Kryeministri Berisha: Zbatimi i ligjit “Për amnistinë fiskale” solli rezultate shumë të mira në favor të qytetarëve

- - Kryeministri propozoi që të shtyhet deri më 31 gusht afati për regjistrimin e banesave, duke favorizuar në këtë mënyrë emigrantët
Kryeministri Berisha theksoi sot në mbledhjen e këshillit të Ministrave se ecuria e zbatimit të ligjit “Për amnistinë fiskale” ka qenë e kënaqshme për qytetarët e vendit. “Vetëm në muajin janar, shkurt me zgjatjen që bëmë kanë përfituar rreth 20 mijë qytetarë. Kanë përfituar dhe një seri biznesesh, por ata që kanë përfituar më shumë se gjithë të tjerët janë qytetarët.” u shpreh kryeministri.
Megjithë këtë ecuri pozitive, kryeministri bëri të ditur se gjatë dy javëve të fundit ka sërish rradhë të gjata në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, duke shënuar 800 aplikime në ditë. Për këtë arsye, kryeministri propozoi që Ministria e Finnacave, vetëm për zërin, banesa, të zgjasë afatin e regjistrimit deri në datën 31 gusht, duke iu dhënë mundësi emigrantëve që në periudhën e pushimeve, kur kthehen në atdhe, të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre.
Më gjerësisht, kryeministri Berisha u shpreh:
"Dua të ndalem në ecurinë e zbatimit të ligjit “Për amnistinë fiskale”. Kjo amnisti pati një rezultat të shkëlqyer për qytetaret, për individët. Deri më sot janë futur në treg falë këtij ligji që bëmë pasuri të paluajtshme me një vlerë prej 171. 7 miliard lekë. Vetëm në muajin janar, shkurt me zgjatjen që bëmë kanë përfituar rreth 20 mijë qytetarë. Kanë përfituar dhe një seri biznesesh, por ata që kanë përfituar më shumë se gjithë të tjerët janë qytetarët. Por gjatë dy javëve të fundit për fat të keq sërish ka radhë të mëdha në zyrat e regjistrimit të pasurive. Janë 800 aplikime në ditë, çka janë të papërballueshme. Unë mendoj që ministria e financave vetëm për zërin banesa, të zgjasë afatin deri më datën 31 gusht, në mënyrë që edhe emigrantët që vijnë të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre. Kjo në radhë të parë nga fluksi i madh që është në zyrat e regjistrimit të pasurive, nga interesi shumë i madh i qytetarëve. P,sh nga 18 miliard lekë që do të paguanin, në rast se do të bënin transaksione pa këtë ligj, kanë paguar gjithsej 1.8 miliard lekë dhe ky është një lehtësim i madh për qytetarët. Dhe ky është një lehtësim i jashtëzakonshëm sepse e sjell tregun në vlerat e tij, nuk e mban në vlera fiktive dhe ka një seri avantazhesh. Dhe unë mendoj se për banesat meqenëse korriku dhe gushti janë muaj që emigrantët kanë mundësi të vinë me leje, të mos detyrohen të shkëputen nga vendi që janë, në mënyrë të posaçme, për të legalizuar banesen e tyre, atëherë le ta zgjasim kete afat. Nuk mendoj që të zgjaten afatet për zërat e tjerë. Biznesi pati kohën e tij. Lidhur me biznesin nuk do të këtë më zgjatje afati. Janë arsyet burokratike ato, që ne po e zgjasim afatin për banesat sepse vështirësitë e përballimit të një vëllimi të tillë kërkesash kanë qenë të mëdha gjatë tre, katër muajve të fundit dhe kur kemi të bëjmë me qytetarin nuk mund të mos veprojmë. Edhe në rastin e biznesit kemi të bëjmë me qytetarin, por biznesi ka patur të gjithë kohën e nevojshme për të bërë legalizimin.
28/03/2012