më e madhe që prindi ju bën juve. Unë ju garantoj se do të bëhen përpjekje të jashtëzakonshme që më të mirët prej jush të shkollohen aty, ku ato do të fitojnë të drejtën për të studiuar, në universitetet më të mira të botës përmes bursës së qeverisë shqiptare. Tre ditë më parë, një prind nga Durrësi më dërgonte një mesazh, ku më njoftonte se vajza e tij kishte aplikuar dhe fituar të drejtën e studimit në universitetin e Bristolit, një nga më të mirët në botë. Unë iu zotova se do ta mbështesim dhe autoritetet kanë marrë porosinë që t’i akordojnë bursën, në përputhje me premtimit të dhënë. Jo vetëm kësaj vajze që ka fituar të drejtën e studimit në Bristol, por edhe në Harvard, Kembrixh, Oksford dhe kudo në universitetet më të mira, do të mund të mund të studiojë nëpërmjet bursave të qeverisë, çdo vajze e djalë shqiptar që fiton të drejtën e studimit.
Qeveria do të bëjë që arsimimi e shkollimi të përshtaten plotësisht me kërkesat tregut. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë çdo përpjekje për zhvillimin e arsimit profesional, për ta inkurajuar atë, sikundër ju bëjmë thirrje autoriteteve vendore që ta shndërrojnë atë në një përparësi madhore, në mënyrë që të shkolluari të kenë hapësira të mëdha punësimi në tregun e vendit.
Duke përfunduar, ju uroj edhe një herë gëzuar shkollën e re dhe ju garantoj se 4 vitet që vijnë, në vend nuk do të ketë shkollë të vjetër, do të jenë të reja ose të rindërtuara. Ju, fëmijët e Shqipërisë, do të jeni përparësia e të gjithë shqiptarëve.”
10/04/2009