Qeveria ka investuar 6.5 milion dollarë për infrastrukturën arsimore në Korçë
- “Për Tiranën, kanë qenë në dispozicion 24 milion dollarë investime nga Këshilli i Europës, krahas granteve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje.”
Kryeministri Berisha vizitoi sot qytetin e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën arsimore të qytetit, me vlerë rreth 1.95 milion dollarë.
Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve të shkollës së “Re”, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 1 milion dollarë; inaugurimin e rikonstruksionit dhe të zgjerimit me ambiente të reja të shkollës “Sevasti Qiriazi”, me vlerë 65 milion lekë dhe rikonstruksionit të konviktit të shkollës profesionale “Demir Progri”, investim me vlerë 30 milion lekë.
Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e brendshme të shkollave, të pajisura me laboratorë të ndryshëm mësimorë dhe kabinet informatike, duke i konsideruar ato mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, të standardeve evropiane.
Vetëm në vitet 2006-2008, për arsimin në qarkun e Korçës janë investuar nga buxheti i shtetit 6.5 milion dollarë. Vetëm për zhvillimin e arsimit profesional janë investuar nga qeveria 2.2 milion dollarë.
Kryeministri Berisha tha se një ndër objektivat ka qenë ulja e numrit të nxënësve në klasa dhe ky objektiv po realizohet, kur sot numri i nxënësve në klasa është 25-35 nxënës. Ndërkohë, Kryeministri shprehu keqardhjen që ky objektiv nuk po gjen realizim në Tiranë.
“Kam kënaqësi kur më informojnë autoritetet vendore se ky objektiv është drejt realizimit, ndërkohë në Tiranë ekzistojnë probleme, jo për shkak të fondeve, sepse ne i kemi dhënë Tiranës fonde për arsimin më shumë se çdo rrethi tjetër. Sigurisht që i takon se është rrethi më i madh. Ju më informuat se për qarkun e Korçës kanë qenë në dispozicion 6.5 milion dollarë investime, për Tiranën 24 milion dollarë investime nga Këshilli i Europës, krahas granteve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje dhe kjo është arsyeja. Megjithatë, ne do të bëjmë përpjekje që edhe Tirana të gjejë mënyrat për ta realizuar këtë objektiv. Tirana, si kryeqyteti i vendit, duhet të ishte në krye të përpjekjeve në këtë drejtim. Sërish, ne nuk do të pranojmë që nxënësit e Tiranës të mësojnë në shkolla pa kushte, ku mungon ngrohja, ndërkohë që në çdo rreth ku kam vizituar shkolla, ato kanë qenë me sistem ngrohjeje dhe standarde të tjera të nevojshme,” u shpreh Kryeministri.
Duke vizituar ambientet e brendshme të konviktit të shkollës “Demir Progri”, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë se pas rikonstruksionit të tij, konvikti ofron kushte të standardeve më të mira për nxënësit që ndjekin këtë shkollë. Kryeministri tha se në 2-3 muaj, përfundon ndërtimi i 8-të konvikteve në të gjithë vendin.
“Pas rikonstruksionit u arrit standardi dy nxënës në një dhomë dhe kjo përbën një arritje të madhe. Në vitin 2006, qeveria vendosi ndërtimin e një zinxhiri të tërë konviktesh në mbarë vendin. Gjatë këtyre 2-3 muajve, përfundon ndërtimi i 8 konvikteve në mbarë vendin dhe ne jemi të gatshëm të ndërtojmë aq konvikte sa janë të nevojshëm, në mënyrë që fëmijët e zonave të largëta të shkollohen në qendrat e qarqeve,” u shpreh Kryeministri, duke premtuar se edhe në konvikte do të vendosen kabinete informatike, për t’u mundësuar nxënësve të punojnë edhe pasdite në kompjuter dhe të shfrytëzojnë kohën në mënyrë racionale.
10/04/2009