Kryeministri pret në takim Lartësinë e saj Mbretërore, Princeshën Mathilde të Belgjikës
Kryeministri priti në takim Lartësinë e saj Mbretërore, Princeshën Mathilde të Belgjikës, si përfaqësuese speciale e zyrës rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën për imunizimin, e cila ndodhet për një vizitë 3 ditore në Shqipëri.
Kryeministri i uroi mirëseardhjen Lartësisë së saj Mbretërore, Princeshës Mathilde të Belgjikës dhe shprehu kënaqësinë për vizitën e saj, vendi i së cilës ka ndarë gjatë gjithë kohës ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë. Duke e përgëzuar Princeshën Mathilde për misionin fisnik e përkushtimin e saj, Kryeministri theksoi se procesi i imunizimit është një nga prioritet bazë të qeverisë, jo vetëm si një e drejtë bazë dhe element kyç për sistemin shëndetësor, por dhe si ndërhyrje shume efektive me kosto të ulët që ul ndjeshëm sëmundshmërinë, paaftësinë dhe vdekshmërinë.
Duke shprehur falënderim të veçantë për OBSH-në, për bashkëpunimin e frytshëm në tërësi dhe mbështetjen e dhënë në këtë proces, Kryeministri Berisha theksoi se me buxhetin e shtetit është e mundur të mbulohen pothuaj të gjitha shpenzimet për vaksinat dhe se ky buxhet është shumëfishuar ne vite. “Mbulesa vaksinale në rang vendi është në nivelet më të larta dhe në vëmendje janë promocioni, fushatat e bëra për këtë qëllim, sensibilizimi i popullatës, trajnimi e mbështetja e punonjësve të shëndetësisë. Shtimi i jetëgjatësisë, ulja e mortalitetit amtar dhe atij fëminor në vlera njëshifrore, janë arritje të dukshme. Dixhitalizimi i sistemit të vaksinimit dhe atij shëndetësor, telemedicina etj., janë ndër hapat e ndërmarrë në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor” u shpreh Kryeministri.
Lartësia e saj Mbretërore, Princesha Mathilde e Belgjikës, shprehu kënaqësi të veçantë që, si përfaqësuese e OBSH-së, viziton vendin tonë e njihet me punën e madhe që bëhet për programet e imunizimit në Shqipëri. “Rezultatet e dukshme shumë të mira në këtë drejtim e bëjnë Shqipërinë një vend lider në rajon” theksoi ajo.
Në takim u theksua nevoja për të mbajtur lart vëmendjen dhe mbikëqyrjen për sëmundjet infektive, nisur nga rastet të konstatuara në vende të ndryshme të Evropës.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se vizita e Lartësisë së saj Mbretërore, Princeshës Mathilde të Belgjikës, është gjithashtu një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Kryeministri vlerësoi se këto marrëdhënie duhet të thellohen më tej, duke vënë theksin në bashkëpunimin ekonomik dhe investimet.
29/03/2012