E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një përfaqësi të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës

Kryeministri Berisha priti sot në një takim një përfaqësi të gjerë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Presidenti i këtij Kongresi, zoti Keith Whitmore. Ky delegacion ndodhet në Shqipëri në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Shoqatave e Komunave të Shqipërisë.

Zoti Keith Whitmore e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë për këtë takim. Ai shprehu besimin se kjo vizitë do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me autoritetet lokale dhe mbështetjes për demokracinë lokale në Shqipëri.  

Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës vlerësoi hapat e deritanishëm të zhvillimit të qeverisjes vendore dhe të decentralizimit në Shqipëri, si dhe u shpreh i kënaqur që Shoqata e Komunave të Shqipërisë është tashmë anëtare e Këshillit të Komunave dhe Rajoneve të Evropës.

Duke i falënderuar për ardhjen e tyre në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është shumë e interesuar për të bashkëpunuar ngushtësisht për forcimin e partneritetit dhe konsolidimin e demokracisë lokale. “Ky bashkëpunim, - tha Kryeministri, -  mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, sepse ne besojmë dhe mendojmë se kapacitetet lokale janë më afër nevojave dhe shërbimeve për qytetarin”.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se partneriteti me të zgjedhurit vendor është institucionalizuar në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, i cili tashmë ka katërfishuar fondet për pushtetin lokal, duke qenë transparent, gjithëpërfshirës, pa dallime partiake dhe me një shtrirje të plotë gjeografike.

Kryeministri Berisha u shpreh se janë bërë hapa të mëdha përpara në drejtim të decentralizimit dhe zhvillimit rajonal. “Qeveria, - vijoi Kryeministri, -  i ka transferuar pushtetit lokal shumë funksione, prona, shërbime publike, si dhe mundësi në rritjen e të ardhurave nëpërmjet akordimit të taksave vendore”. Kryeministri shprehu besimin se në të ardhmen pushteti vendor do të dijë që të përdorë me sukses këto masa decentralizuese, duke rritur performancën në mbledhjen e këtyre taksave, tashmë në kompetencë të tyre.

Më tej, Kryeministri Berisha dhe Keith Whitmore u shprehën për mbështetje të plotë për autoritetet vendore, për prioritetet dhe aktivitetet e Shoqatës së Komunave të Shqipërisë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.


17/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›