Kryeministri Berisha bashkëbisedon me një grup të rinjsh, anëtarë të organizatës rinore të Partisë Popullore Evropiane

Kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen dhe e konsideroi praninë e tyre në Shqipëri si respekt dhe mbështetje për të rinjtë e Partisë Demokratike dhe për Partinë Demokratike të Shqipërisë, duke theksuar se kjo parti është shumë e lidhur me të rinjtë dhe rininë. Më pas, Kryeministri Berisha bëri një përshkrim të disa prej reformave të rëndësishme dhe të suksesshme që ka ndërmarrë qeveria gjatë këtyre dy mandateve qeverisje, si dhe i’u përgjigj interesit të këtyre të rinjve lidhur me zhvillimet në Shqipëri, në fusha të ndryshme.
Më poshtë vijon fjala dhe bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me të rinjtë e Partive Popullore Evropiane:
“Së pari dëshiroj t’ju uroj edhe një herë një mirëseardhje të përzemërt në Shqipëri, të shpreh kënaqësinë që takoj në këtë zyrë një numër kaq të madh politikanësh të rinj të Partive Popullore Evropiane. Vetëm dy ditë më parë prita, po këtu, përfaqësuesit e Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë, të 100 partive, dhe sot pres përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane, organizatë që bashkon mbi 70 parti simotra. Kurrë ndonjëherë vendi im nuk ka pritur përfaqësues kaq të shumtë, liderë të rinj të Partive të Qendrës së Djathtë të Evropës dhe të botës. Prania juaj është një respekt për të rinjtë e Partisë Demokratike dhe për Partinë Demokratike, por unë dua t’ju rrëfej juve se kjo parti është e lidhur më shumë se çdo parti tjetër që ju mund të imagjinoni me të rinjtë dhe rininë. Po të shkojmë 22 vjet më parë, është dhurata më e bukur që të rinjtë e universiteteve të vendit me kurajën, guximin dhe trimërinë e tyre i bënë kombit shqiptar. Ata mbetën si energjia kryesore e kësaj partie, por edhe vizioni më i ndritur i saj. Ata kanë luajtur një rol përfaqësues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike dhe në të gjitha reformat e realizuara nga kjo parti, gjatë gjithë këtyre viteve. Unë isha dje në Durrës dhe mund t’ju them juve të vërtetën se u mrekullova. Takova 3 mijë të rinj, të cilët sapo ishin anëtarësuar në Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit. Nuk mund të kishte besim më cilësor, më epror, sesa besimi i të rinjve te kjo parti. Pas 22 vitesh themelim dhe 8 vitesh në pushtet, ky besim dhe kjo mbështetje është një certifikatë e fitores së ardhshme.
Të dashur miq,
Partia Demokratike, si parti e qendrës së djathë, në zbatim të vlerave dhe parimeve të Partisë Popullore ka realizuar një Shqipëri një quantum lip të vërtetë. Unë do t’ju jap juve pak shifra për t’ju njohur me këtë që thashë. Kur ne erdhëm në pushtet në vitin 1992, Shqipëria ishte vendi më i varfër i planetit, me gjithsej 204 dollarë për frymë. Kryetari i shtetit të saj kishte një rrogë prej 16 dollarë në muaj. Papunësia në vend ishte 80 përqind. Vendi ishte i zhytur në një mjerim të panjohur kurrë në historinë e tij, çka detyroi mbi rreth 30 përqind të shqiptarëve të largohen në eksode biblike nga Shqipëria. Por, duke besuar në lirinë dhe vlerat e saj, ne ndërmorëm dhe zbatuam praktikat më agresive të privatizimit, të liberalizimit dhe rezultatet filluan të ndjehen shpejt. Të ardhurat për frymë çdo vit u dyfishuan. Ato mbeteshin sërish të ulëta, por rritja e shpejtë e tyre ishte shpresë. Kam kënaqësi që t’ju them se sot shqiptarët janë në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta, me rreth 9 mijë dollarë për frymë. Nuk jemi ende një vend i zhvilluar, por me disa tregues themelorë që kanë të bëjnë me qytetarin, me individin, me njeriun, ne i kemi arritur vendet e zhvilluara. Kështu, Shqipëria sot ka vdekshmëri foshnjore një-shifrore, ka vdekshmëri amtare një-shifrore, ka vdekshmëri të përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish-komuniste, ka jetëgjatësi të njëjtë me disa nga vendet e zhvilluara të planetit. Shqiptarët në vitin 2001 kishin banesa për 1000 banorë më pak seç kishte çdo komb tjetër në Evropë në vitin 1980, ndërsa sot, sipas regjistrimit të fundit, ata lënë pas 5 kombe anëtare të Bashkimit Evropian dhe të OECD-së.
Në fushën e arsimit, 7-8 vite më parë sistemi po rrënohej, po degradonte. Ndërhyrjet e fuqishme dhe reformat e mëdha që ndërmorëm, duke vendosur mësuesin në epiqendër, kanë rikthyer tërësisht performancën e sistemit arsimor. Para vitit 2006 më pak se 1/3 e atyre që merrnin maturat mund të realizonin ëndrrën e tyre universitare, ndërsa 2/3 e të rinjve dhe të rejave shqiptarë detyroheshin ta arkivonin këtë ëndërr. Për ta universitet ishin mollë e ndaluar. Me reformat që ndërmorëm, ne hapëm dyert për çdo të ri e të re në universitet tona. Vendosëm një sistem shumë transparent dixhital për pranimet në universitare. Sot, në fushën e arsimit, ne kemi bërë në disa aspekte një progres shumë të madh. Nga 12 studentë për 1000 banorë që kishim në 2005, sot ne kemi 52 studentë për 1000 banorë dhe jemi mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Sot 72 përqind e të gjithë atyre që marrin maturat ndjekin universitetet dhe 92 përqind e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin e detyruar 9- vjeçar ndjekin shkollat e mesme. Dy aspekte të tjera dua të theksoj në sistemin arsimor. Në një hark të shkurtër kohor ne kemi rritur rrogat e arsimtarëve nga 120-150 përqind, sipas kategorisë. Në një afat të shkurtër kohor shtrimë internetin në çdo shkollë dhe po e shtrijmë atë në çdo klasë. Dhe e treta, shumë e rëndësishme për mua. Gjatë këtyre viteve ne kemi favorizuar edhe arsimin privat. Kemi hequr TVSH-në dhe së shpejti do të miratojmë ligjin “tokë për shkollë”.
Sot në shkollat e larta dhe universitetet private studiojnë 32 mijë studentë, rreth 21 përqind e të gjithë numrit të përgjithshëm të studentëve. Trupa e tyre pedagogjike përbëhet nga 4 mijë pedagogë e asistentë. Ndërsa në arsimin parauniversitar, 10 përqind e të gjithë nxënësve të vendit mësojnë në shkolla private. Natyrisht, duke pasur të hapur për të gjithë shkollat publike. E theksova këtë zhvillim, sepse unë e konsideroj shumë të rëndësishme që edhe sektori privat të kontribuojë në këtë proces, i cili është jetik për zhvillimin.
Të dashur miq,
Zhvillimi i qëndrueshëm i vendit është dhe mbetet qëllimi më themelor yni. Në qoftë se vështrojmë te kjo krizë e sotme, në kuptimin e zhvillimit ajo dëshmon se gabime janë bërë, që janë bazuar në zhvillim të paqëndrueshëm. Në këtë kontekst, natyrisht zhvillimi i qëndrueshëm kërkon zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në një vlerësim që ka bërë Boston Consulting Group, ai ka përpunuar dy tregues të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe këta tregues janë: koeficienti i shndërrimit të pasurisë në mirëqenie dhe i shndërrimit të rritjes në mirëqenie. I pari bazohet në analizën e 36 treguesve themelorë, i dyti në analizën e 51 treguesve më themelorë të zhvillimit. Shqipëria për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët zë vendin e katërt në botë. Sipas vlerësimeve, këta koeficientë janë ndër më të saktët për të përcaktuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe ata përfshijnë të gjithë faktorët, investimet në infrastrukturë, shpërndarjen e të ardhurave, arsimimin, shërbimin shëndetësor, përfshin kushtet e biznesit, shkallën e penetrimit të internet. Pra, përfshin pothuajse çdo lloj treguesi zhvillimi. Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka për të mbajtur këtë pozicion.
Ne kemi investuar shumë gjatë këtyre viteve. Pasi erdhëm në pushtet, ne vendosëm taksën e sheshtë prej 10 përqind. Dua të jem i hapur me ju, kur vendosëm për këtë unë nuk parashikoja një rritje kaq të madhe sa ndodhi të të ardhurave, por unë gjithnjë besoj në atë që Ronald Regan thoshte se “paratë në kontot e qytetarëve janë më të vlefshme se në arkën publike”. Por taksa e sheshtë u provua një efekt i jashtëzakonshëm në Shqipëri. A mund të imagjinoni ju që në një periudhë kohore nga viti 2006 në vitin 2012, ne kemi mbledhur nga taksat dhe tatimet 9.2 miliardë dollarë më shumë se në periudhën 6 vjeçare të mëparshme. Këto ne i shndërruam të gjitha në investime të mëdha në infrastrukturë. Në vitin 2008 – 2009 ne kemi investuar në rrugët e vendit, marrë së bashku, 20 përqind të GDP-së. Më rastisi që në një nga këto vite të isha në Forumin Ekonomik në Davos dhe Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës i deklaroi audiencës se Kina për të kontribuuar kundër krizës do të investonte në infrastrukturë në dy vite, të marra së bashku, 16 përqind të GDP-së. Pasi mbaroi ekspozenë, unë e takova, i shtrëngova dorën dhe i thashë: Zoti Kryeministër, Shqipëria po investon 20 përqind të GDP-së.
Ne kemi investuar në burimet njerëzore.
Të dashur miq,
Ne jemi një nga dhjetë administratat më të vogla në botë. Kur erdha në pushtet u premtova shqiptarëve qeveri të vogël dhe unë mbajta premtimin tim. Por, ne rritëm rrogat. Ne rritëm rrogat e arsimtarëve, mjekëve, infermierëve dhe kjo rriti motivin e punonjësve për punë. Ne rritëm pensionet. Natyrisht, bëmë të gjitha shkurtimet e nevojshme në administratë. Unë besoj se mënyra më e sigurt për të ngadalësuar proceset është të rrisësh numrin e njerëzve në administratë dhe pastaj, të mos harrojmë, kjo rëndon e tëra mbi sektorin privat.
Në vitin 2006 përdorimi i interneti në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8 përqind, ndërsa sot është mbi 62 përqind. Përdorimi i celularëve ishte 38 përqind, sot është 186 përqind. Ne kemi ndërtuar autostradën e internetit me bandë super të gjerë. Do të shpërndajmë internet falas për popullatën në 1250 pika në mbarë vendin dhe në gjitha qendrat universitare.
Pra, ne përpiqemi që vendi të përafrohet më standardet evropiane. Por ne kemi një problem dhe problemi ynë serioz është se kryetari aktual i opozitës, i cili në vend që të mbështesë reformat e integrimit, bën çdo gjë për t’i bllokuar ato. Në 21 janar, bazuar në një video kryekëput të falsifikuar, siç është faktuar, ky zotëri mendoi se do të përmbyste pushtetin me dhunë. Solli protestues dhe midis tyre rreth 200-300 persona të paguar, të zgjedhur nga bota e krimit, me të cilët mendoi se do të përmbyste me dhunë qeverinë. Përgatiti një fjalim dhe mori një megafon me vete, u instalua në kullat për karshi, duke besuar se nga ky ballkon që është tek kjo zyrë do të mund të përshëndeste mbështetësit e tij që do të kishin rrëzuar qeverinë. Dhe ata sulmuan në mënyrën më agresive ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Mbi policinë dhe Gardën e Republikës u hodhën me mijëra e mijëra tulla, gurë, hunj, por dhe dinamit. Natyrisht, unë isha në zyrë. Ai mendoi se unë do të largohesha nga zyra, por unë jam njeri i detyrës dhe nuk kisha motiv që të largohesha. Ajo ishte një ditë e zakonshme pune për mua dhe nuk kisha ndërmend që t’i lëshoja zyrën. Pati katër viktima. Ishte një përpjekje për të përmbysur me dhunë një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira. Dështoi! Një proces hetimor është në vazhdim. Kërkova që drejtësia të thotë fjalën e saj për të gjitha aspektet e këtij akti të shëmtuar. Ne po presim.
Problemi tjetër, pasi e bllokoi më këto akte, është se tani kërkohet votimi i tre ligjeve, të cilat janë të gatshme, janë në Parlament, për të cilat ra dakord pikë për pikë dhe tani është tërhequr. Ai është tërhequr, sepse do t’i vendosë një mur qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit. Ky zotëri ishte dhe kundër heqjes së vizave. A mund të imagjinoni ju një njeri që shpërndante e-maile nëpër Europë, ku thoshte se po hoqët vizat për Shqipërinë, 1 milionë shqiptarë do të dynden drejt jush. Natyrisht, partnerët tanë hoqën vizat dhe unë kam kënaqësi t’ju informoj juve se shqiptarët nga Shqipëria janë numri pakrahasimisht më i vogël i azilkërkuesve nga të gjithë vendet e tjera.
Në këto kushte ne po shkojmë, pas zgjedhjeve, drejt një referendumi. Dhe referendumi do të jetë për këto tre ligje që bllokon zotëria, i cili për merita të bllokimit të këtyre tre ligjeve dhe për gjeografi u zgjodh nënkryetar i Internacionales Socialiste. Ju jeni udhëheqës të rinj, por unë ju them se kjo Internacionale herë pas herë shndërrohet sikur të ishte një repart i Komintern-it. Erdhën një herë dhe bënë një mbledhje në Tiranë. Lëshuan një deklaratë kundër meje, e cila ngjante totalisht me terminologjinë që përdorte Komintern-i kundër borgjezisë. Natyrisht, këto nuk më bëjnë përshtypje mua.
Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve. Prania juaj është një është mbështetje e fuqishme për Partinë Demokratike.
Ne e kemi ndryshuar Shqipërinë, por ne nuk kërkojmë vota se kemi ndryshuar Shqipërinë, kërkojmë vota se do ta ndryshojmë më shumë Shqipërinë. Ne kemi një program ambicioz, agresiv. Gjatë këtyre javëve unë kam shpallur paktën e re të reformave për mandatin e ardhshëm, e cila bazohet, mbi të gjitha, në lirinë ekonomike dhe fiskale. Ne kemi hequr tërësisht taksën mbi kapitalin, po heqim çdo lloj takse nga importet e outputeve dhe makinerive bujqësore që u duhen fermerëve, do të heqim çdo taksë sociale për të gjithë sipërmarrësit që do të punësojnë të rinjtë, për çdo të ri për 3 vjet rresht do t’i paguajë qeveria. Do të bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve, do të bëjmë gjithçka për nxitjen e rritjes ekonomike, e cila në këto vite krize ka qenë 4 herë më e lartë sesa mesatarja e rajonit, sipas Komisionit Evropian. Shqiptarët kanë nevojë për rritje më të madhe ekonomike. Dhe ja pse ne po shpallim çdo ditë reformat të reja, në mënyrë që t’i japim një shtytje të fuqishme rritjes në katër vitet që vijnë.
Faleminderit shumë për vëmendjen dhe mbetem i hapur për çdo pyetje tuajën.
Pyetje, përfaqësuesi i YEPP-it nga Holanda: Faleminderit shumë për pritjen. Pyetja ime ka të bëjë më atë që ju përmendët në fillim, me krizën ekonomike, e cila është një krizë që ka përfshirë të gjithë Evropën dhe gjithë botën. A e ka ndryshuar kjo perspektivën e Shqipërisë kundrejt Bashkimit Evropian? Si e shihni ju personalisht këtë përfshirje në Bashkimin Evropian?
Kryeministri Berisha: Faleminderit shumë. Unë besoj dhe mendimi im është se e ardhmja më e mirë për shqiptarët është në Bashkimin Evropian.
Është një krizë e thelle, por kjo është një krizë që do të tejkalohet nëpërmjet reformave strukturore. Evropa do të bëhet më e fortë dhe do të ketë më shumë prosperitet, sepse Evropa nuk është se nuk ka njerëz të mirë, ka njerëz shumë të kualifikuar, nuk është se s’ka burime, ka burime të shumanshme shumtë të mira, është një rend i bazuar në liritë dhe të drejtat e qytetarëve të saj. Ka nevojë për reforma për të zhvilluar potencialin e saj. Dhe kështu po ndodh. Të dhënat e tre muajve të fundit janë qartazi shumë pozitive. Ndaj kjo krizë është drejt përfundimit.
Tani le të shkojmë në një tjetër sektor. Në Evropë nuk ka shumë ngrohtësi për sa i përket zgjerimit të saj, por nuk ka vullnet për ta ndaluar këtë zgjerim. E vërtetë është që janë vështirësuar kriteret. Por nuk ka asnjë problem me këtë, sepse këto kritere kanë të bëjnë me interesin e mirë të qytetarëve. Sa më shpejt ti kapim këto standarde, aq më mirë është për qytetarët. Ne mbetemi shumë të bindur se e ardhmja më e mirë e njerëzve tanë është Bashkimi Evropian.
Pyetje, përfaqësuesja e YEPP-it nga Suedia: Unë jam zv/Presidente e YEPP-it. Edhe unë jam një fanse e madhe e Ronald Regan dhe shpresojmë që Shqipëria të jenë një anëtare e Bashkimit Evropian. Si një vend i ardhshëm anëtar i BE, shpresojmë që të ndodh, me rritjen e burokracisë dhe administratës brenda BE, a do të jetë një target për partinë tuaj dhe Shqipërinë të arrini në nivelin europian?
Kryeministri Berisha: Unë ende jam i bindur se administrata e vogël është më e mira për të arritur rezultate. Unë i admiroj burokratët, s’kam asgjë kundër tyre. Por, është një kusht thelbësor që ata duhet të shfrytëzojnë aftësitë e tyre në punën e përditshme, që të mos harxhojnë kohë. Dhe ata do të ndihen më të lumtur dhe më të vlefshëm për veten e tyre dhe për shoqërinë. Unë mendoj se Evropa, gjithashtu, po reformohet dhe këto reforma duhet të vazhdojnë. Nëse kthehemi 5 vjet pas, në atë kohë shumë studime tregonin se taksat e larta ishin taksa të gabuara, shumë akademikë akuzonin se rezultatet e krizës vinin pikërisht prej këtyre taksave të larta. Jam i sigurt se ishte një moment, në të cilin taksat u rritën për arsye pragmatike, por do të vijë një kohë që taksat do të ulen poshtë dhe më poshtë. Kjo, sepse Regani kishte të drejtë.
Pyetje, përfaqësuesi i YEPP-it nga Portugalia: Faleminderit që na pritet, zoti Kryeministër. Unë jam këtu për herë të dytë brenda këtij viti dhe mund te them se kam takuar më shpesh Kryeministrin e Shqipërisë se sa Kryeministrin e vendit tim. E shoh që në Shqipëri ka gjëra të përbashkëta me vendin tim, Portugalinë. Ju keni një numër shumë të madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Cili do të ishte roli i qeverisë për t’i mbajtur këta qytetarë dhe këtë komb bashkë?
Një pyetje e dytë, ka të bëjë me rritjen e popullsisë në Tiranë dhe të ndërtimeve e saj. Nuk keni frikë që në të ardhmen Shqipëria do të jetë e centralizuar në një qytet të vetëm. Ai do t’i diktojë të gjitha.
Kryeministri Berisha: Pyetje me vlerë. Për pyetjen e parë, më pak se 1/3 e shqiptarëve jeton në Shqipëri dhe më pak se gjysma brenda territorit të saj. Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në vende të tjera. Në mënyrë proporcionale ne kemi një nga diasporat më të mëdha. Për këtë unë mendoj se është një detyrë thelbësore për atë që qeveris këtë vend për të menduar në mënyrë shumë serioze për këtë fakt. Dhe unë po e mendoj seriozisht këtë gjë. Ne themi se bota është bërë një fshat. Dhe realisht, po të marrim parasysh moshën dixhitale është më pak se një fshat. Kështu që e konsideroj të domosdoshme që bashkëkombësve kudo që janë, së pari t’u njihet shtetësia shqiptare. Kjo për momentin ka një problem ligjor me Kosovën dhe kjo masë nuk mund të adaptohet pa një marrëveshje të veçantë me qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës po negocion me Bashkimin Evropian procesin e liberalizimit të vizave. Dhe në këto kushte, ne nuk duam në asnjë mënyrë të cenohet ky proces shumë i rëndësishëm për Kosovën e pavarur. Pasi të finalizohet ky proces, dy qeveritë do të ulen të negociojnë një marrëveshje për këtë çështje. Por, për të gjithë shqiptarët e tjerë, qeveria shumë shpejtë do t’u njohë atyre shtetësinë shqiptare. Do t’u japë pasaportën shqiptare po ta duan. Në shumicën e vendeve të botës sot qytetarët kanë të drejtë të kenë disa shtetësi. Dhe unë e konsideroj këtë diçka shumë të mirë. Kështu që ne do të veprojmë në këtë mënyrë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonën e Shengen-it, që jetojnë në vende që kanë marrëdhënie të njëjta me Shqipërinë me zonën e Shengen-it.
Tani vjen problemi i votimit. Ne u përpoqëm për t’ua dhënë këtë të drejtë bashkëkombësve tanë, që ata të votojnë. Opozita e kundërshtoi këtë me disa teza të regjimit të vjetër. Por, sidoqoftë, zgjedhjet janë zgjedhje dhe qeveria është e detyruar të bëj gjithçka për të siguruar opozitën në transparencën e këtij procesi. Kështu që në këto zgjedhje nuk qe e mundur që shqiptarët jashtë Shqipërie të mund të votojnë, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Dhe unë deklarova publikisht se ky vendim nuk nënkupton të drejtën e votës për këto zgjedhje. Jam i bindur se kjo do të arrihet, siç e kanë edhe shumica e vendeve të tjera, e kanë vendet Balltike, e ka Italia, shumica e vendeve. Është jashtëzakonisht e dhimbshme që të mendosh që tu mohosh votimin bashkëkombësve të tu, në një kohë që ata kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e këtij vendi dhe ata janë aksionerë në vendin e tyre. Kjo do të zgjidhet menjëherë me vendimin që do të merret për pak javë për shtetësinë e tyre dhe të drejtën e votimit pas këtyre zgjedhjeve. Sepse nuk dua që të krijohet përshtypja se po bëhet për të fituar vota.
Tirana vërtetë është bërë një qytet shumë i madh. Por, çfarë po bëjmë ne? Të dashur miq, për 45 vjet qytetarët shqiptarë nuk mund të lëviznin nga fshati, komuna apo distrikti i tyre. Dhe kjo bëri që ne në vitin ’90 të ishim ndër vendet më rurale në botë. Mbi 70 përqind e popullatës jetonte në fshat. Por ne jemi vendi me më pak tokë bujqësore për frymë në Europë. Gjithsej, 1800 m2 për frymë. Kështu që procesi i urbanizimit ishte jetik për Shqipërinë. Këto fshatra ishin shndërruar në rezervuarë njerëzorë. Shqipëria ka pasur në 21 vite ritmet e urbanizimit, si përqindje, aq sa në Britani kanë zgjatur 120 vjet, në SHBA 80 vjet, në Japoni 60 vjet. Ne tani po ndërtojmë infrastrukturë kudo. Gjatë këtyre viteve kemi ndërtuar në zonat rurale mbi 8000 kilometra rrugë. Po ndërmarrim një projekt të madh – pyjet me drurë frutorë. Kemi ndërmarrë disa projekte shumë të rëndësishme, një prej tyre është projekti i ullishtave. Ne kishim trashëgimi nga e shkuara gjithsej 4.2 milionë rrënjë ulliri. Ne vendosëm që në katër vjet të mbjellim edhe 20 milionë rrënjë të tjera ulliri dhe në mandatin e ardhshëm do të mbjellim edhe 30 milionë rrënjë të tjera. Kaq është kapaciteti total i zonës që mund të mbillej. Ne po mbjellim mollë në dy qarqe ku molla bëhet shumë e mirë dhe prodhimi i mollës në këto qarqe është rritur 10-15 herë. Shqipëria është një Kaliforni e vogël për sa i përket arrorëve. Ne kemi një projekt për të mbjellë 250 milionë rrënjë arrorë në tetë vite. Ne mund të bëhemi të rëndësishëm në Evropë për eksportin e arrorëve. Të gjitha këto kanë ngadalësuar ritmin e shpërnguljes së popullatës. Ne do të bëjmë gjithçka që njerëzit të punojnë tokën.
Pyetje, përfaqësuesja e YEPP-it, Arba Kokalari: Shumë faleminderit zoti Kryeministër për fjalimin dhe për mikpritjen. Unë jam Arba Kokalari, sekretarja ndërkombëtare e të rinjve në Partinë e Moderuar. Unë mendoj se shumë nga ne që gjendemi këtu do të donin ta shihnin Shqipërinë në BE sa me shpejt që të mundet. Jam shumë e lumtur të shoh që ju po bëni të mundur reformat ekonomike. Doja të dija më shumë çfarë do të bëni për sa i përket implementimit të reformave të tjera në përmbushjen e kritereve për hyrjen ne BE si psh: sistemit gjyqësor dhe implementimit të zbatueshmërisë së ligjit. Çfarë mbështetje mendoni se Evropa nuk ia ka dhënë akoma Shqipërisë?
Kryeministri Berisha: Fusha e parë në të cilën ndihma e Komisionit Evropian përqendrohet është fusha e drejtësisë dhe e zbatimit të ligjit. Këtu ne kemi pasur një ndihmë shumë të madhe dhe të gjithanshme. Në fushën ligjore Komisioni Evropian paguan një mision që është i atashuar pranë ministrisë së Drejtësisë dhe bën një punë të shkëlqyer në të gjithë procesin ligjor të vendit. Por ndihma nuk është vetëm në këtë fushë. Ndihma është në të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit, në institucionet e vuajtjes së dënimit. Natyrisht, këto janë reforma në vazhdim. Disa arritje të mëdha në këtë drejtim ekzistojnë. Një nga arritjet më të mëdha është heqja e imunitetit për të gjithë imunitarët në Shqipëri. Kjo është votuar disa muaj më parë.
Së dyti, ne kemi një nga ligjet më të mira në Evropë të luftës kundër krimit të organizuar dhe konfiskimit të pasurive të tij. Dhe po funksionon. Reforma në drejtësi është një reformë që në disa ligje kërkon 3/5 e votave. Në tërësi janë votuar, por një prej tyre është bllokuar dhe ky do të shkojë në referendum. Pra këto reforma janë një përparësi madhore dhe ne i ndjekim me shumë vëmendje ato.
Pyetje: Në 2009 kemi qenë për një takim të YEPP në Tiranë dhe kemi parë në këto 4 vjet një zhvillim shumë të madh. Shqipëria është bërë shumë tërheqëse për sa i përket investimeve të huaja. A mendoni ju, në qoftë se do të kishte një ndryshim të qeverisë dhe duke ditur që Partia Demokratike dhe qeveria ka arritur rezultate shumë të larta, a do të ndikonte negativisht për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Investimet e huaja këto katër vite në Shqipëri janë rritur me 316 përqind. Zoti Rama ka dy deklarata më të zakonshme. Së pari, pas çdo disfate elektorate deklaron se më vodhën votën. Mirëpo problemi qëndron ndryshe. Të dashur miq, ne kemi sistemin më transparentë në botë të numërimit të votave. Dhe kjo i ka shpëtuar zgjedhjet tona. Sistemi ynë i numërimit është shpëtimtar kur ka persona që nuk duan të pranojnë votën. Një pjesë të tij e morëm nga Britania e Madhe, domethënë numërimin e përqendruar. Dhe të gjithë sa janë në tavolinën e numërimit, qofshin komisionerë apo vëzhgues, janë me të drejtë vetoje. Kjo do të thotë se në rast se të gjithë e vlerësojnë një fletë votimi të rregullt dhe vetëm njëri e kundërshton, duke ngritur dorën, atëherë fleta e votimit futet në një zarf që quhet zarfi i të kundërshtuarave. Kur fleta e votimit është e vlefshme, pasi është vlerësuar me sy, vendoset mbi një skaner, filmohet, fotografohet, projektohet në mur dhe transmetohet në kohë reale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky sistem i saktë ka bërë që çdo lloj pretendimi të faktohet nul, të faktohet i pavlerë. Kështu që zgjedhjet që vijnë do të jenë të rregullta dhe, natyrisht, përsëri zoti Rama nuk do të njohë rezultatin, sepse ai nuk njeh asnjë rezultat që i jep humbjen atij. E dini ju historinë sesi humbi? Ditën e votimit para qytetarëve kishte katër kuti votimi. Kutia për kryetarin e bashkisë, për këshillin e bashkisë, këshillin e minibashkisë dhe kryetarin e këshillit të minibashkisë. Qytetarët gjatë votimit ngatërronin kutitë dhe këto quhen vota në kutinë e gabuar. Në Kodin e sjelljes së mirë të zgjedhjeve të Komisionit të Venecias, në Kodin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve të Lira, në ligjet e të gjitha vendeve tona ato janë vota të vlefshme. Ky zotëria, zoti Rama, nuk pranonte të numëroheshin ato vota. E rrethoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me qëllim për të bllokuar numërimin. Ajo nuk mund të ndodhte. Vota e çdo qytetari do të numërohej dhe u numërua duke u paraqitur para pesë kamerave. Dhe nuk kundërshtohej dot asnjë votë. Kandidati ynë doli me 91 vota më shumë dhe fitoi zgjedhjet. Kështu që ky problemi i zgjedhjeve është i zgjidhur.
Deklarata e dytë e tij, për çdo zhvillim ai ngrihet kundër. Por nuk ka investitor që e dëgjon. Kanë fituar imunitet dhe unë i përshëndes. Ai ngrihet kundër çdo procesi, çdo privatizimi, çdo koncesioni, por investimet vazhdojnë dhe vazhdojmë me rritje të ndjeshme.
***
Zoti Kryeministër, si të pranishëm këtu edhe disa vite më parë, një nga përfundimet ishte që prospekti i zgjerimit të BE-së ishte një forcë shtytëse për reformat këtu në Shqipërisë. Ne e dimë që ka tre ligje, të cilat janë të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe ne mendojmë që është kyçe që opozita t’i mbështesë këto 3 ligje. Sepse ne mendojmë se hyrja në Bashkimin Evropian dhe statusi i vendit kandidat nuk kanë të bëjë vetëm me interesin e qeverisë apo opozitës, por është në interesin e të gjithë shqiptarëve. Ne u kënaqëm kur pamë që rinia ishte një nga forcat kryesore për sa i përket zhvillimeve dhe politikave ekonomike. Dhe do të doja të nënvizoja punën që ka bërë Gerti në jetën politike të Shqipërisë. Do të doja ta vlerësoja si një anëtar i denjë i familjes së madhe të YEPP-it. Do të doja t’ju përgëzoja për të gjitha arritjet që keni pasur deri tani dhe t’ju uroja sukses të madh në zgjedhjet e ardhshme. Faleminderit për pritjen!”
09/02/2013