E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një bashkëbisedim me studentët e ekselencës

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërisht, shpreh nderimin dhe respektin e madh për ju si studentë të ekselencës, vajza e djem të përkushtuar, ekzigjentë ndaj vetes suaj, persistentë në projektin tuaj për të qenë më të mirët, në pasionin tuaj për dijen, çka sjell dhe faktin që ju rendit juve në elitën studentore sot dhe në të gjitha shanset, në elitën intelektuale nesër. Në këtë kontekst, takimi me ju është kënaqësi shumë e veçantë dhe ju garantoj se kam ardhur të dëgjoj me shumë interes zërin tuaj, sugjerimet tuaja për universitetin, për veten tuaj dhe të ardhmen tuaj, vendin në tërësi. Një gjë ju siguroj se në bindjen tonë më të thellë, vetëm Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, do të jetë Shqipëria e zhvilluar, e cila do të ketë shpalosur të gjitha resurset e potencialet e saj të mëdha dhe shndërruar ato në vlera për qytetarët e saj, do të jetë Shqipëria europiane, Shqipëria vend i zhvilluar.

Gjatë këtyre viteve, ne jemi përpjekur të përparësojmë shkollimin si gjënë më serioze të një kombi. Në një hark kohor të shkurtër kemi bërë të mundur që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi të testojnë veten, për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre universitare dhe kemi vepruar drejt. Unë i përkas atyre që besojnë se shoqëria, shteti duhet t’i japë të riut, shansin, për të provuar energjitë, përkushtimin, intelektin e mendjen e tij. Kjo është arritje. Sot, numri i studentëve është tre herë më i madh se pak vite më parë, një sistem i drejtë dhe i ndershëm pranimi në universitet është vendosur, një diversifikim i madh i programeve në universitete ekziston sot, me rreth 540.

Ne kemi bërë përpjekje për një mbështetje të ekselencave, por kjo përpjekje është thjesht në fillimet e veta. Përveç mbështetjes financiare që marrin universitetet, ne kemi përcaktuar një fond që u jep mundësi atyre që fitojnë të doktorohen në shkencat jo teknike në 10 universitetet më të njohura të botës, në shkenca teknike në 51 universitetet më të njohura të botës. Ne kemi përcaktuar disa stimuj, kemi bërë një hapje për përfshirjen e tyre në administratën shtetërore. Dua t’ju them se, në rast se para 6-7 vitesh, në administratën shtetërore kishte gjithsej 1.5 përqind të shkolluar jashtë, sot janë 21 përqind dhe janë një numër shumë i madh të rinjsh që kanë ardhur. Në mënyrë indirekte, duke rritur organikat e universiteteve dhe sëbashku me kontributin  universiteteve private, numri i pedagogëve dhe asistentëve sot në shkollat e larta nga 6000 në vitin 2005 është 10 400. Po ashtu janë vendosur bonuse për doktorantët që pranohen automatikisht pa intervista në administratë dhe në rast se ato konkurrojnë për një post drejtues marrin një shtesë modeste për doktoratën që kanë bërë, 30 mijë lekë.

Këto janë disa nga elementet që kemi vendosur, por ne jemi të përgatitur të vendosim shumë më tepër. Ndaj jam sot këtu të dëgjoj zërin tuaj, sugjerimet tuaja, ajo çfarë ju do të donit që shteti e shoqëria të bënte për ju. Ju jeni njerëz të përkushtuar dhe ky është fakt. Nuk ka dhunti më të mirë për njeriun se përkushtimi. I përkushtuar është njeriu që beson në atë që do të arrijë. Të tillë jeni ju. Ju falenderoj dhe jam i hapur për çdo pyetje e çështje që doni të debatojmë sëbashku.

Zoti Kryeministër, jam drejtor ekzekutiv i rrjetit të studentëve ekselentë të Universitetit të Tiranës. Ne kemi shumë sugjerime. Këtu dua t’ju komplimentoj, sepse para disa ditësh në numrin që ju keni afishuar për shqetësime apo sugjerime, unë kam telefonuar dhe ndonëse nuk besoja se nga ai numër nuk do të më kthehej përgjigje, më kanë marrë menjëherë këshilltarët tuaj në telefon dhe i janë përgjigjur shqetësimit e sugjerimit tim. Në kuadër të zërave të studentëve ekselentë që përfaqësoj sot, fillimisht do të doja që për fondin e ekselencës, që është një nismë shumë e këndshme dhe një incentivë që na nxit neve më tepër, do të doja që në universitetet tona, qoftë publike apo private, të kishte më shumë informim për këtë fond. Nga ana tjetër, vitin e kaluar ka pas qenë një nismë e kryetarit të bashkisë zotit Basha që studentët ekselentë të bënin praktikën kundrejt një pagesë simbolike, pranë bashkisë. Aktivitete të tilla na nxisin, si dhe nxisin ato politika të qeverisë suaj si Brain gain dhe bën që truri të qëndrojë në Shqipëri, që është edhe qëllimi i organizatës sonë. Ne kemi nisur disa iniciativa që kanë nevojë për mbështetjen tuaj dhe besoj se në mandatin e ardhshëm do t’i realizoni, për shembull, studentët ekselentë që mbarojnë me medalje, të paktën, tekstet t’i kenë falas apo t’u mundësohet të bëjnë praktikën në shkollë kundrejt një pagesë simbolike. Po ashtu, ajo që vë re është se ka shumë etje për kërkim shkencor, por kërkimi shkencor është i kufizuar, por, meqenëse ekziston një fond i kërkimit fondamental për pedagogët, do të doja që të shtrihej spektri i tij, duke përfshirë edhe studentët ekselencë, studentët që janë aktivë e spikasin për aftësitë e tyre.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për ndërhyrjen dhe dëshiroj të theksoj se fondi i ekselencës është mbi një milionë dollarë dhe i shtrirë për të gjitha universitetet dhe për të gjithë studentët shqiptarë kudo ku ata janë. Fatmirësisht, këtë vit e kanë përfituar edhe studentë nga Kosova, të cilët kanë aplikuar. Jam plotësisht dakord dhe e kam biseduar edhe me Ministrinë e Arsimit që ne duhet ta promovojmë më shumë. Jam i bindur se në faqen zyrtare të ministrisë duhet të ekzistojë, por, pavarësisht nga kjo, duhet që të gjendet edhe një formë tjetër, për shembull, t’u kërkojmë universiteteve ta afishojnë në faqen zyrtare të tyre, si lind apo në një formë tjetër, në mënyrë që studentët të njihen shumë më mirë me mundësitë që ka ky fond. Edhe ne kemi pasur një dinamizëm në këtë fond. Fillimisht nuk e kishin të përqendruar në 10 universitete më të mira të botës, nuk  e kishim të përqendruar në 51 universitetet teknike më të mira të botës, por gradualisht kjo u bë e domosdoshme. Realisht kjo nuk është se ul shpenzimet se ka prej tyre si për shembull MIT, Cambridge etj. që kanë fee shumë të larta, por ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë kësaj, sikundër jemi të vendosur ta rrisim këtë fond, kundrejt një kontrate. Për studentët, unë mendoj se ai duhet të kthehet të punojnë këtu për shembull 7 vjet, po ashtu për masterin shkencor apo doktorin e shkencave me afat për përcaktuar.

Përsa i përket bashkisë së Tiranës nuk jam në gjendje të përgjigje, por më erdhi mirë kur para dy ditësh dëgjova në lajme se bashkia kishte krijuar një sistem mikrokredie për 250 të rinj, të cilët do të hapnin aktivitetin e tyre. Unë do ta pyes zotin Basha dhe ai do t’ju kthejë përgjigje publike lidhur zotimin  tij, por kam besimin se do t’i përmbahet atij.

Ju keni shtruar një çështje jashtëzakonisht thelbësore, atë të kërkimit shkencor. Për çdo njeri, por në mënyrë të veçantë për ata që janë më të avancuar e kanë ambicie, për një studente apo student të shkëlqyer, kërkimi shkencor ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe. E them pak me keqardhje këtë. Imagjinoni një student në vitet ’69-’70, me mjetet më modeste laboratorike, por, ju them sinqerisht, falë një pedagogu, ndaj të cilit jam përjetësisht mirënjohës, isha i angazhuar, jo vetëm unë , por edhe miq të mi, në veprimtari kërkimore shkencore shumë okupuese për ditën. Natyrisht, ato i bënim nën drejtimin e pedagogut, Prof. Dr.Bajram Prezës, i cili na bënte pjesë në të gjitha studimet e tij. Më vonë, unë nuk ndoqa atë fushë, ndoqa kardiologjinë, por unë kam punime në fushën e neurologjisë, me profesorin. Më vonë, unë kam drejtuar shumë diploma studentësh, por edhe sot më janë të pashlyera në memorie disa prej tyre, të cilat vetëm formalisht i drejtoja unë, pasi, në të vërtetë, ata drejtonin veten e tyre dhe kishin një fuqi të admirueshme kërkimore-shkencore, në hartimin dhe përzgjedhjen e temave, metodën që përdornin në studime që është shumë e rëndësishme dhe konkluzionet. U ndala pak në këtë moment vetjak, sepse që nga ajo kohë deri më sot, rol shumë të rëndësishëm kanë pedagogët tuaj. Ata duhet të kenë interes shumë të madh të kenë bashkëpunëtorë si ju. Sigurisht, ata ju japin idetë kryesore, por edhe ju, me qëmtimin e përditshëm për projektin që bëni, mund të jepni një kontribut shumë të rëndësishëm. Tezat, temat, doktoratat që ju trajtoni ka mundësi të jenë një kontribut real në shkencën shqiptare. Para 4-5 vitesh, konstatova se kërkimi shkencor ishte burokratizuar në një shkallë të papranueshme, aq sa projekti duhej të miratohej në ministri. U kërkoj se përse projekti i dikujt duhet të vinte në ministri tek burokratët. Sigurisht ka një financim për të dhe ai financohet në qoftë se shefi i departamentit, zëvendësdekani, ata që merren me punët shkencore e gjykojnë se punimi ia vlen. Më mirë se ata, nuk e gjykon kush. Kam kënaqësinë, pasi më informuan se kjo nuk ekziston më.

Para dhjetë ditësh vizitova IKub, një qendër inovacioni të Microsoft, që është kompania jonë private më e madhe në ICT. U kënaqa shumë, pasi aty gjeta studentë që ishin seleksionuar me një konkurs shumë serioz dhe po punonin në fushën e inovacionit. Pyetjes sime se çfarë duhej të bënim ne, që ta nxisnim këtë më shumë, drejtuesi i qendrës, një njeri shumë mendje hapur, m’u përgjigjen: duhet të ndihmoni kompani të tjera të ICT-së të bëjnë të njëjtën gjë që bëjmë ne. Unë mora shembull ICT-në, por kërkimi shkencor shtrihet në të gjitha fakultetet, ndaj ne duhet të ndihmojmë fakultetet, duhet të shtojmë fondet. Angazhimi juaj në kërkimin shkencor është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ju edhe mund të mos arrini tani në konkluzione shumë të rëndësishme, por ju përvetësoni një metodë pune që është e dobishme gjithë jetën, për ju.  Krahas diplomës, ju merrni edhe diplomën, nëse e quajmë kështu, të kërkimit shkencor, mënyrës si do të vazhdoni kërkimin, dilni me një këndvështrim të ri. Ndaj kjo çështje do të mbetet një çështje e diskutimit të gjerë. Ne do të bëjmë gjithçka që të inkurajojmë departamentet tuaja, pedagogët tuaj, sektorin e sipërmarrjen private që ju të keni mundësi për të pasur veprimtari kërkimore-shkencore.

Po aq e drejt është edhe çështja e praktikës. Administrata do të jetë tërësisht e hapur. Nuk mund të them se do të jetë e hapur ndaj 30-40 mijë studentëve, por ndaj ekselencave, ajo do të jetë e hapur në çdo kohë. Sikundër kam menduar dhe po e shikojmë që të dalim me një vendim që, përveç doktoraturës që pranohet pothuaj direkt, vendet e hapura nga pensionimi të mbushen në mënyrë të vazhdueshme me ekselenca. Ju duhet ta dini se ne kemi një administratë të vogël dhe kjo ka një disavantazh se nuk ka shumë vende, por ka një avantazh për vendin, se nuk rëndon shumë mbi shoqërinë, taksapaguesit, biznesin. Në këtë kontekst, mund ta bëjmë rregull që për vendet që lirohen në mënyrë të vazhdueshme nga pensionimi të mund të plotësohen me përparësi nga individët e ekselencës. Duke e mbyllur theksoj se është shumë e domosdoshme që midis shoqatës suaj dhe shoqatave të ekselencës, administratës publike, rektoratit, por edhe dhomave të tregtisë të keni një dialog të vazhdueshëm.

Jam studime në masterin e shkencave për administrim biznes në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Tiranës dhe jam pjesë e rrjetit të studentëve ekselentë. Në një takim që keni pasur me studentë është diskutuar në lidhje me tarifën e shkollës së doktoraturës. Me informacion që kam di se është ulur me 25 përqind. Duke pasur parasysh që studentët e doktoraturës në kuadrin e kërkimeve shkencore duhet të mbulojnë edhe shumë kosto të tjera, që në fakt nuk janë pak, dua të di si do të procedohet në vijimësi me këtë tarifë.

Kryeministri berisha: Sistemi i Bolonjës ka sjellë një praktikë tërësisht të re në universitetet e vendit. Në Europë, ky sistem është bërë universal, ndonëse duhet ta pranojmë se epërsia është e sistemit anglosakson, por ky u bë sistemi konvencional europian dhe ne duhet ta ndjekim rrymën. Unë personalisht dhe ndofta ju e keni konstatuar, kam bërë gjithçka që fee-të për studentët të mos rriten. Kam kundërshtuar çdo vit, përpjekjen e ethshme për të shtuar fee-në. Unë kam mirëkuptim për qarqet akademike, universitetet, pasi ato kërkojnë burimeve financiare, por natyrisht  besoj se Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të pasur fee-të më të arsyeshme të mundshme. Për shembull, një studenti ekselent që aspiron të ndjekë arkitekturën i duhej, në rast se nuk e kemi ulur, të paguante rreth 800 mijë lekë. Por 800 mijë lekë për vajzën e një qyteti të varfër është pothuaj e pamundur. Edhe në qoftë se bëhet e mundur, familja e saj detyrohet të shesë diçka shumë të çmuar për jetesën. Megjithatë është bërë një rezistencë e fortë ndaj presionit për të rritur fee-në. Zgjidhja do të jetë se ne do të vendosim sistemin e  kreditimit për ju. Në katër vitet që vijnë, ne do të vendosim kredinë e studentit. Kredia, të cilën e kanë shumë vende, ka rregullat veta, është me garanci sovrane, d.m.th e garanton qeveria. Në fakt, kishim ndërmend ta vendosim tani, .skemën e kishim gati, por të jem i hapur, nuk e bëmë pasi rrit borxhin. Në qoftë se ne hapnim shtegun e kredisë studentore, detyroheshin të ulnin ndjeshëm diku tjetër shpenzimet, për të ruajtur borxhin, sepse borxhi ka një tavan që të nuk është mira ta kapërcesh. Sapo të na krijohet mundësia, që vitin e ardhshëm, do të bëjmë të mundur që të merrni kredi. Sikundër në të gjithë këtë sistem, ne do të jemi të detyruar të mbrojmë ata, të cilët janë më në nevojë. Nuk mundet arsimi të përdoret për të penalizuar të varfrit, përkundrazi, shkollimi është një nga mekanizmat më të qenësishëm për të luftuar varfërinë.

Përsa i përket doktoratave, cili është ambiguiteti im? Në normë e standard, besoj se ai që mbron doktoraturën duhet të mbështetet nga shteti dhe jo t’i paguajë shtetit. Kjo është e vërtetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në SHBA nuk është sistemi i Bolonjës, i cili në mënyrën si po aplikohet, po e shndërron doktoratën në totale. E kam diskutuar disa herë dhe një ditë bëra një takim edhe me një grup të doktorantësh jashtë dhe do ta shohim. Më vjen mirë që e kemi ulur 25 përqind, pasi presioni është shumë i madh për ta rritur fee-në, për shkak se universitetet duan të përballojnë shpenzimet. Në rast se është ulur 25 përqind, unë angazhohem ta ulim më tej. Nuk them se mund ta bëjmë në tërësi falas, sepse është bërë masive. Por qeveria duhet të gjejë mënyrat që këtë subvencionim t’ia japë universiteteve. Shkolla e doktoraturës, e cila është produkt i sistemit të Bolonjës, është në konsolidim. Nuk mund të kemi një lloj vlerësimi final mbi plus/minuset, por unë në mënyrë të padiskutueshme besoj në anët pozitive. Për ta mbyllur, në tërësi nuk jam për rritjen e fee-ve dhe ju siguroj se për aq sa kam pasur mundësi dhe kryeministri ka mundësi, jam përpjekur t’i kundërvihem rritjes së tyre.

Unë dhe shumë studentë të tjerë kemi qenë prezentë në hapjen e zyrave të karrierës në shumicën e fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Kjo është një nismë shumë e mirë, pasi shumë prej nesh kishin 5 vite që e prisnin. Ne ju falënderojmë për këtë, Rektoratin, por edhe gjithë qeverinë. Ne do të donim të dinim që, përpos kësaj, a është menduar diçka tjetër në lidhje me punësimin e të rinjve pas diplomimit? Faleminderit!

Kryeministri Berisha: Ne, me qëllim që të inkurajojmë punësimin e të rinjve, brenda një kohe të shkurtër vendosim një kuadër fiskal shumë të favorshëm, i cili  konsiston në heqjen e çdo takse dhe tarife për 3 vitet e para të punës së një të riu të punësuar, përfshi këtu përballimin e kualifikimit të tij. Kjo është masa e parë.

E dyta, ne do të bëjmë gjithçka për t’i nxitur ata drejt vetëpunësimit, nëpërmjet mikro-kredive. Kjo është për të rinjtë në tërësi. Për ekselencat mund të projektohet diçka më e veçantë, siç është zëvendësimi i të gjithë pensionimeve në administratë me studentë të ekselencës; një dialog me biznesin për bonuse të mëtejshme për punësimin e tyre. Por ju jeni ekonomistë dhe e keni shumë të qartë se gjeneratori absolut dhe  më kryesor i punësimit është rritja ekonomike. Sot po lexoja raportin më të fundit të Komisionit Europian dhe deklaronte se Shqipëria, Turqia dhe Islanda ishin vende të cilat mbeten me rritje ekonomike. Për t’i dhënë një shtytje të re rritjes ekonomike, ne bëmë heqjen totale të çdo takse mbi kapitalin, cilindo lloj kapitali. Masë e dhimbshme kjo këtë vit, sepse do të ketë një minus të qartë në buxhet, pasi ato ishin para që arkëtoheshin nga TVSH-ja për të gjitha makineritë e mjetet e importuara për prodhim. Por kjo masë teorikisht zgjeron investimet në mënyrë të ndjeshme dhe praktikisht i zgjeron ato përsëri në mënyrë të ndjeshme. Po në këtë drejtim, ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale prej 10 përqind për të gjitha pagat nën 30 mijë lekë. Këto masa synojnë nxitjen e rritjes ekonomike. Ne po punojmë dhe kemi punuar me përqendrim në disa drejtime, ku resurset natyrore të vendit janë ndër më të mëdhatë. Në Shqipëri resurset më të mëdha janë resurset ujore. Ne kemi firmosur me sektorin privat koncesione për ndërtimin e 360 hidrocentraleve, ndër to kaskada e Devollit, e cila punëson rreth 5 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë, njerëz të kualifikimeve të ndryshme. Janë edhe kaskadat e lumenjve të Alpeve dhe të shumë lumenjve të tjerë. Pra, ne po përqendrohemi në çdo fushë, në mënyrë që të krijohen vende pune. Dua t’ju them edhe një gjë: ky raport i Komisionit Evropian, të cilin unë e lexova sot, deklaron që Shqipëria pati një ulje të lehtë të papunësisë. Unë e quaj këtë një arrije shumë të madhe, sepse vendet përreth kanë pasur rritje shumë të madhe të papunësisë. Me të gjitha këto masa që kemi marrë, edhe ato që morëm për të rinjtë, ne besojmë se krijimi i vendeve të punës do të njohë dimensione të reja, gjatë katër viteve që vijnë. 

Përpos rrjetit të ekselencës, jam pjesë edhe e një Organizate Jo Fitimprurëse studentore, Unique Junior Enterprise, e cila është shumë aktive në eventet studentore, për të angazhuar të tillë që janë inteligjentë dhe të zotë, sipas background-eve.  A ekzistojnë politika promovuese, mbështetëse apo edhe të punës për këtë kategori individësh që janë shumë aktivë, marrin parasysh qëllimin e mirë për të ndryshuar indiferencën në masën e studentëve apo edhe për të krijuar eksperienca në avancë.

Kryeministri Berisha: Po, ekziston një rrjet, i cili prej shumë vitesh bazohet në konkurrencën e këtyre sipërmarrësve të rinj dhe ka një konkurs në Shqipëri dhe në botë dhe e vërteta është se të rinjtë dhe studentët shqiptarë kanë arritur në vende shumë të mira. Përveç kësaj, siç theksova, ne do të krijojmë grante dhe mikro-financime për të rinjtë. Natyrisht, ata që janë në një rrjet profesionist janë të parët që përfitojnë. Kur vjen puna për financimet, ai duhet të jetë mbi bazën e projekteve. Projektet fizibël, projektet që premtojnë se janë të qëndrueshëm duhet t’i financojmë. Ekziston edhe në botë një rrjet i studentëve, kryesisht të formësuesve globalë. Ata kanë shumë interes të jenë në Shqipëri. Unë i takova ata më së fundi në Forumin Ekonomik Botëror në Azerbajxhan dhe pata një takim shumë të mirë me ta. Secili prej tyre ekspozoi fushën shumë ambicioze ku ai punonte. Edhe në Shqipëri mund të grihen rrjete të tilla. Në fund të fundit, janë projektet ato që do të përcaktojnë mbështetjen.         

Studioj në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT. Pyetja e parë ka të bëjë me arsimin. Aktualisht ka 44 institucione të arsimit të lartë privat në Shqipëri, një pjesë e  madhe e tyre prodhojnë diploma kundrejt një kuote dhe këto barazohen më pas me përpjekjet dhe energjitë që ne harxhojmë për të marrë një diplome, si edhe në tregun e punës dalim si të barabartë. Unë do të sugjeroja që të bëhej diçka në këtë drejtim, në mënyrë që në Shqipëri të ekzistojë një konkurrencë e drejtë në arsimim.

Çështja e dytë lidhet me të qenin zgjedhës për herë të parë. Mendoj që prindërit tanë, të afërmit tanë dhe ne personalisht, në fushata zgjedhore kemi një konsumim psikologjik dhe emocional, kjo për shkak sepse detyrimi i shumë prej tyre lidhet me të qenit anëtar i një partie dhe shpesh herë detyrimi për të marrë pjesë në fushatat elektorale. Nuk mendoni se në Shqipëri duhet të ndryshojë kjo traditë e lidhjes individ-parti edhe të kryhen herë pas here rotacione politike, si edhe të kemi një rifreskim të politikës shqiptare. Kjo për një Shqipëri që ndryshon, ecën përpara dhe rilind.

Kryeministri Berisha: Pyetja e parë për universitetet. Parimi bazë është: arsimi, gjëja më serioze e një kombi! Për t’i qëndruar këtij parimi, natyrisht, i një rëndësie të jashtëzakonshme janë burimet financiare. Nuk është se ndonjëherë nuk ka disproporcion midis tyre dhe cilësisë, por e vërteta është se pa to është shumë e vështirë që arsimi të mbetet çështja më serioze e një kombi. Ku janë burimet financiare? Në tërësi, sektori privat xhiron në një orë, aq sa xhiron sektori publik i mbarë botës në një ditë. E dhashë këtë shembull për të pasur të qartë se burimet financiare janë në sektorin privat. Megjithatë është në zotimin e qeverive për t’i krijuar mundësi studimi të rejave dhe të rinjve të vendit të vet, është në platformën e tyre. Çfarë ndodh në Shqipëri? Nga viti 2005 e deri më sot, në universitetet private dhe në shkollat e larta të vendit janë 32 mijë studentë dhe mbi 4000 pedagogë e asistentë. Midis tyre ka që kanë bërë klasifikimin dhe renditen shumë mirë, por midis tyre ka edhe që kanë probleme serioze dhe nuk janë universitete. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është rating-u i tyre serioz, por, për mendimin tim, do të ishte me pasoja serioze, në qoftë se ne privonim sektorin e arsimit nga financimi privat. Sot, ky sektor mban peshën e 20 përqind të arsimit të lartë dhe pothuajse 10 përqind të arsimit parauniversitar. Pavarësisht se ne këtu shohim dobësi dhe ka dobësi, por të garantoj se në kohë afatgjatë, kjo do të përbëjë një nga avantazhet më të rëndësishme të sistemit tonë arsimor. Kjo për shkak të burimeve.

Një ditë vizitova një universitet privat. Menaxheri i tij më tha: ne kemi vendosur tarifa të njëjta me universitetet publike për studentët me mesatare 8.5, për të thithur cilësi. Në çdo rast duhet të bëjmë gjithçka, për të përmirësuar cilësinë e tyre. Duhet të bëjmë gjithçka për rating-un e tyre, për akreditimin serioz të tyre. Unë si praktikë, qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi e konsideroj qartësisht pozitive. Mund të ketë të rinj që mendojnë dhe pyesin: përse kaq shumë në shkolla? Po të shohim përqindjen e të diplomuarve në universitete në kombin tonë, ajo është ndoshta 8 herë më e ulët sesa mesatarja e vendeve të zhvilluara. Vende të tjera e kanë 25 përqind, amerikanët e kanë 32 përqind, ndërsa ne, para 4-5 vitesh e kishim 3.4 përqind dhe mund të ketë arritur te 6 përqind. Në garën e dijes, ne jemi të detyruar për të ecur me shpejtësi, për të kapur kohën e humbur. Imagjino që 3 apo 4 vjet më parë, ne kemi pasur qytetarë me diploma universitare, vetëm 3.4 përqind të popullsisë. Kjo është një shifër shumë e ulët. Absolutisht, kjo nuk do të thotë që ne duhet të mbyllim sytë drejt cilësisë. Cilësia duhet të mbetet objektivi ynë më kryesor. A mund të fillohet nga cilësia apo nga sasia? E vërteta është që sot dominon sasia, por ne do të bëjmë përpjekje të mëdha për cilësi.

Së dyti, cili është raporti elektoral? Shqipëria nga viti ’92 e deri më sot ka pasur rotacion politik, të cilin e kanë përcaktuar kryekëput qytetarët shqiptarë, me votën e tyre të lirë. Asnjëri nuk mund t’u marrë atyre atributin e përcaktimit të qeveritarëve që duan t’i qeverisin. Ky është rregulli më themelor i demokracisë. Ndaj një herë në katër vjet shkohet në zgjedhje. Në qoftë se je i zoti të bindësh qytetarët e tu për projektin që paraqet për katër vitet e ardhshme, ata të votojnë. Në qoftë se u paraqet një UFO-projekt, ata të lënë në bankinë. Pra, nuk ka mekanizëm tjetër demokracia, përveç votës dhe verdiktit të qytetareve shqiptarë.

Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve. Absolutisht, shqiptarët do të votojnë si europianët. Ju duhet ta dini se pavarësisht nga debati i jashtëzakonshëm që bëhet, unë po citoj zyrtarin më të lartë civil të OSBE-së, i cili do të deklaronte një vit e gjysmë më parë se Shqipëria ka sistemin më preciz në botë për numërimin e votave. Le të vijë kush të dojë dhe të thotë se kush e ka tjetër. Le të vijë një njeri dhe të thotë se ka një sistem më të saktë se ky. Por çfarë ndodh këtu? Ky vend ka një fatkeqësi dhe kjo fatkeqësi është e shkuara e tij tmerrësisht problematike. Një të shkuar që ju nuk e njihni dhe jeni fatlumë që nuk e njihni. Mirëpo, ajo e shkuar ekziston tek të gjithë ata që janë më të rritur se ju. Edhe ata, një e dy, edhe mallkime për këtë vend; një e dy, edhe nxirje për këtë vend; një e dy, edhe psherëtinë për këtë vend. Kështu ishte ky vend. Një mik imi më tha para disa ditësh se “ju nuk ishit në Europë”. Unë erdha në ’91, - tha ai - dhe ju nuk ishit në Europë. Kjo, sepse ne ishim të tretët më të varfrit në botë. Në këto rrethana, gjenerata të tëra lëshojnë vetëm psherëtima drejt këtij vendi. Ky është një vend me probleme, por një vend që, absolutisht, asnjë tjetër nuk ka bërë progresin e tij.  

Unë vij nga një Forum Ekonomik Botëror. Aty u ngritën me radhë dhe thoshin në kaq vite ju është rritur GDP-ja 5 herë, 3 herë. Unë ju thashë se në Shqipëri GDP-ja është rritur 11 herë, pa gaz dhe pa naftë. Kjo është e vërteta absolute. Të gjithë u habitën. Kushdo mund të marrë dhe të lexojë statistikat ndërkombëtare, të shohë sa ishte GDP-ja në vitin ’92, kur unë u bëra President Republike, kur shëtisja nëpër botë me një rrogë prej 16 dollarë në muaj dhe sa është GDP-ja, sot. E thashë këtë, sepse është në interesin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e atyre që janë arritur. GDP-ja nga viti ’92 deri në vitin 2012 është rritur 11 herë. Rritja më e jashtëzakonshme! Natyrisht është rritur nga lumi i djersës së shqiptarëve. Po jap edhe një të dhënë tjetër. Sot, mbi 340 mijë familje shqiptarë kanë më shumë se një banesë. Kjo është një Shqipëri që ka anët e veta, por ka edhe progresin më të madh. Ajo vuan nga një propagandë, ekstension i kohës kur ishte vendi i tretë më i varfër në botë, kur si në asnjë vend tjetër ‘përzuri’ pothuajse një milionë shqiptarë, sepse nuk kishin kafshatën e gojës.

Ju jeni të rinj. Në çdo kohë njerëzit e kanë dashur vendin e tyre, por nuk mund të jetonin në të, sepse nuk kishin mjet jetese, ndaj u derdhën në det me anije dhe me të gjitha mënyrat. Të gjithë po largoheshin për kafshatën e gojës. Sot është realisht një Shqipëri tjetër. Ndaj duhet të përpiqemi të nxjerrim se çfarë është arritur dhe çfarë është për t’u arritur. Shqiptarët janë përpjekur shumë të transpozojnë skema nga vende të tjera. Asnjëra nuk funksionon. Dhe pse? Ky është vend me rritje ekonomike, të konfirmuar nga të gjitha institucionet ekonomike ndërkombëtare. Ju dëgjoni çdo ditë të flasin për krizë ekonomike. Por asnjë ditë të vetme nuk ka qenë krizë ekonomike. Krizë ekonomike është kur bie rritja ekonomike. Kur bie në recesion, është krizë ekonomike. Ju shpesh dëgjoni se statistikat nuk janë të vërteta. Por statistikat janë statistika. Po ju jap një shembull. Në qoftë se ju shihni statistikën e FMN-së, thuhet se GDP-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është rreth 14 trilionë dhe në qoftë se shihni statistikën e BB-së, ajo thotë se GDP-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është 15 trilionë. Pra, statistikat janë statistika, por e sigurt është se ekonomia sot, e këtij vendi të vogël dhe e çdo vendi, është në shoshitje të ekonomistëve kryesorë, të institucioneve kryesore ekonomike ndërkombëtare. Dy muaj më parë unë kam drekuar, këtu në Shqipëri, me krye ekonomistin e Bankës Botërore, Indermit Gil, më të cilin për dy orë resht u diskutua në detajet më të mëdha për ekonominë shqiptare, dosje që ai e kishte të qartë në veten e tij.

I thashë këto, sepse shqiptarët kanë shanse të zgjedhin midis projektit të forcave politike dhe janë ata që përcaktojnë. Në politikë zgjidhet sipas projekteve politike. Kjo është dhe Shqipëria e ka faktuar këtë.

Zoti Kryeministër, përshëndetje! Jam studente në Fakultetin e Drejtësisë. Me hapjen e shumë universiteteve private shohim që kemi një prurje shumë të madhe të studentëve, ka prurje shumë të mëdha për shembull në degën tonë. Cilat janë kriteret balancuese që duhet të merren me një raport të tillë, me prurje të mëdha dhe një treg që nuk ofron mundësi. Por unë nuk mendoj se duhet të kufizojmë dëshirat.

Kryeministri Berisha: Ju shtruat një çështje që qëndron. Ju ndiqni këtë fakultet se keni pasur dëshirë të studioni në të. Ne duhet të bëjmë dy gjëra. Së pari duhet të procedojmë me projekte që i përshtaten më shumë tregut. Ju jeni juriste, por unë gjykoj se do të ishte interesi yt më i mirë, nëse do të merrje edhe banking. Kështu, krahas sistemit të drejtësisë do të mund të punësoheshe edhe në sistemin bankar. Unë mora një shembull të zakonshëm. Është shumë e rëndësishme që universitetet dhe fakultetet tona të përpiqen të synojnë një lloj poliedrizmi në formimin e studentëve të tyre. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për fakultetet private. Lidhur me universitetet private, rëndësi të jashtëzakonshme ka rating-u i tyre. Një proces është filluar, por ju garantoj se nuk është konsoliduar. Ka prej tyre që janë shumë të mira. Ndaj duhet të përpiqemi të përshtatim më mirë shkollat tona të larta me tregjet. Duhet të përpiqemi të synojmë cilësinë në këto shkolla. Sot, unë e kuptoj atë intimidimin tuaj dhe të të tjerëve, por universitetet dhe shkollat e larta private ose do të sigurojnë cilësinë, ose nuk kanë të ardhme.

Unë dua të jem i hapur me ju. Nuk ka diskutim që në Universitetin e Tiranës ka një potencial të madh. Kjo është qendra kryesore universitare e vendit, qendra më me traditë etj.. Unë jam i vetëdijshëm për këtë, por ka edhe degë në universitetet publike që janë vështirësisht afër me standardet që duhet të jenë. Edhe ato duhet t’i nënshtrohen rating-ut. Shpresoj që mekanizmi i ri financiar t’u japë një përparësi atyre që janë më të aftit, atyre që performojnë më mirë, fakulteteve që kanë standarde më të larta dhe të ndihmojë edhe në këtë drejtim.

Jam studente e vitit të II-të Master, Fakulteti i Drejtësisë. Dëshiroj të bëj tre thirrje shumë të rëndësishme kujtese. Thirrja e parë është që të kujtojmë të gjithë vitin 2008, ankthin që çdo familje shqiptare kishte për arsimimin e fëmijës së tij. Muaji shtator konsiderohej muaj frikë, pasi askush nuk e dinte, nëse do të kishte apo jo të drejtën e studimit e për më tepër të merrte degën e preferuar. Sot është mundësia e të gjithë të rinjve që kanë dëshirën dhe vullnetin për të studiuar, për t’u arsimuar në degën që dëshiron.

Thirrja e dytë, po e lidh me historinë time personale. Kujtoj vitin 2004, kur isha gjimnaziste në vitin e I-rë dhe përgjatë një viti i kërkoja familjes sime një kompjuter. Kujtoj sesa e vështirë ishte. Ndërkohë që sot, çdo i ri raportet me teknologjinë i ka të papërfytyrueshme. Secili prej nesh është përfitues dhe përdorues shumë i mirë i teknologjisë.

Thirrja e tretë e kujtesës ka të bëjë me auditorin në të cilin ne ndodhemi dhe sigurisht besimin që unë kam se përtej këtij auditori ka shumë të rinj të talentuar, mundësitë dhe energjitë që ata kanë janë jashtëzakonisht shumë të mira. Besoj se çdo i ri ka pasur mundësinë që të pranohet lehtësisht në vendet europiane. Ne na ka ndodhur shpesh që të jemi aplikues të projekteve të vende të ndryshme europiane, por për shkak të vizave dhe burokracive të tjera nuk jemi pranuar në to. Ndërkohë që sot liria e lëvizjes është tjetër gjë.

Kjo parantezë ishte e gjatë, por ishte shumë e rëndësishme për të kuptuar sukseset edhe arritjet që ne kemi realizuar, si edhe për të kuptuar pritshmërinë nga ju zoti Kryeministër, janë shumë të larta. Pritshmëritë që ngrihen janë më të lartat e mundshme tashmë. Pritshmëri shumë e fortë është ajo e punësimit dhe unë kam vënë re që një pjesë e mirë pyetjet i kishin të lidhura me punësimin. E para, a keni menduar projekte të cilat të bëjnë një ndërlidhje me Ministrinë e Arsimit, me Rektoratin, për të krijuar mundësi punësimi për studentët, ndërsa ata janë ende në bankat e shkollave. Pyetja e dytë, vendimi në lidhje me heqjen e taksave për bizneset e reja është një projekt që ata duhet ta presin tani së afërmi, apo një projekt që do të jetë ndër të parët për t’u realizuar?

Kryeministri Berisha: Problem fondamental për një shoqëri të lirë është dialogu me të rinjtë. Dialogu me të rinjtë, për fat të keq, është një dialog i cunguar dhe kjo jo vetëm në shoqëri, jo vetëm në administratë, por edhe në familje. Mendoj se kushti më themelor është që të ketë një dialog me ta. Në vetë natyrën e tij, i riu nuk ka tendencën që të persistojë në një gjë që e ka shumë të drejtë. Ndaj mendoj se në radhë të parë familjet, në radhë të dytë shkollat, shoqëria dhe administrata duhet të përpiqen të kenë dialogun më të sinqertë. Të rinjtë e kanë dialogun të sinqertë. Në këtë drejtim, ata duhet të dëgjohen dhe të arsyetohet me ta. Nuk ka diskutim që bërja e mundur për çdo të ri që të testojë veten në universitet është një masë shumë e drejtë. Nuk mund të shkelmosh ëndrrën e tjetrit. Nëse ai e bën të vërtetë apo jo këtë ëndërr, kjo është çështje e tij, por ne kemi për detyrë t’i japim atij mundësinë.  

Sikundër, ju siguroj se ne kemi bërë përpjeke shumë të mëdha për moshën dixhitale të Shqipërisë, e cila është dhe mosha e të rinjve. Ata kanë qenë motivi kryesor i saj. Shumë më tepër do të arrihet edhe në këtë drejtim. Janë rreth 125 projekte që transformojnë në mënyrën më rrënjësore këtë vend. M-Albania është projekti që ne do ta bëjmë realitet. Shqiptarët nga celulari i tyre do të kenë mundësi të kenë të gjithë informacionin, por edhe të gjitha shërbimet e mundshme.

Së treti, përsëri te punësimi, pasi kjo është çështje themelore. Ju studioni, përkushtoheni në mënyrë që nesër të keni mundësi të ndërtoni një ëndërr shumë më të bukur sesa kjo. Ju ketë e ndërtuat në mënyrë të shkëlqyer dhe ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm. E vërteta është se ne do të bëjmë gjithçka për të nxitur punësimin tuaj.

Ju shtruat edhe një problem tjetër, shumë të drejtë, punësimin e studentëve. Në qoftë se unë do të isha student, po të kisha mundësi do të bëja çmos të rëndoja sa më pak familjen time. Në takimet që kam pasur me sipërmarrës, ata kanë treguar shumë interes për këtë. Të jemi realistë, student do të thotë të bësh edhe disa punë që, pasi të marrësh diplomën, nuk do t’i bësh. Kjo ndodh në të gjithë botën, edhe në vendet më të zhvilluara. Sipërmarrësit kërkojnë që të mos u kërkojmë për ta, sigurime shoqërore. Unë u thashë: jo vetëm që nuk do të kërkojmë, por për studentin do t’i paguajë qeveria sigurimet shoqërore. Ne do të bëjmë gjithçka që të  nxisim gjatë dhe pas universitetit, punësimin tuaj. Koha nuk është e thjeshtë, sepse kur Europa, gjeneratori kryesor i pasurisë në kontinent, është në krizë. Ndaj edhe ne po marrim masa të jashtëzakonshme. Taksa e sheshtë u bë magnet për investitorët e huaj. Investitori, turisti preferojnë të gjitha lehtësirat e mundshme që mund të gjejnë. Ulja e taksave është një inkurajim, një lehtësim dhe një gjest miqësor për ta. Hoqëm tërësisht taksën mbi kapitalin, për makineri, për çdo gjë që atij do t’i duhet për investimin e tij. Unë kam bindje që kjo do të inkurajojë më shumë investimet. Fola për hidrocentralet, por ne kemi potenciale të tjera shumë të mëdha turistike. Deri më sot ne nuk kemi bërë një punë të programuar për projekte në fushën e turizmit. Tani do ta bëjmë. Kjo krizë të imponon të bësh gjithçka për të tërhequr investimet më të mëdha të mundshme. Ne do të kontraktojmë kompanitë më serioze. Ne kemi komplekse natyrore nga më mahnitëset në botë. Atëherë në do të bëjmë projektet më të bukura, me kompanitë më serioze, për t’ua servirur investitorëve të mëdhenj të huaj, për investime. Unë personalisht jam optimist, jam i bindur se Shqipëria, po të shohim këtë 3-mujor, ekonomia e saj ka një start. Sapo të fillojë edhe efekti fiskal i masave që morëm, ekonomia do të rritet dhe Shqipëria do të tërheqë shumë më tepër investime të huaja. Në kohën e krizës, ne kemi tërhequr 4 miliardë investime, kemi pasur rritje 316 përqind të tyre, në kohën para viteve të krizës. Shpresojmë që nga 4 të arrijmë në 6 miliardë, gjatë 4 viteve që vijnë. Të gjitha këto janë vende pune. Ne jemi shumë optimistë për punësimin e të rinjve dhe ne do ta ndjekim me vendosmëri këtë.

Jam pjesë e rrjetit të studentëve ekselentë. Çfarë modeli planifikoni të ndiqni në drejtim të ofrimit të politikave shëndetësore sa më adekuate për qytetaret në Shqipëri dhe jo vetëm ofrimin e shërbimit shëndetësor parësor falas, si dhe ofrimin e barnave falas për personat që janë në nevojë.          

Kryeministri Berisha: Në shëndetësi, por edhe në fusha të tjera, problemi më themelor është mekanizmi i financimit. Mekanizmi i financimit përbën mekanizmin themelor të reformës. Këto ditë hyri në fuqi ligji i kontributeve shëndetësore, ligj që ekziston në 95 përqind të vendeve të botës. Ky ligj e bazon financimin e shërbimin shëndetësor, në kontributin e qytetarëve për shëndetin e tyre. Me këtë ligj, asnjë qytetari nuk i janë rritur detyrimet ndaj shtetit. E kundërta ka ndodhur. Me këtë ligj i është dhënë mbrojtje e plotë të gjithë atyre që nuk mund të paguajnë këto kontribute. Ne vendosëm mekanizmin më të mirë financiar për shëndetësinë tonë. A është kjo e mjaftueshme? Jo, nuk është e mjaftueshme. Hapi tjetër shumë i rëndësishëm është zhvillimi i një sistemi menaxherial eficient, i cili, për hir të së vërtetës, sot për sot është problematik. Përse nuk u përsos? Në historinë e zhvillimit, këtë sistem nuk a kanë zhvilluar mjekët, por e kanë zhvilluar ekonomistët. Për fat të keq, një traditë e konsoliduar po e shkëput atë me vështirësi nga mjekët. Mjeku mund të jetë menaxher i shkëlqyer, të menaxhojë klinikën e tij private, por spitalet publike duhet të menaxhohen nga menaxherë të aftë, të zotë. Ju dëgjoni ankesa sot, edhe unë kam ankesa, por investimet publike në shëndetësi janë shumë të mëdha. Sot, në spitalet tona gjeni teknologji ndër më të avancuarat e kohës. Ju gjeni skaner të xhirove më të larta, rezonanca nukleare magnetike të standardeve më të larta, në spitalet publike dhe private gjeni ekipe që kryejnë operacione nga më të ndryshmet. Megjithatë, përsëri ka ankesa. Ato nuk janë të padrejta, sepse ka mungesa që lidhen para së gjithash, me menaxhimin jo të mirë. Një qeveri, e cila sjell, kontrakton teknologjitë më të avancuara, një qeveri që tani ndërmerr një program për dixhitalizimin total të kartelave të shëndetit, dëshmon se ka një vullnet të hekurt për një sistem shëndetësor efikas. Kjo qeveri do të bëjë gjithçka, për të zhvilluar aftësitë menaxheriale të menaxhuesve të institucioneve shëndetësore dhe të shëndetit publik. Jam shumë optimist, sepse  janë hedhur hapa shumë të rëndësishëm. Kështu që shërbimi shëndetësor do t’i garantohet falas çdo qytetari shqiptar që nuk mund të paguajë kontribute, do t’i garantohet falas të gjithë atyre që paguajnë kontribute. Ne i qëndrojmë kësaj. Sikundër, po ky ligj detyron qeverinë të blejë shërbime nga sektori privat. Në qoftë se një spital privat ofron shërbime që nuk i ofron sektori publik, i sëmuri do të ketë të dejtë të shkojë t’i marrë atje dhe qeveria do të paguajë për këtë. Instituti i Sigurimeve të paguajë për të. Unë pres një katërvjeçar realisht të suksesshëm, në drejtim të finalizimit të reformës për shëndetësinë. Reformë që është më e vështira e të gjithë sektorëve të tjerë. Këtë duhet ta pranojmë.

Jam këtu në cilësinë e përfaqësuese të grupit të përfituesve nga Fondi i Ekselencës.  Kam kryer studimet në universitetin e Padovës në Itali, në shkenca komunikimi. Në sajë të një fondi të jashtëzakonshëm, në kuadër të projektit Brain Gain vazhdova dhe doktoratën. Falënderimi dhe mirënjohja janë shumë të pakta në këtë rast. Së pari, ndërkohë që unë aplikova për doktoratë dhe për përzgjedhjen e kandidaturës time u morën parasysh rezultatet personale, por edhe fakti që do të mbështetej nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo ishte garanci, e cila që në fillim më bëri të fitoj besimin e universitetit në Itali, ku u pranova si doktorante.

E dyta është në nivel personal, por është një dëshmi e gjallë dhe përgjithësuese. Arsyeja e dytë ose më mirë efikasiteti i fitimit të Fondit të Ekselencës, i shfaqur dhe i konkretizuar, mori një drejtim tjetër kur unë u përzgjodha nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Komisioni, kur përzgjodhi kandidaturën time, pati fort parasysh të qenit titullar i Fondit të Ekselencës. Besoj se kjo dëshmon më së miri gjithë falënderimet dhe mirënjohjen e veçantë që i shkojnë Shkëlqesisë së tij, Kryeministrit Prof. Dr. Sali Berisha, drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Kryeministri Berisha: Besoj se krijimi i Fondit të Ekselencës ka qenë diçka shumë e drejtë. Ne duhet ta zgjerojmë atë. Nuk ka investim më rentabël, më të rëndësishëm se në materien e përhimë, që është truri. Kjo që bëmë është vetëm fillimi. Unë jam i bindur se ne do të bëjmë shumë më tepër, në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare.

Jam pedagog në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Shkencave Politike. Pyetja ime ka të bëjë me bashkimin kombëtar. Nëse përpiqemi të analizojmë gjithë ligjërimin politik rreth bashkimit kombëtar gjatë këtyre 23 vjetëve në Shqipëri është e pamundur të mos asociohet kjo çështje me emrin tuaj si politikan, si kryetar i PD-së, si Kryeministër edhe si President i vendit. Gjatë

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›