Potenciali i madh turistik i Ksamilit do të shfrytëzohet në mënyrën më racionale, në interesin e banorëve të saj dhe të pushuesve
- Në Ksamil janë investuar 3.2 miliardë lekë, kundrejt 0 lekë të qeverisjes socialiste
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e shëtitores së Ksamilit, një investim prej rreth 1 milionë euro. Duke vlerësuar këtë investim të rëndësishëm, Kryeministri Berisha premtoi vëmendjen e plotë të qeverisë për zhvillimin e kësaj zone dhe shfrytëzimin sa më racional të potencialeve turistike të saj, duke përmendur këtu ndërtimin e një infrastrukture moderne, furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm, mbështetjen e fermerëve të zonës, subvencionimin për projektin e mbjelljes së çdo rrënje ulli, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
“Dua të uroj të gjithë qytetarët e Ksamilit, të kësaj perle turistike, për shëtitoren e re, një investim prej rreth 1 milionë euro. Ujësjellësi i Ksamilit është një investim tjetër prej 4 milionë euro. Investimet në tërësi në Ksamil, nga 0 lekë që kanë qenë në 8 vjet të qeverisjes së mëparshme, këtë vit janë 3.2 miliardë lekë, në rrugë, kanalizime dhe sistemime të tjera.
Problemet e Ksamilit janë probleme shumë të rëndësishme për të gjithë vendin, sepse kjo bashki - pasi Ksamili do të bëhet Bashki- , ka një potencial të madh turistik, ka një vijë bregdetare pronë publike të bashkisë, e cila do të shfrytëzohet në mënyrën më racionale, në interesin e banorëve të Ksamilit dhe të pushuesve, do të ketë të gjithë infrastrukturën moderne, do të asfaltohet çdo skaj i territorit të bashkisë, do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Sikundër, dua t’i siguroj qytetarët e Ksamilit se qeveria do të subvencionojë pa kufizim, çdo rrënjë ulli që ata do të mbjellin.
Ka mbetur problemi i ish punonjësve të Fermës këtu. Unë e çova ligjin në parlament, por ju e patë edhe vet se 2-3 deputetë “e drodhën” fjalën. Por ata nuk do të mund ta bëjnë më. Unë i siguroj edhe ata se ne do ta bëjmë ligjin. Unë i qëndroj plotësisht dekretit që kam bërë dikur dhe jam një njeri që nuk tërhiqem nga detyrimet e mia”.
20/06/2009