E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Viti 2012 ta gjejë Shqipërinë, një nga vendet me pronësitë publike më te ulëta në Evropë

-          Duhet të bëjmë gjithçka për tua dhënë pronarëve pyjet dhe kullotat, si dhe për të përcaktuar kriteret më të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit, qëndrimit ndaj tyre.

Në drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot takimi me pjesëmarrjen e ministrive dhe institucioneve të ngarkuara për zbatimin e procesit të transferimit të pyjeve dhe kullotave në varësi të pushtetit vendor, me qëllim përshpejtimin dhe realizimin me sukses të këtij procesi.

Duke  e vlerësuar takimin të rëndësishëm për të rakordimin e mëtejshëm të hapave që do të ndërmerren, nga institucionet përkatëse, kryeministri Berisha përgëzoi Ministrinë e Mjedisit për përpjekjet e mëdha dhe serioze në përmirësimin e praktikave të menaxhimit, të trajtimit, të qëndrimit ndaj këtij problemi të rëndësishëm për çdo vend.

Kryeministri bëri të ditur se gjatë 5-6 viteve të fundit janë transferuar në pronësi të pushtetit lokal rreth 800 mijë ha pyje dhe kullota ose 50 %  e fondit të tyre. Duke e vlerësuar pozitive përvojën e administrimit të pyjeve dhe kullotave nga pushteti vendor, Kryeministri theksoi se mbetet ende një punë  e madhe për të bërë në drejtim të përmirësimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të kësaj eksperience. “Pyjet janë një pasuri e madhe  kombëtare e çdo vendi. Sot ato marrinë një rëndësi të jashtëzakonshme në një kohë kur planeti përballet me ndryshime të mëdha të klimës dhe faktikisht pyllëzimi dhe pyjet janë një levë e fuqishme për të mundur që të ndikohet në zvogëlimin e pasojave të rënda të këtij fenomeni.” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri kërkoi nga ministria përkatëse dhe institucionet  e lidhura me të që ky të jetë viti i zgjidhjes përfundimtare, në vija të përgjithshme, të problemeve të pronësisë së pyjeve.

Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme përcaktimi sa më parë i sipërfaqeve pyjore, të cilat do të mbeten publike, duke theksuar se qeveria qendrore nuk mund të administrojë më shumë se 10 % të pyjeve në të gjithë vendin. “Qeveria nuk do të mund të ketë më shumë se 10 % të pyjeve. U takon ju, së bashku me institucionet e varësisë të përzgjidhni  këtë 10 % se cila do të jetë, por më shumë se kaq nuk mund të administrojë. Ky është një standard kudo në vendet e BE. Ky standard është që pyjet u përkasin komunave dhe bashkive.”, u shpreh kryeministri.

Ndër të tjera, Kryeministri evidentoi se është shumë e rëndësishme gjetja e mekanizmave  sa më të përshtatshme dhe transparente për privatizimin e pyjeve,por njëkohësisht edhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre, duke vendosur disiplinën më të fortë për menaxhimin. “Unë shpresoj që ju të përpunoni një skemë jo vetëm të kthimit në të gjitha rastet të pyjeve tek të zotët, atje ku ka pronar,por unë do tu vlerësoja shumë ju në qoftë se ju do të gjeni mekanizma transparente të privatizimit të pyjeve, pra ti bëjmë pyjet me zot. Sigurisht, duke vendosur së bashku disiplinën më të fortë në menaxhimin e tyre. Pra të gjejmë mekanizmat më eficentë të mbrojtjes dhe të zhvillimit të tyre.” tha kryeministri.

Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi që të përcaktohet një skemë edhe duke u bazuar në ekspertizën e vendeve më të suksesshme në këtë drejtim. “Do të vlerësoja shumë që ju me ekspertizen edhe të huaj të mund të përcaktoni një skemë, që ne të ecim me kthimin e shpejtë të këtyre pronave, pronarëve.”

Duke vlerësuar se çdo sipërfaqe toke në vendin tonë mund të shfrytëzohet për mbjellje, kryeministri theksoi se duhen bërë të gjithë përpjekjet për të zhvilluar konceptin e pyjeve me drurë frutorë. “Duhet të përpiqemi të zhvillojmë konceptin e pyjeve me drurë frutorë. Ky koncept dora-dorës po merr zhvillim dhe në botë. Kjo metodë pyllëzimi po fiton gjithnjë e më tepër të drejtën e qytetarësisë. Ne do të bëjmë gjithçka, që ku të mbillet të prodhohet.”

Duke ritheksuar nevojën e transferimit sa më të shpejtë të pyjeve dhe kullotave, pushtetit vendor, si dhe përshpejtimin e procesit të privatizimit të pyjeve, kryeministri tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet që viti 2012 ta gjejë Shqipërinë një nga vendet me pronësitë publike më të ulëta në Evropë.


17/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›