E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të ndërmarrim ndërtimin e veprave të mëdha ujitëse në të katër anët e vendit

-          Me investimet tona do të bëjmë që emigrantët që dëshirojnë të kthehen, të mund të gjejnë vende pune dhe kushte për të ndërtuar jetën e tyre aty ku kanë lindur.

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në përurimin e ujësjellësit të fshatit  Vriceras, në Dropullin e Sipërm. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të kësaj zone. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

 Të dashur banorë të Vricerasë, të komunës Dropulli i sipërm,

Së pari, ju  shpreh kënaqësinë time për inaugurimin e ujësjellësit. Së dyti, dua t’ ju garantoj se, në katër vitet që vijnë, do të investojmë në këtë zonë për të asfaltuar të gjitha rrugët e saj, ku me sa shihet vetëm një ka mbetur, rruga e Koshovicës. Ne do të investojmë në furnizimin 24 orë me ujë në çdo familje dhe në çdo fshat të zonës suaj, por edhe të gjithë Shqipërisë. Projekti ynë, në katër vitet që vijnë, ka si qëllim më kryesor furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të qytetarëve dhe vendosjen e tokave tuaja nën ujë. Ndaj ju garantoj se do të bëjmë përpjekjet më madhore që çdo pëllëmbë tokë e juaja të vaditet. Ky është një objektiv shumë madhor i qeverisë sime. Do të ndërmarrim  ndërtimin e veprave të mëdha ujitëse  në të katër anët e  vendit, por edhe në këtë zonës, e cila ka një fushë shumë të mirë. Ne jemi të vendosur që gjatë katër viteve të vendosim tërësisht tokat nën ujë.

Në dyfishuam pensionet tuaja dhe të të gjithë fermerëve shqiptarë. Hapi tjetër është barazimi i tyre me qytetin dhe ne do t’i rrisim ato, me qëllimin që këto pensione të parakalojnë ato të 6 vendeve të anëtarë te BE. Nuk mund të them se do të parakalojmë vendet më të zhvilluara të BE-së, por do të parakalojmë 6 vendet ish komuniste që kanë qenë shumë më të zhvilluar sesa Shqipëri.

Katër vitet e ardhshme ne shpresojmë që, me investimet që do të bëjmë në infrastrukturë, në furnizimin me ujë, në investimet në sistemin e vaditjes, në klimën e shkëlqyer të biznesit, një pjesë e mirë e djemve dhe vajzave tuaja dhe të mbarë Shqipërisë, që janë nisur në emigracion, të rikthehen. Një pjesë tyre nuk kthehen, por vijnë shpesh e na vizitojnë, por ata të cilët dëshirojnë të kthehen, të mund të gjejnë vende pune dhe kushte për të ndërtuar jetën e tyre aty ku kanë lindur.

Në këto katër vite, ne hapim rreth 160 mijë vende të reja pune. Deri tani janë 104 hidrocentrale, ndër të cilët edhe Suha, për të cilat kanë përfunduar kontratat për ndërtimin e tyre. Por kantieri më i madh pas këtyre, do të jetë Vjosa, që është tërësisht e gatshme për ta hedhur në treg, për ndërtimin e 8 hidrocentraleve.

Në Gjirokastër do të përcaktojmë një zonë të lirë për ndërtimin e një Parku Industrial. Në fshatrat tuaja dhe në qytet ka një gjallërim të ndjeshëm të biznesit, prandaj ne do të krijojmë një Park Industrial, njësoj si në qytetet e tjera, ku do të ketë lehtësi infrastrukturore dhe lehtësi të tjera për suksesin e biznesit tuaj.

Në 28 qershor, ju bëj thirrje të ftoni të gjithë fëmijët tuaj në Greqi që të vijnë në Shqipëri për të dhënë votën e tyre, për Shqipërinë evropiane. Sikundër, dua t’ju garantoj se unë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë qeveritarët vendorë, sepse si kudo, edhe këtu, ne i kemi rritur disa herë investimet, krahasuar me vitet e mëparshme. Me zotin Spiro Ksera kam bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer, sepse ai ka qenë një avokat i vërtetë i juaji.

Thirrja ime është që ju të bëni një krahasim; ju keni pasur deputet Vangjel Tavon dhe keni pasur prefekt Spiro Kserën. Krahasoni se cila ka qenë periudha në të cilën qeveria është kujdesur më shumë për infrastrukturën tuaj, për ujësjellësit, kanalizimet pensionet e gjithçka tjetër. Bëjeni vet zgjedhjen. Jam i bindur se ju do të votoni për Spiro Kserën, sepse Vangjel Tavo, më shumë se interesat e Golës, nuk ka parë interesa të tjera. Ju këtë e keni vet parasysh. Sërish ai do të shkojë tek interesat e Golës. Prandaj, votat mos i jepni për Golën, por jepini për Spiro Kserën. Gjithashtu, edhe zoti Kosta Barka është një nga njerëzit më të mrekullueshëm, një nga zyrtarët më të mirë që unë kam njohur gjatë jetës sime, një njeri me moral shumë të lartë, me sens njerëzor shumë të fuqishëm dhe zyrtar shumë i përgjegjshëm. Unë e zëvendësova atë në kabinet me një kërkesë ultimative të Vangjel Dules dhe me një ndjenjë keqardhjeje. Më erdhi jashtëzakonisht mirë që ai u bashkua me ekipin tim dhe e kam mirëpritur këtë me shumë kënaqësi, pasi ai është një njeri shumë i çmuar,  me virtyte morale, me aftësi, me dinjitet dhe integritet shumë të lartë. Ndaj dhe votat që do jepni edhe për Kostën, i jepni për zotin Ksera dhe Partinë Demokratike”.         


20/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›