Kryeministri Berisha përshëndet anëtarësimin e 3 mijë të rinjve në Partinë Demokratike dhe Forumin Rinor të saj, në Durrës

- Qeveria vendos së shpejti, që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore, për çdo të ri për tre vitet e para për çdo sipërmarrje dhe biznes që do të punësojë të rinj.
3 mijë të rinj dhe të reja nga qyteti i Durrësit kanë zgjedhur ti bashkohen Partisë Demokratike, duke u bërë pjesë e Partisë Demokratike dhe e Forumit Rinor të saj. Ceremonisë festive të shpërndarjes së kartave të anëtarësimit i është bashkuar edhe kryeministri Berisha, i cili në mënyrë simbolike iu ka dhënë kartën e anëtarësimit tre të rinjve durrsak, ndërsa ka përshëndetur të 3 mijë të rinjtë e tjerë, që janë bërë pjesë e FRPD-së.
Pjesë e këtij aktiviteti u bënë edhe të rinjtë e IYDU të 100 partive të qendrës së djathtë nga e mbarë bota që ndodhen në Tiranë për të zhvilluar mbledhjen vjetore të tyre. Një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe Daniel Walther (Valter) përfaqësues i CDU-Gjermani dhe President Nderi i IYDU (Bashkimi Botëror i forumeve Rinore të Djathta). Gjatë përshëndetjes së tij z.Walther u shpreh se, anëtarët e IYDU kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri, sepse Shqipëria po ndryshon dhe do të vazhdojë të ndryshojë. Ai ka theksuar se ky ndryshim ka ardhur falë Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha por theksoi gjithashtu se ndryshimi i vërtetë është rinia krenare dhe shumë premtuese e Shqipërisë. "Një ndryshim rrënjësor është lëvizja pa viza që nga 2010 në të gjithë Europën dhe unioni i Forumeve Rinore Ndërkombëtare, ju inkurajon juve që të vazhdoni këtë ndryshim me fitoren e 23 qershorit me kryeministrin Berisha" u shpreh ai.
Në fjalën e tij, duke falenderuar përfaqësuesit e 100 partive simotra nga Europa dhe mbarë Bota, për praninë e tyre në këtë ceremoni festive,- Kryeministri Berisha u shpreh se, - kjo ditë është ndër më të bardhat, më të bukurat, më të rëndësishmet në tërë ekzistencën e Partisë Demokratike, sepse me vendimin e tyre dhe anëtarësimin e tyre në radhët e PD, 3 mijë të rinjtë durrsakë, dëshmojnë se idealet e PD-së, janë më të gjalla se kurrë, se entuziazmi i saj është më i madh se kurrë, energjia e saj është më e madhe se kurrë.
“Ju sot, anëtarësoheni në forcën politike kryesore të ndryshimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot ju hyni në shtëpinë tuaj, në banesën tuaj, në zemrën e zhvillimit të vendit dhe ndryshimit të tij. Të rejat dhe te rinjtë e Shqipërisë, të Durrësit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, themeluan 22 vjet më parë partine e tyre, Partinë Demokratike, partinë e ndryshimit. Në 22 vite, ata kanë qenë përcaktues të fitoreve të një pas njëshme të kësaj force politike. Është energjia juaj, mendja juaj e hapur, dashuria juaj për Shqipërinë, përkushtimi juaj i madh, që bëri që Shqipëria të ndryshojë më shumë se çdo vend tjetër, nga vendi i kloneve dhe telave me gjemba, vendi i izolimeve me bunker, sot vend aleatë i NATO-s, vend qytetarët e të cilit lëvizin të lirë në mbarë Europën”, u shpreh Kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij.
Kryeministri theksoi faktin se, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, energjitë dhe vizioni i tyre, bënë që në një hark kohor 6 vjeçar Shqipëria të trefishonte numrin e studentëve, Shqipëria të ecte me shpejtësi drejt Shqipërisë së dijes, Shqipërisë së zhvillimit. “Çdo projekt , publik apo privat qoftë ai, për zhvillimin e këtij vendi, ka për gurrë, ka për burim ëndrrat tuaja rinore, realizmin e tyre, shndërrimin e tyre në realitet, ndaj dhe jam sot këtu, për t’ju premtuar dhe për t’ju dhënë juve fjalën e nderit se, qeveria, me qëllim që energjitë tuaja entuziazmin juaj, vizioni juaj, të shndërrohet në energjinë , entuziazmin, vizionin e zhvillimit të vendit, të bëjë gjithçka për punësimin tuaj”, tha kryeministri Berisha.
Gjithashtu kryeministri premtoi se, qeveria vendos së shpejti, që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore, për çdo të ri, për tre vjet me radhë, në çdo sipërmarrje që do të punësojë të rinj. "Ndaj dhe ftoj sipërmarrësit e Durrësit, të Tiranës, të mbarë Shqipërisë, sipërmarrësit nga Europa dhe mbarë Bota, të vijnë në Shqipëri, këtu të punësojnë të rinjtë shqiptarë dhe të njihen me aftësinë, energjinë, ndershmërinë, kualifikimin, të shndërrojnë në realitet, ëndrrat më të bukura të tyre" u shpreh kryeministri.
Duke u ndalur tek zgjedhjet parlamentare, Kryeministri ka theksuar se po shkohet drejt fushatës elektorale të 23 qershorit, e cila, theksoi ai, është festa e madhe e lirive, e votës së lirë, e fitores sonë të thellë, e ndryshimit të madh, e Shqipërisë së zhvilluar, e Shqipërisë Europiane. “Me 23 qershor, me votën tonë, me energjinë tonë, ne shembim murin e bllokimit dhe do të lëmë Edi Ramën, me testamentin e etërve të tij, do të ecim drejt Europës pa na ndalur askush herë tjetër”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu ai ka kërkuar nga të rinjtë dhe te rejat e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, që të trokasin me dashuri dhe respekt në çdo zemër, në çdo mendje, për të mbledhur çdo votë, me qëllim rikthimin e fitores së vitit 92, fitores plebishitare të PD-së.
Në përshëndetjen e tij kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur të reja, të rinj, studente, studentë të qytetit të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju, por në emër tuaj, le të përshëndesim ne sëbashku, përfaqësuesit e 100 partive simotra nga Europa dhe mbarë Bota, që janë sot këtu sëbashku me ne, për të festuar sëbashku me ne, këtë ditë historike për Forumin e Rinisë së Partisë Demokratike, për Partinë Demokratike, për Shqipërinë.
Dita është ndër më të bardhat, më të bukurat, më të rëndësishmet në tërë ekzistencën e Partisë Demokrati, sepse me vendimin tuaj, me anëtarësimin tuaj në radhët e saj, ju dëshmoni se idealet e saj janë më të gjalla se kurrë, entuziazmi i saj është më i madh se kurrë, energjia e saj është më e madhe se kurrë.
Dëshmoni se, sot forca politike, në të cilën ju anëtarësoheni është më shumë se kurrë në historinë e saj në një valë me ndjenjat, me shpirtin, me zemrën, me idealet tuaja rinore, me vizionin tuaj rinor Europiane.
Të reja dhe të rinj të Durrësit,
Ju përqafoj të gjithëve për vendimin e madh që keni marrë. Vendimin për tua anëtarësuar në Partinë Demokratike, parti para së gjithash e mbi të gjitha, partinë e dinjiteti njerëzor, partinë e lirive dhe të drejtave tuaja, partinë e vokacionit perëndimor të kombit shqiptarë, partine e të ardhmes Europiane të shqiptarëve, e prosperiteti, e zhvillimit, e Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë Europiane.
Por ju sot, anëtarësoheni në forcën politike kryesore të ndryshimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot ju hyni në shtëpinë tuaj, në banesën tuaj, në zemrën e zhvillimit të vendit dhe ndryshimit të tij.
Të rejat dhe te rinjtë e Shqipërisë, të Durrësit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, themeluan 22 vjet më parë partine e tyre, Partinë Demokratike, partinë e ndryshimit.
Në 22 vite, ata kanë qenë përcaktues të fitoreve të një pas njëshme të kësaj force politike. Është energjia juaj, mendja juaj e hapur, dashuria juaj për Shqipërinë, përkushtimi juaj i madh, që bëri që Shqipëria të ndryshojë më shumë se çdo vend tjetër, nga vendi i kloneve dhe telave me gjemba, vendi i izolimeve me bunker, sot vend aleatë i NATO-s, vend qytetarët e të cilit lëvizin të lirë në mbarë Europën.
Ishit ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, që në një hark kohor të shkurtër bëtë që Shqipëria nga vendi i mjerimit ekstrem në vetëm 204 dollarë për frymë, të jetë sot në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Jeni ju, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, energjia dhe entuziazmi i tij, që bëtë, që sot Shqipëria të renditet për një seri treguesish me vende e zhvilluara të planetit.
Jeni ju të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, energjitë tuaja vizionin tuaj bëtë që në një hark kohor 6 vjeçar, Shqipëria të trefishojë numrin e studentëve, Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt Shqipërisë së dijes, Shqipërisë së zhvillimit.
Jeni ju të rejat dhe te rinjtë e këtij vendi, mosha dixhitale biologjike e Shqipërisë, që nga nivelet më të ulta të internetit, sot qëndron në krye për përdorimin e tij, për komunikimin në Facebook, Shqipëria dixhitale është mëndja juaj, është vepra juaj.
Çdo projekt , publik apo privat qoftë ai, për zhvillimin e këtij vendi, ka për gurrë, ka për burim ëndrrat tuaja rinore, realizmin e tyre, shndërrimin e tyre në realitet, ndaj dhe jam sot këtu, për t’ju premtuar dhe për t’ju dhënë juve fjalën e nderit se, qeveria, me qëllim që energjitë tuaja entuziazmin juaj vizioni juaj, të shndërrohet në energjinë , entuziazmin, vizionin e zhvillimit të vendit, të bëjë gjithçka për punësimin tuaj.
Qeveria vendos së shpejti, që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore, për secilin prej jush, për çdo të ri, për tre vjet me radhë, në çdo sipërmarrje. Ndaj dhe unë ftoj sipërmarrësit e Durrësit, të Tiranës, të mbarë Shqipërisë, ftoj sipërmarrësit nga Europa dhe mbarë Bota, të vijnë në Shqipëri, këtu të punësojnë të rinjtë shqiptarë dhe të njihen me aftësinë, energjinë, ndershmërinë, kualifikimin, të shndërrojnë në realitet, ëndrrat më të bukura të tyre.
Të dashur të reja dhe të rinj
Po shkojmë drejt fushatës elektorale, 23 qershori është festa e madhe e lirive tona, e votës së lirë, e fitores sonë të thellë, e ndryshimit të madh, e Shqipërisë së zhvilluar, e Shqipërisë Europiane. Me 23 qershor, ne votojmë për veten tonë, votojmë për ndryshimin e katër viteve që vijnë, votojmë për Durrësin Shqipërinë e zhvilluar, për Durrësin, Shqipërinë Europiane.
Me 23 qershor, me votën tonë, me energjinë tonë, ne shembim murin e bllokimit dhe do të lëmë Edi Ramën, me testamentin e etërve të tij, do të ecim drejt Europës pa na ndal askush herë tjetër.
Të reja dhe të rinj.
Çdo fushatë elektorale të fituar nga Partia Demokratike, ka pasur si arkitekt, ju dhe vetëm ju, para së gjithash dhe mbi të gjitha, të rejat dhe te rinjtë e Shqipërisë. Ndaj dhe duke filluar që nesër, sëbashku me njerëzinë, me forcën bindëse, me respektin dhe dashurinë për qytetarët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, le të trokasim ne, në çdo zemër, në çdo mendje, të mbledhim ne çdo votë, të rikthejmë ne në skenë ’92-shin, fitoren tonë plebishitare, të ecim të sigurtë drejtë Europës, drejt zhvillimit, drejt së ardhmes që meritojmë.
Zoti ju bekoftë ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë kudo që jeni.
Ne jemi ndryshimi –Përpara !
08/02/2013