E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në Shtëpinë e Bardhë vjen një mik tjetër, me të cilin ne shprehim vendosmërinë për bashkëpunim të gjithanshëm e të shkëlqyer

Pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, Kryeministri Sali Berisha përshëndeti inaugurimin e Presidentit Obama, duke e konsideruar atë një nga ngjarjet më të mëdha të historisë botërore.

Duke përshëndetur inaugurimin e Presidentit Obama në hapje të koncertit “Virtuozët e Tiranës”, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ky koncert fillon vetëm rreth 30 minuta, pasi kombi i madh amerikan, por dhe mbarë vendi i tij përjetuan, një nga ngjarjet më të mëdha të historisë botërore, inaugurimin e Barack Husein Obama si President i Shteteve të Bashkuara, si Presidenti i parë me origjinë afroamerikane.

Ceremonia e ndërrimit të pushteteve në Capitol Hill është një nga simfonitë më të bukura, më të mahnitshme, më të qytetëruara, por kjo e sotmja ishte më madhështorja, ishte  më botërore, sepse sot, së bashku me Presidentin, u inaugurua për në Shtëpinë e Bardhë ëndrra amerikane, premtimi, ndryshimi i madh i vendit të lirisë, ndryshimi i madh i botës.

Inaugurimi i Presidentit Obama, pas një fushate legjendare, përbën një moment epik në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të botës. Me gjithë zemër i uroj Presidenti të ri të ketë bekimin e Zotit, ai, vendi dhe kombi i tij i madh.

Sytë e mbarë njerëzimit janë të drejtuara tek ai dhe vendi i tij, në një kohë krize, në një kohë që ky vend i madh do të gjenerojë të gjithë forcën, energjinë, shpresën për të nxjerrë ekonominë e madhe amerikane e botërore nga kriza e për ta vendosur atë sërish në shinat e zhvillimit të shpejtë.

Shqipëria ka pasur dhe ka tek SHBA-të aleatin dhe mikun më të çmuar. Nga Shtëpia e Bardhë sot largohet një mik,  të cilit ne i mbetemi përjetë mirënjohës. Në Shtëpinë e Bardhë vjen një mik tjetër, me të cilin ne shprehim vendosmërinë tonë për një bashkëpunim të gjithanshëm e të shkëlqyer, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta që ndajmë, në ecjen përpara në programet e mëdha të kombit shqiptar.”


20/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›