Kryeministri Berisha: Të nxitet më tej arsimi profesional në vend

Në rrethin e Durrësit janë dy shkolla profesionale, ku ofrohen 8 drejtime kryesore të specializuara në 32 profile të reja si: Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Shërbime mjete transporti; Termohidraulikë; Elektroteknikë; Hoteleri –Turizëm, Teknologji ushqimore; Tekstil- Konfeksion; Ekonomi-biznes, etj. Këto shkolla profesionale kanë pasur një mbështetje të madhe edhe nga projekte të huaja: qeveria zvicerane, franceze si dhe nga Bashkimi Evropian.
Shkolla “Beriq Çela” ka gjithsej 15 reparte për praktika profesionale, 5 reparte auto; reparti i teknikës së komandimit; reparti elektroshtëpiakut; reparti teknikës së instalimit; reparti elektrikut mix; reparti axhusterisë; reparti saldaturës; reparti tornerisë; reparti makinave bujqësore; reparti hidraulikës; reparti instalimeve ngrohëse. Shkolla ka gjithsej 6 laboratorë dhe 6 kabinete.
Shkolla “Beqir Çela” është mbështetur dhe po mbështetet me financime nga qeveria e Konfederatës Zvicerane. Në periudhën 2009 – 2013 janë realizuar investime, të cilat po zbatohen nga Swisscontact, nëpërmjet projektit AlbVET dhe vlera e përgjithshme e investimeve materiale është deri tani rreth 180 000 euro.
Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit dhe stafin e kësaj shkolle për cilësinë edhe emrin e mirë që ajo ka krijuar, çka ka bërë që numri i nxënësve në këtë shkollë të shtohet me 60 përqind.
Pasi vizitoi disa prej kabineteve dhe reparteve ku nxënësit zhvillojnë praktikën mësimore, Kryeministri Berisha tha se arsimi profesional është një nga fushat më të rëndësishme në sistemin tonë arsimor.
Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi edhe kombinimin që është bërë ndërmjet shkollës së mesme dhe Universitetit të Durrësit. “Duhet të bëjmë gjithçka, - tha Kryeministri, - që këtë kombinim ta shtrijmë në të gjitha universitetet e tjera”.
Kryeministri Berisha theksoi se duhet të bëhet gjithçka për t’i tërhequr edhe më shumë nxënësit në këto shkolla, për t’i ndërgjegjësuar ata se është interesi i tyre më i mirë. “Kjo, - tha Kryeministri, - kërkon që diplomat të kenë ekuivalencën totale. Një i ri që vendos të ndjekë shkollë profesionale duhet ta dijë se diploma e tij është e barasvlershme me çdo diplomë tjetër të viteve korespoduese të shkollimit”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes, të përshëndes qeverinë e Konfederatës Zvicerane për ndihmën bujare në një nga fushat më të rëndësishme të sistemit tonë arsimor, arsimin profesional, përshtatja e sistemit tonë arsimor me tregun e punës. Swisscontact është një nga partnerët kryesorë të përpjekjes sonë për arsimin profesional, një përpjekje e suksesshme kjo. Kudo programet e këtyre shkollave janë një histori suksesi, por këtu në Durrës, në mënyrë të veçantë, ka një kombinim të shkëlqyer të shkollës së mesme dhe universitetit. Zoti ministër, duhet të bëjmë gjithçka që këtë kombinim ta shtrijmë në të gjitha universitetet e tjera. Ky kombinim, nëse do ta shtrijmë në universitete të tjera, do t’u japë atyre mundësinë të luajnë më mirë rolin e promotorëve të fuqishëm të zhvillimit rajonal. Të gjitha rajonet kanë specifikat e veta të fillimit. Ndaj të bëjmë gjithçka ta shtrijmë edhe në Korçë, në Vlorë, në Vlorë, në Shkodër, në Gjirokastër, në Peshkopi, ku edhe atje numri i studentëve po rritet dhe profili është shumë i qartë.
Arsimi profesional është për ne një përparësi ndër më madhoret, për të mos thënë përparësia më kryesore, pas përpjekjeve për rritjen e cilësisë dhe përshtatjen e sistemit tonë arsimor me kushtet e tregut. Janë krijuar disa qendra shumë të rëndësishme, shkolla profesionale shumë të mira, të pajisura me të gjitha laboratorët, me kurikula të njëjta me ato të shkollave analoge në vende të tjetra.
Duhet të bëjmë gjithçka për të tërhequr nxënësit sa më shumë, për t’i ndërgjegjësuar ata se është interesi i tyre më i mirë. Kjo kërkon që diplomat të kenë ekuivalencën totale. Një i ri që vendos të ndjekë shkollë profesionale duhet ta dijë se diploma e tij është e barasvlershme me çdo diplomë tjetër të viteve koresponduese të shkollimit. Në këtë mënyrë, ata gjejnë motiv për të ndjekur shkollat profesionale. Ky vit ka shënuar një kthesë të madhe. Këtë vit kemi një numër shumë më të madh. Këtu në këtë shkollë numri është rritur mbi 2 herë. Kjo është merita e stafit dhe e emrit të mirë që ka krijuar kjo shkollë.
Përsëri, nuk jemi aty ku duhet të jemi në arsimin profesional, sidomos, në bujqësi. Bujqësia ka ecur me shpejtësi vërtetë të admirueshme. Në të gjitha takimet që kam pasur me fermerë, ata kanë shtruar problemin e shkollimit të punëtorëve të tyre, e trajnimit dhe kualifikimit të punëtorëve të tyre.
Këtu ka shumë profile. Kjo është një shkollë nga më të përshtaturat me kushtet e tregut, e cila u garanton atyre që mbarojnë punësim në tërësi me aftësitë e tyre. Duhet të bëjmë gjithçka për ta shtrirë në të gjitha zonat e vendit.
Ju uroj shumë suksese dhe ju përgëzoj për këtë punë të shkëlqyer që bëni”.
16/04/2013