Kryeministri Berisha: Vendosja e praktikave të reja për lejet e ndërtimit krijon raporte të drejta dhe të ndershme me sektorin privat
Kryeministri Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave veçoi të një rëndësie të veçantë, problemin e lejeve të ndërtimit. Kryeministri informoi se ligji i ri i urbanistikës është në përfundim e sipër, sipas të gjitha normave dhe standardeve bashkëkohore.
Kryeministri vuri në dukje se për fat të keq, Shqipëria ndodhet në vendin e 176, duke bërë pjesë ndër katër apo pesë vendet më të mundimshme për sa i përket lejeve të ndërtimit. “Kemi para nesh 176 vende, situatë kjo totalisht e papranueshme. Mesatarja e lejes së ndërtimit në Shqipëri është 390 ditë, pra nuk mund të stiset me i neveritshëm dhe më i tmerrshëm mekanizmi burokratik se sa kaq.”
Duke vendosur përgjegjësinë kryesore mbi qeveritë vendore, Kryeministri nuk përjashtoi rastet kur vendimet për lejet e ndërtimit merren nga instanca më të larta se këto qeveri. Kryeministri bëri të ditur se për shkak të natyrës urgjente të problemit, do të bëhen ndërhyrjet e nevojshme në ligjin ekzistues, duke theksuar si më të rëndësishmin shkurtimin e periudhës së dhënies së lejes në 50 ditë.
“Ligji i urbanistikës do të pësojë ato ndryshime të cilat do të parashikohen pikë për pikë në ligjin e ri të urbanistikës. Dhe leja e ndërtimit nuk do të mundtë zgjatet më në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë mbi 50 ditë.”
Kryeministri shpjegoi se brenda këtij afati nënkuptohet shqyrtimi i dokumentit të pranuar brenda një jave, kurse për periudhën 42 ditore do të bëhet plotësimi i dokumenteve të cilat reduktohen nga 22 apo 24 dokumente, në 8 dokumente. “Njësitë e qeverisjes vendore do të funksionojnë si ONE STOP SHOP për to. Do të jenë ato të cilat do të sigurojnë çdo dokument publik përfshi zjarrfikësin, telekomin, elektrikun, ujësjellësin, etj. Natyrisht dhe ato kanë kohën e duhur, por KKRT-ja duhet të vendosë brenda 45 ditëve , përfshihet zbardhjen e lejes në këtë afat.”
Kryeministri u shpreh se këto ndryshime i vënë në dispozicion hapësira lehtësuese qytetarit, i cili në se nuk merr përgjigje brenda këtij afati, ka të drejtë të fillojë ndërtimin, por gjithashtu parashikon edhe ndëshkime ligjore për qytetarët, të cilët tentojnë të përdorin këtë afat në mënyrë abuzive. “Në qoftë se në ditën e 51 qytetari nuk ka marrë me shkrim lejen apo vendimin motivuar për mosdhënien e saj, ai do të ketë të drejtën të fillojë ndërtimin, por në rast se qytetari bëhet vetë përgjegjës dhe tenton të përdorë afatin në mënyrë abuzive , do të takohet me kodin penal të ndërtimit pa leje që parashikon në variantin e ri rreth 8 vjet burg.”
Kryeministri theksoi se me të gjitha këto ndryshime i jepet një frymëmarrje më e madhe sektorit kryesor të ekonomisë, ndërtimit, të cilësuar si promotorin e zhvillimit të vendit, si dhe i vihet një barrierë e madhe informalitetit.
"Me këtë parim, me këto ndryshime i jepet një frymëmarrje e madhe sektorit kryesor të ekonomisë, promotorit të zhvillimit, që është ndërtimi, por me këto ndryshime, me këtë lehtësim të madh të burokracisë, shkurtim të madh të kohës dhe të kostos i jepet një goditje e fortë dhe i vihet një pengesë shumë e madhe informalitetit, i cili aktualisht ka si faktor kryesor burokracinë e lemerishme korruptive të dhënies së lejeve të ndërtimit.”
Duke vlerësuar parimin “Heshtja është pranim” si të domosdoshëm për parandalimin e korrupsionit, Kryeministri u shpreh se në rast se ai zbatohet askush nuk do të ketë nevojë të japë ryshfet, pasi do të marrë përgjigje në kohën e duhur dhe në rast të kundërt do të ketë të gjitha të drejtat ti përgjigjet arbitraritetit shtetëror.
“Duke vendosur parimin Heshtja është pranim , ne jo vetëm që vetëkufizojmë shtetin apo pushtetin por nga ana tjetër ne vendosim një parim të artë për parandalimin e korrupsionit sepse askush nuk do të ketë nevojë të japë ryshfet pasi ai do të marrë përgjigje me detyrim ligjor brenda 50 ditëve dhe në rast të kundërt do të ketë të drejtë të fillojë ndërtimin po qe se arbitrariteti shtetëror kërkon ti imponohet atij.”
Kryeministri bëri të ditur se ky parim nuk do të zbatohet vetëm për ndërtimet por do të përfshijë të gjithë veprimtarinë publike të sektorëve me qëllimin më të mirë për të vendosur raporte të drejta dhe të ndershme me sektorin privat
“Heshtja është pranim nuk do të jetë vetëm në ndërtime. Ky parim i artë do të përfshijë të gjithë veprimtarinë publike të të gjithë sektorëve me qëllimin më të mirë për të vendosur raporte të drejta dhe të ndershme me sektorin privat.”
Kryeministri theksoi se në asnjë mënyrë pushteti nuk duhet të jetë abuziv ndaj sektorit privat, prandaj duhet sa më parë, të vendosen ligjet e reja, praktikat e reja dhe të bëhet konsolidimi i tyre.
26/11/2008