Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e librit “Miku më i madh i Shqipërisë – Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë bashkëkohore”

Libri, i botuar fillimisht në Londër në vitin 2011, vjen në shqip në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar dhe në të përfshihen ditar dhe letra (1904 – 1923), fjalimet dhe artikujt e Aubrey Herbertit të botuara në gazetat britanike të kohës.
Kryeministri Berisha përshëndeti autorët dhe të gjithë ata që mundësuan sjelljen e këtij libri edhe në gjuhën shqipe, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm që Aubrey Herbert ka dhënë për kombin shqiptar. “Ne nuk mund të gjejmë në historinë tonë një personalitet më të përkushtuar në mbrojtjen e këtij kombi sesa Aubrey Herbert”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Pasi përmendi disa nga momentet më të rëndësishme të angazhimit të Aubrey Herbert për kombin shqiptar, Kryeministri Berisha tha se “duhet të bëjmë shumë më tepër, në mënyrë që kjo figurë e ndritur, ky mik i madh i kombit tonë të vendoset në piedestalin që meriton në Shqipëri”.
Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se shqiptarët në Britaninë e Madhe kanë pasur miq të cilëve për jetë do tu jenë mirënjohës. “Ne patëm miq të shkëlqyer, si Aubrey Herbert, Edith Durham, patëm të tjerë për të cilët kushdo që lexon historinë konstaton se ishin këshilltarët më të shkëlqyer, më të rëndësishëm të qeverisë së Kongresit të Lushnjës, patëm të tjerë të cilët ndihmuan fuqishëm ndërtimin e institucioneve në këtë shtet. Edhe ata që erdhën gjatë Luftës së Dytë Botërore i përkisnin elitës së kombit të madh anglez. Ata të gjithë kanë shkruar libra dhe monografi, më të mirat që mund të jenë shkruar ndonjëherë për shqiptarët”, tha Kryeministri.
Në përshëndetjen e tij, me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar të pranishëm,
Zoti ministër i Kulturës,
Zoti Malltezi,
Zonja Duka,
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, duke marrë fjalën për këtë mik të jashtëzakonshëm të kombit shqiptar, Aubrey Herbert, për të cilin autoritete e personalitete të mëdha, shqiptare dhe të huaja, nuk kanë kursyer superlativat për të përshkruar rëndësinë e madhe të mbështetjes së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, në rast se një komb – thotë një mendimtar i madh, - dallohet më së shumti për ata që nderon, ne shqiptarët nuk mund të themi se i bëmë këtij burri të shquar nderimet që ai meritonte. Pasardhës i një prej familjeve më të larta, më fisnike të aristokracisë britanike, me gjak mbretëror indian, Aubrey Herbert do të niste karrierën e tij si atashe ushtarak nderi i Britanisë së Madhe në Stamboll. Rasti e sjell që të ketë pranë një shqiptar, Qazim Kukelin, për të cilin ky fisnik britanik ushqeu ndjenjat dhe respektit më të madh për virtytet e tij. Një nga personalitetet më të shquara të sotme do të thoshte pak kohë më parë, në një takim të rëndësishëm, se politika ndërkombëtare është edhe personale. Dhe, sado që të na duket jo e këndshme, e vërteta është e tillë. Kam pasur fatin të takoj në muajt e parë të karrierës time si politikan një prej kryeministrave më të fuqishëm të kohërave të Mbretërisë së Bashkuar dhe ishte Lady Thatcher. Në atë suitën e hotelit, ku u organizua takimi, unë isha politikan prej tre muajsh. Baronesha Thatcher më drejton një pyetje: më thuaj, si po i terrorizon ai kasapi i Ballkanit vëllezërit e tu në Kosovë? Tre apo katër vjet më vonë takova, tashmë jo në një hotel, por në zyrën e tij, pasardhësin e saj, përgjigja e tij për mua ishte: Sali, unë pyes Alenin (një diplomat shumë i nderuar i Foreign Office) se çfarë do të më thotë ai për Ballkanin. Ndërsa më vonë do të vinte, në këtë vend dhe komb të madh, një kryeministër, një luan britanik i vërtetë që do të realizonte se në ato vite të fillimit të shekullit ndaj shqiptarëve ishin bërë padrejtësi të mëdha dhe të pamerituara, si dhe do të udhëhiqte vendin e tij, për të mos thënë edhe në tërësi Evropën, në një betejë për çlirimin e shqiptarëve.
Ne nuk mund të gjejmë në historinë tonë një personalitet më të përkushtuar në mbrojtjen e këtij kombi sesa Aubrey Herbert, i cili përdori të gjithë lidhjet e tij të fuqishme politike, familjare, përdori zërin e tij në Parlamentin britanik, themeloi Komitetin Shqiptar në momentet më kritike, kur e kuptoi që Konferenca e Londrës nuk po mblidhej për të mirën e shqiptarëve, përkundrazi, Konferenca e Londrës në aparencë qëllimet i kishte të drejta, por në fakt kjo Konferencë nuk po bënte asgjë tjetër, vetëm po legjitimonte natë pas natë, javë pas jave, copëtimet dhe pushtimet që fqinjët i bënë Shqipërisë në Luftën e I-rë Ballkanike. Aubrey Herbert e kuptoi menjëherë se kjo luftë nuk kishte qëllim tjetër, përveçse asgjësimin e shqiptarëve si nocion politik në trojet e tyre. Ai bëri gjithçka dhe është e drejtë të besosh, në një farë mënyre, se kufijtë aktualë të Shqipërisë, po të përdorim një shprehje franceze ‘shpëto atë që mundesh’, janë një ndër kontributet më madhore të këtij burri të madh. Pse ne mund të mendojmë edhe në këtë mënyrë? Sepse e vërteta është se pas vitit 1913, ato që nuk u realizuan dot në atë vit me përpjekje të jashtëzakonshme u projektuan në ’15 dhe me përpjekje po të tilla lugubre antishqiptare u projektuan në ’18, ‘19 për të mos thënë dhe fillimin e ‘20. Ata që thanë se Shqipëria e sotme, kufijtë e saj i dedikohen këtij burri më së shumti, kanë pasur një pjesë të pamohueshme të së vërtetës. Sepse në vitet ‘13 ky fisnik britanik bëri gjithçka që të ndikonte në Konferencën e Londrës, vuri gjithë çfarë kishte në dispozicion të përfaqësuesve të Shqipërisë, u përpoq të prekë ndjenjat kalorësiake të aristokracisë britanike në Robin Hudin shqiptar, Isa Boletinin, dhe thoshte se ai kudo që shkonte bënte një përshtypje të jashtëzakonshme, qyteti ndalonte kur ai kalonte rrugëve.
Më pas ai vazhdoi përpjekjet. Jetën e pati të shkurtër. Por edhe ne, ndonëse me vonesë, ndjejmë një detyrim shumë të madh ndaj këtij burri, i cili ka lënë një trashëgimi të madhe në Shqipëri dhe në Britani, shkolla, biblioteka, ndihma të tjera të jashtëzakonshme. Shoqata e sotme anglo-shqiptare është vazhdim i shoqatës që themeloi së bashku me Edith Durham.
Zonja dhe zotërinj,
Në rast se ne nuk patëm Mbretërinë e Bashkuar avokat tonin kryesor në fillimet e shekullit, politika e saj ishte një politikë hezituese drejt Ballkanit, një politikë që e vërteta është se nuk udhëhiqej nga ambicie imperiale në rajon, gjë e cila e shtynte shtetin më të fuqishëm të kohës në Evropë drejt disa kufizimeve, por ne në Britaninë e Madhe patëm miq të cilëve për jetë do tu jemi dhe duhet tu jemi mirënjohës. Ne patëm miq të shkëlqyer, si Aubrey Herbert, Edith Durham, patëm të tjerë për të cilët kushdo që lexon historinë konstaton se ishin këshilltarët më të shkëlqyer, më të rëndësishëm të qeverisë së Kongresit të Lushnjës, patëm të tjerë të cilët ndihmuan fuqishëm ndërtimin e institucioneve në këtë shtet. Edhe ata që erdhën gjatë Luftës së Dytë Botërore i përkisnin elitës së kombit të madh anglez. Ata të gjithë kanë shkruar libra dhe monografi, më të mirat që mund të jenë shkruar ndonjëherë për shqiptarët.
Ndaj, dua ta mbyll fjalën time duke shprehur falënderimin për botimin e këtij libri dhe me angazhimin se ne duhet të bëjmë shumë më tepër, në mënyrë që kjo figurë e ndritur, ky mik i madh i kombit tonë të vendoset në piedestalin që meriton në Shqipëri.
Faleminderit!”
07/02/2013